Sarkozi fton Berishën në Francë më 24 prill
Presidenti i Republikës së Francës, Nikola Sarkozi, ka ftuar kryeministrin shqiptar për një takim kokë më kokë në Paris. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga burime të Presidencës franceze. Mësohet se takimi mes Sarkozizë dhe Berishës do të zhvillohet në datën 24 prill 2009, në orën 17:30, në pallatin “Elize”. Qeveria shqiptare nuk ka publikuar ende ndonjë informacion lidhur me këtë takim. Kryeministri aktualisht gjendet në Kinë, për një vizitë disaditore, nga pritet të kthehet sot dhe vetëm dy ditë më pas do t’i duhet të udhëtojë sërish, këtë radhë jo në Kinën e largët, por në kryeqytetin francez. Presidenca franceze nuk ka publikuar detaje rreth temave të takimit që pritet të zhvillohet, duke u mjaftuar vetëm me publikimin e datës dhe orës së këtij takimi në “Elize”.
21 Prill 2009