E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, përplasen OSBE-ODIHR

 

ADI SHKEMBI

OSBE përplaset publikisht me ODIHR-in për përgatitjet e zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Ndërkohë që ODIHR theksonte në raportin e dytë për procesin elektoral probleme me pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit, Koordinatori special i OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve, Wolfgang Grossruck, është shprehur dje në takimin me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, se për përgatitjen e zgjedhjeve është bërë një punë shumë e mirë. Dy zyrtarët që drejtojnë dy misionet e vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve vijnë nga një e shkuar me trajektore të ndryshme. Kreu i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Grossruck, njihet si mik i kryeministrit Sali Berisha. Ai ka vlerësuar me nota pozitive zgjedhjet e 26 majit 1996 në Shqipëri si dhe ka marrë pjesë në kongresin zgjedhor të PD-së para zgjedhjeve të 3 korrikut 2005. Në të kundërt Audrey Glover është përplasur me Berishën pas zgjedhjeve të vitit ’96, ku nuk pranoi të shtonte në raportin përfundimtar se opozita kishte bojkotuar procesin përpara se qendrat e votimit të mbylleshin zyrtarisht. Kreu i qeverisë pak javë më parë i kërkoi ODIHR-it të mos emëronte Glover në krye të misionit në vendin tonë, por kërkesa e kreut të ekzekutivit u refuzua.
OSBE
“Koordinatori special i OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, Wolfgang Grossruck, u shpreh se nuk ka asnjë dyshim se për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore është bërë një punë e shkëlqyer e profesionale dhe sugjeroi nga ana tjetër që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore për të forcuar klimën e besimit mes forcave politike për organizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe duke përmbushur standardet ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e shtypit pas takimit të zyrtarit të lartë të OSBE-së me ministrin e Brendshëm. Gjatë këtij takimi ministri Nishani ka informuar Grossruck lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve me kartat e reja të identitetit. Përfaqësuesi i qeverisë ka theksuar se në të gjithë vendin janë hapur rreth 500 stacione aplikimi, të cilët punojnë deri në 14 orë në ditë. “Kemi informuar çdo qytetar mbi zhvillimin e këtij procesi jo vetëm nëpërmjet informacioneve e deklaratave zyrtare, por edhe nëpërmjet një fushate intensive publicitare. Deri tani kanë aplikuar rreth 1.3 milionë shtetas dhe mbi 800 mijë prej tyre i kanë tërhequr letërnjoftimet elektronike”, u shpreh ministri Nishani. Lidhur me interesimin e Grossruck mbi pretendimet e Partisë Socialiste për mungesë transparence dhe mungesë informacioni, Nishani bëri të ditur se Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion të PS-së dhe komisionit parlamentar ad-hoc çdo informacion të kërkuar, duke përjashtuar vetëm rastet kur dhënia e këtij informacioni nuk ka qenë e lejuar për konfidencialitetin e të dhënave personale.
ODIHR
Në raportin e dytë para zgjedhjeve të 28 qershorit, misioni i ODIHR-it vuri theksin pikërisht te pajisja e qytetarëve me kartat e identitetit. “Më 28 maj, Ministria e Brendshme shpërndau në PS, në praninë e OSBE-së në Shqipëri dhe në OSBE/ODIHR EOM një regjistër me të dhëna të gabuara (si ajo më 26 maj) në lidhje me qytetarët të cilët nuk posedojnë një pasaportë. Kjo çoi në një mosmarrëveshje mes Qeverisë dhe PS-së. Ministria ia atribuoi këtë një gabimi teknik, ndërsa PS-ja e dyshon si manipulim të qëllimshëm të bazës së të dhënave, të cilat mund të ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve. Më 1 qershor, PS-ja njoftoi se do të ngrejë padi kundër zyrtarëve të lartë të MPB në lidhje me çështjen”, thuhet në raport. Sipas informacionit të marrë nga MB-ja, në total janë marrë 1.172.279 aplikime deri më 31 maj, dhe janë prodhuar 1.045.910 karta identiteti.

ODIHR raport në 29 qershor për zgjedhjet

Misioni i ODIHR-it, i cili ka më shumë se dy javë që është vendosur në Shqipëri, po vëzhgon nga afër përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit. 40 vëzhgues afatgjatë kanë mbërritur në vendin tonë dhe kanë marrë pjesë në hartimin e dy raporteve parazgjedhore të këtij misioni. Në këto dy raporte është vënë theksi në pajisjen e qytetarëve me kartat e reja të identitetit si dhe pretendimet e opozitës mbi numrin e qytetarëve që nuk kanë pasaportë dhe që nuk mund të votojnë. Gjithashtu ODIHR do të hartojë edhe një raport tjetër parazgjedhor lidhur me përgatitjet e fundit për zgjedhjet përpara se shqiptarët t’i drejtohen kutive të votimit. Më pas, 400 vëzhgues do të vijnë në Shqipëri për të ndjekur procesin në 28 qershor dhe që do të raportojnë për raportin që ky mision do të mbajë në 29 qershor, vetëm për ditën e votimit. Disa javë pas zgjedhjeve, pasi të kenë përfunduar edhe ankimimet dhe të jetë konfiguruar parlamenti i ri, ODIHR do të hartojë një raport të fundit, i cili do të përmbajë të gjithë periudhën parazgjedhore deri në ndarjen e vendeve në parlament.

OSBE raport të pavarur nga ODIHR

Asambleja Parlamentare e OSBE-së, e cila ka sjellë në krye të misionit të saj në Shqipëri austriakun Wolfgang Grossruck, pritet të hartojë në përfundim të zgjedhjeve një raport lidhur me gjithë çka ka ndodhur në Shqipëri gjatë kësaj periudhe. Megjithëse ky mision nuk e ka të detyrueshme të hartojë një raport, nisur nga praktika edhe e viteve të shkuara, një përmbledhje e gjithë procesit i shpërndahet të gjitha vendeve anëtare, të cilat njihen edhe me zgjedhjet në Shqipëri, i cili është një vend që ka aplikuar për marrjen e statusit të vendit kandidat. Por misioni i drejtuar nga Grossruck do të hartojë një raport të pavarur nga ai i ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që varësia e këtyre dy institucioneve lejon që ato të konsultohen paraprakisht nëse do të jetë e nevojshme për të mos pasur diferenca të mëdha në përfundimet e tyre. Përsa i përket raporteve, e njëjta gjë është edhe për të gjitha institucionet e tjera të huaja, si Parlamenti Evropian, të cilët duan të vëzhgojnë zgjedhjet në Shqipëri.

Të dhënat për kartat

500 stacione aplikimi janë hapur në gjithë vendin për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit 14 orë në ditë qëndrojnë të hapura zyrat e aplikimit 15 qershori dita e fundit kur qytetarët mund të aplikojnë për kartat e identitetit 1.3 milionë qytetarë kanë aplikuar deri tani për t’u pajisur me dokumentin e ri 800 mijë qytetarë i kanë tërhequr deri tani letërnjoftimet biometrike 3.08 milionë qytetarë do të kenë të drejtë vote në 28 qershor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›