E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njeriu i Berishës, në krye të Doganave

Endri Pema do të jetë drejtori
i përgjithshëm i
Doganave, post që dy
ditë më parë mbahej nga
Përparim Dervishi. Zyrtarizimi u
krye dje në ambientet e Drejtorisë
së Përgjithshme nga zëvendësministri
i Financave, Florion Mima, në
krah të të cilit qëndronte edhe Dervishi.
Që në fillim të fjalës, Pema
falënderoi stafin dhe Ministrinë e
Financave për mbështetjen dhe
besimin, duke u zotuar se do të
bënte më të mirën në postin e ri të
kreut të Doganave. Karriera e drejtorit
të ri është mbi 15-vjeçare, si
specialist i administratës doganore.
Më parë, Pema ka ushtruar funksionin
e drejtorit të Regjimit Doganor,
ndërsa tani e tutje do të ketë
një funksion me përgjegjësi më të
madhe. Pasi përshëndeti punën e
bërë nga Dervishi, drejtori i
përgjithshëm i Doganës, Endri
Pema, u shpreh se, "targeti im do të
jetë rritja e performancës. Kërkoj
më shumë punë nga punonjësit".
Ndryshimi i krerëve në dogana erdhi
pas një situate aspak pozitive
në mbledhjen e taksave dhe në
zotimin në formë jo rigoroze të politikave
fiskale të udhëzuara nga
Ministria e Financave. Ish-drejtori
Dervishi e priti me qetësi shkarkimin
nga detyra, edhe pse
shprehu habinë, duke u nisur nga
elementët e çështjes.
Emërimi
Kryeministri Sali Berisha ia ka
besuar pozicionin më të rëndësishëm
të administratës shtetërore,
Endri Pemës. Firma e kreut
të qeverisë është hedhur mbi vendim
në orët e vona të datës 15 prill,
pasi Këshilli i Ministrave kishte përfunduar
mbledhjen e radhës. Në
fillim, zërat pranë Kryeministrisë
flisnin për emra të ndryshëm, si
Rifat Gjoni apo Gezmend Spahiu,
por në fund Berisha zgjodhi të riun,
por me përvojë, Endri Pemën. Nga
kërkimet e kryera në arkivat e
lajmeve dhe në internet, rezulton
se kreu i ri i Doganave ka lidhje të
forta me Kryeministrin. Bashkëshortja
e tij, Andia Pustina, ka një
zyrë ligjore kontabiliteti bashkë me
të motrën, e cila është një e afërme
e ngushtë e Argita Malltezit, vajzës
së Kryeministrit. Gjithashtu mësohet
se Endri Pema është baxhanak
me Andi Tomën, drejtorin aktual të
Rrugëve, i akuzuar nga Prokuroria
e Përgjithshme për shkelje të legjislacionit,
gjatë tenderit të rrugës
Rrëshen-Kalimash.
Rastësia
Emërimi i Pemës, në letra nuk
lidhet për arsye politike, pasi përvoja
e tij si punonjës i administratës
doganore është më shumë se 15
vjet. Lidhjet e tij me Berishën janë
indirekte, nisur nga fakti se bashkëshortja
dhe motra, janë shoqe të
afërta të vajzës së Kryeministrit.
Motrat Pustina kanë hapur me
kohë një studio ligjore, e cila shërben
si konsulencë për firmat private.
Zëvendësministri i Financave,
Florion Mima, u shpreh dje se
"Pema ka mbështetjen direkte dhe
të madhe të Kryeministrit Berisha,
duke qenë se ka marrë përsipër një
përgjegjësi të madhe". Pas përfundimit
të ceremonisë, Pema shoqëroi
zëvendësministrin Mima
deri te dera kryesore, kurse Dervishi
e priste në korridorin kryesor,
për të ngjitur shkallët dhe dorëzimin
final të postit.

Zëvendësministri
"Krenar për punën e Dervishit.
Pema, përgjegjësi të mëdha"

Dervishi: Më "shkarkoi" kriza

Efektet e krizës ekonomike,
përtej çka deklaron
Kryeministri Berisha,
po japin pasoja të
rënda jo vetëm në ekonomi, por
edhe në krerë institucionesh.
Përparim Dervishi, ish-drejtor i
Doganave, për tre vjet e gjysmë,
pranoi me keqardhje shkarkimin
nga detyra, duke e lidhur me arsye
"objektive dhe subjektive".
Në fillim të fjalës, Dervishi u
shpreh se e mirëpriste ndryshimin
që sjell të mira, edhe pse
puna e bërë krijoi rezultate të shkëlqyera
për administratën
doganore. "Është folur gjatë për
largimin tim, dhe ja, tani u bë realitet.
Punova me përkushtim
për të përmirësuar imazhin e administratës,
e cila në fillim kur erdha,
perceptohej nga njerëzit si
e korruptuar", u shpreh ish-drejtori
i Doganave. Dervishi pranoi
se efektet negative të krizës
ekonomike sollën rënien e të
ardhurave në dogana, si pasojë e
uljes së çmimeve. "Kam punuar
sipas modelit tim. Nuk i jam imponuar
urdhrave nga poshtëlartë.
Edhe pse vartësve të mi
mund t‘ju dukej si veprim i nxituar,
në jo pak raste e kam menaxhuar
situatën sipas një modeli të
preferuar timin. I kam dëgjuar
dhe respektuar sugjerimet e
vartësve, por kur nuk binin dakord,
në fund vendosja sipas
modelit tim. Presionet nuk më
kanë shtyrë të veproj të
kundërtën e asaj që kam vepruar.
Për këtë jam krenar, pasi krijova
një shërbim doganor të shkëlqyer.
Por shifrat janë kokëforte
dhe nuk mund t‘i mohosh",
vijoi arsyet e shkarkimit Dervishi.
Pas ceremonisë, ish-drejtori i
Doganave preferoi të zhvillonte
një takim të ngushtë me
gazetarët, nga ku u mësuan më
me detaje arsyet. Dervishi pranon
se shkaku kryesor i largimit
lidhet me mosrealizimin e të
ardhurave, i cili flitet për shifrën
e 1 miliard lekëve. "Të dhënat e
tremujorit të parë, janar-mars
2009, në krahasim me të njëjtën
periudhë të vitit të kaluar, flasin
për 1 miliard më pak të ardhura
në buxhet. Nuk dua të përmend
shifra të detajuara, por ky është
rezultati përmbledhës. Kriza
preku vendin, duke ndikuar në
uljen e çmimeve. Garantoj se sasitë
e zhdoganimit nuk kanë pasur
ndryshim të madh, kurse në
vlerë ra shumë poshtë. Kryesisht,
karburantet, vaji ushqimor, gruri,
etj., ndikuan në uljen e të
ardhurave", u shpreh ish-kreu i
Doganave. Dervishin, tani e pret
puna në fakultet, mes studentëve,
profesioni i tij i hershëm
dhe nga ku mundësoi ardhjen e tij
në KOP, e më pas në krye të doganave.
"Them të pushoj pak, pasi
kam nevojë dhe të kem më shumë
kohë për profesionin. Nuk e di me
siguri se çfarë e ardhme më pret",
përgjigjet Dervishi, duke u munduar
të shpjegojë se largimi nga
detyra dy muaj para zgjedhjeve
nuk ka lidhje me politikën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›