E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, opozita braktis Kuvendin: Tani protesta

Opozita braktisi dje sallën e Kuvendit, në shenjë bojkoti ndaj mungesës së vullnetit të qeverisë për të pajisur shtetasit me karta identiteti. Sapo nisi seanca parlamentare, e para që mori fjalën ishte kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e cila e akuzoi qeverinë se po ju mohon të drejtën e votës në zgjedhjet e 28 qershorit qindra e mijëra shqiptarëve. Leskaj i kërkoi qeverisë që të heqë atë që quhet tanimë si "taksa e votës". "Taksa e votës që ju keni vendosur po lë jashtë votimi qindra e mijëra shqiptarë e ndërkohë po provokon opozitën përtej kufijve të durimit. Ne nuk kërkojmë as më pak e as shumë se atë që kemi kërkuar edhe më parë, hiqni taksën e votës, hiqni barrierat që pengojnë shqiptarët për të ushtruar të drejtën e votës. Për sa kohë këto të zgjidhen, ne do të dalim nga Parlamenti", nënvizoi Leskaj, duke u larguar e para nga seanca parlamentare. Veprim që u mbështet nga të gjithë deputetët e partive të opozitës në Kuvend. Vendimi i së majtës për largimin nga salla u komentua nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe u kundërshtua nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. "Kjo është politika e re e PS-së, duke u larguar nga salla", ironizoi Kryeparlamentarja Topalli. Sakaq, ministri Nishani preferoi të hyjë në çështje më konkrete, që kanë lidhje me procesin dhe me deklaratën e bërë nga kryetarja e grupit të PS-së. Nishani theksoi se pretendimet e opozitës nuk qëndrojnë, dhe sipas tij ky është një spekulim dhe një lojë politike. Në vlerësimin e Nishanit, procesi po shkon normalisht dhe është drejt përfundimit të tij, ashtu siç parashikohet sipas të gjitha afateve. "Deri para dy ditësh mund t‘ju informoj se kanë aplikuar në rang vendi më shumë se gjysmë milioni qytetarë për letërnjoftimet elektronike. Deri në fund të muajit maj është e mundur të pajisen 1.56 milionë qytetarë shqiptarë me letërnjoftime. Pra, të gjitha kapacitet janë dhe po shfrytëzohen", tha Nishani. Megjithëse në sallë kanë qenë vetëm disa deputetë të mazhorancës, fjalën e mori nënkryetari i Kuvendit, Neritan Ceka, deputeti Ferdinand Xhaferri, deputeti Arjan Madhi, Edi Paloka dhe të tjerë. Ceka, i cili nënshkroi marrëveshjen e koalicionit të përbashkët me PD-në në zgjedhje, deklaroi se veprimi i opozitës është një alibi për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. "Rama i ka dhënë 40 lejë ndërtimi vetëm Delijorgjit, imagjinoni për çdo lejë sa ka marrë. Të japë një pjesë të këtyre parave për anëtarët e PS-së, që dalin e demonstrojnë", u shpreh Ceka. Deputeti Ferdinand Xhaferri u shpreh se PS-ja nuk e ka hallin te kartat e identitetit, por te hetimi që do t‘i bëjë ky Parlament kryetarit të bashkisë, Edi Rama. Sipas tij, procesi po shkon mjaft mirë dhe nuk do t‘i humbasë e drejta e votës asnjë qytetari.

Opozita përshkallëzon qëndrimin,

paralajmëron protesta në rrugë

Protesta në rrugë, për të mbrojtur votën e lirë. Kjo është forma e reagimit që kanë zgjedhur socialistët për ta bindur qeverinë që të japë karta identiteti falas, të paktën për ata shtetas që nuk kanë pasaportë. Të bindur se nuk ka më kohë për të pritur në reflektimin e qeverisë, Partia Socialiste hodhi dje një tjetër hap konkret për sa i përket çështjes së kartave të identitetit. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami, u bëri "thirrje njerëzve të përgatiten shpirtërisht për të shpëtuar demokracinë në rrezik me rezistencë paqësore". PSSH, vijoi Islami, do të rezistojë me të gjitha mjetet demokratike për të garantuar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve. Zyrtari i lartë i selisë rozë paralajmëroi Kryeministrin se nuk mund të kontrollojë rezultatin e zgjedhjeve, duke kthyer në farsë provimin e madh të 28 qershorit. "PSSH deklaron se nuk mund të ketë zgjedhje po qe se edhe një shqiptar nuk arrin të votojë për shkak të taksës së votës", nënvizoi Kastriot Islami. Edhe një herë socialistët këmbëngulën në heqjen e taksës së votës dhe dhënien e kartës falas për atë kategori që nuk ka pasaportë. Duke ju referuar masave dhe vendimeve të qeverisë për këtë proces, Islami i quajti konfuze dhe të pazbatueshme. Me këto masa, sipas Islamit, Berisha ka pranuar gabimin e vendosjes së taksës së votës. "PS vlerëson se për shkak të paaftësisë deri më sot, por mesa duket edhe mungesës së vullnetit të qeverisë, problemi i pajisjes së votuesve pa pasaportë mbetet i pazgjidhur dhe shumë më i rrezikuar se asnjëherë tjetër deri tani. Gjendja është alarmante", nënvizoi deputeti i PS-së. Islami përsëriti edhe një herë kërkesat e selisë rozë, atë të heqjes së taksës së votimit dhe karta e identitetit për votuesit pa pasaportë të trajtohet si mjet identifikimi vetëm për votimin në 28 qershor 2009. "Nga ana tjetër, qeveria duhet të gjejë zgjidhjet e përshtatshme në përdorimin e saj për të gjitha shërbimet e tjera pas zgjedhjeve të përgjithshme", argumentoi sekretari për çështjet zgjedhore në PS. Ai e konsideroi si të paralizuar situatën e shpërndarjes së kartave, duke përmendur këtu faktin që rrjeti i stacioneve të aplikimit nuk është shtrirë në të gjithë vendin, dhe rënien e ritmeve të aplikimeve. Njëkohësisht, Islami tha se e paralizuar është edhe puna e Komisioni ad hoc kuvendor për shkak të mungesës së informacionit për një proces transparent. "Dhe së fundmi, për çudi, kompania ‘Aleat‘, përmes një shkrese, nuk ka pranuar të japë informacion direkt dhe të dëgjohet në Komisionin ad hoc të Kuvendit, ndërkohë që është një kompani koncensionare, e cila kryen një shërbim publik", tha ai. Pak kohë më parë, kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, pati paralajmëruar qeverinë se nëse nuk jepeshin kartat falas, si e vetmja rrugë që do të shpëtojë procesin e si rrjedhojë edhe zgjedhjet, atëherë socialistët do ta përshkallëzonin qëndrimin e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›