E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Rajoni ta kuptojë, Kosova është shtet



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, apelon se Kosova tashmë është shtet dhe vendet e rajonit duhet ta kuptojnë një herë e mirë. Gjatë takimit me homologun e tij Vujanoviç, Presidenti Topi ka vënë në dukje domosdoshmërinë e përfshirjes së shtetit të ri të Kosovës në forume dhe nisma rajonale. Kjo, sipas kreut të shtetit do të pasqyronte realitetin e ri gjeo-politik të rajonit. Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Mal të Zi, për të marrë pjesë në punimet e Forumit Rajonal për Korridoret Kulturorë në Evropën Juglindore, Presidenti Topi takoi Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Presidenti Topi vuri edhe një herë në dukje domosdoshmërinë e përfshirjes së shtetit të ri të Kosovës në forume dhe nisma rajonale. Kjo, sipas kreut të shtetit shqiptar, do të pasqyronte realitetin e ri gjeo-politik të rajonit tonë dhe do t’i kontribuonte thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe rritjes së qëndrueshmërisë afatgjatë. “Ashtu edhe çdo nismë tjetër me karakter turistik apo kulturor rajonal nuk mund të lërë jashtë as ekzistencën e aspak kontributin po aq të çmuar të popullit të Kosovës dhe të këtij vendi sa të bukur aq edhe të lashtë në historinë e vjetër dhe aq të vyer në historinë e re të tolerancës dhe të bashkëjetesës etnike dhe atë të besimeve”, - u shpreh z. Topi. Reagimi i Presidentit shqiptar vjen menjëherë pas mohimit të pjesëmarrjes së Kosovës në punimet e këtij forumi. Topi dhe Vujanoviç diskutuan edhe për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen. Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Topi vlerësoi: “Republika e Kosovës përbën sot shembullin se si e ardhmja e bashkëjetesës së fëmijëve tanë sfidon të kaluarën, sado e dhimbshme qoftë ajo, se si në rajonin tonë nuk ka vetëm një histori të shkuar, por edhe një shpresë për një të ardhme të re të përbashkët ku të gjithë ne duhet të besojmë dhe ta mbështesim”. Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, Topi takoi gjithashtu edhe kryetarin e radhës së Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Nebojsha Radmanoviç. Të dy homologët ndanë mendimin që marrëdhëniet dypalëshe duhet të zgjerohen e të thellohen edhe më tej, sidomos për sa u përket shkëmbimeve ekonomike-tregtare dhe lëvizjes së lirë të njerëzve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›