E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani: Qeveria nuk garanton dot rendin

Partia më e madhe e opozitës vuri në dukje dje se viti 2009 nisi me një seri vrasjesh, ekzekutimesh, vjedhje banesash, madje janë shfaqur dhe maskat. Kryetari i Komisionit të Ligjeve pranë Asamblesë Kombëtare të Socialistëve, Ylli Manjani, vlerësoi se ekzekutimet mafioze, që terrorizojnë përditë jetët tona, janë dëshmi e gjallë se shteti politik i Sali Berishës nuk arriti të ndëshkojë krimin e organizuar në vend. "Pa pikë turpi e përgjegjësie, shteti i sotëm në vend që të gjejë autorët justifikohet, duke thënë se vrasjet ‘janë luftë klanesh‘ apo ‘ekzekutime për hakmarrje‘, a thua se këto krime janë legjitime", u shpreh Manjani. Ai këmbënguli se hakmarrja primitive dhe vetëgjyqësia janë sot mjetet me të cilat krimi vazhdon të marrë jetë shqiptaresh e shqiptarësh. "Parandalimi i krimit dhe i pasojave kriminale janë shërbime luksi për këtë qeveri. Shteti i sotëm i Sali Berishës nuk i shërben dot më interesave legjitime të shqiptarëve për rend dhe siguri", insistoi Manjani.

Përgjigja

Reagon Ministria e Brendshme

"Vendi më i sigurt se kur qeveriste PS"

Ministria e Brendshme reagoi menjëherë përmes një njoftimi për mediat lidhur me deklaratat e bëra publike nga selia rozë për mungesë sigurie në vend. "Qeveria shqiptare dhe agjencitë e zbatimit të ligjit kanë aleatin e tyre më të fortë qytetarin shqiptar, i cili ndihet sot më i sigurt se kurrë më parë në jetën e tij të përditshme", bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja. Sipas tij, "sot Shqipëria është në nivele më të ulëta kriminaliteti se edhe vetë vendet e Bashkimit Evropian, duke theksuar se me ardhjen e kësaj qeverie në pushtet, u bë i mundur asgjësimi i rreth 300 grupeve të krimit të organizuar dhe arrestimi i rreth 1000 anëtarëve të këtyre bandave, ku brenda një kohe rekord janë zbuluar 95 për qind e ngjarjeve kriminale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›