E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandati i dytë, minimumi i asaj që meriton Berisha



Nga Faik MIFTARI

Sot është një ditë historike për popullin shqiptar në përgjithësi, shënimi i momentit të hapjes zyrtare të tunelit Kalimash-Rëshen dhe çasti i takimit të dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës në tunel, z. Sali Berisha dhe z. Hashim Thaçi, me të vërtetë është një ngjarje historike për popullin shqiptar. Pas gati një shekull ndarjeje, dita e sotshme do të jetë ditë me të cilin nis epoka e re e afrimit ndërshqiptar, pasi që vetëm për tri orë do të mund të udhëtojmë komod dhe me një shpejtësi të duhur në Tiranë e në Durrës, e prej aty në veri në Shkodër e Shëngjin, në jug Vlorë e Gjirokastër dhe në qendër në Berat e Elbasan.

Me të vërtetë qarkullimi i lirë dhe i shpejtë i shqiptarëve si dhe transporti i mallrave për një kohë të shkurtër do të dyfishohet, trefishohet e shumëfishohet. Gjersa për krahasim nga viti i kaluar të ardhurat nga turizmi, vetëm për një vit, mendoj se do të shënojnë rritje nga 1 miliard euro në 2 miliardë euro. Shqiptarët në ish-Jugosllavi për të kaluar pushimet verore ua mësynin rrugëve të gjata dhe të mundimshme, 12 orë për të shkuar në Ulqin apo edhe 24 orë për të shkuar në Turqi e tani vetëm për 3-5 orë do të jenë në bregdetin shqiptar për të kaluar dhe këndellur me pushimet në Shqipëri. Po ashtu, do të përshpejtohet shkëmbimi i mallrave dhe me këtë do të ketë një zhvillim më të shpejtuar ekonomik të Shqipërisë, ndërsa për Kosovën një rrugë me rëndësi të posaçme dhe një arterie e re, për vazhdimin e rrugës për në Perëndim. Ashtu me këtë do të shtohen dhe zhvillohen takimet e ndryshme kulturore, sportive, muzikore ndërshqiptare. Tani e tutje, nuk do të ngurrojmë që një ditë Bajrami, ditë Flamuri apo ditë festive të tjera të kalojmë me gjithë dëshirë në Shqipëri dhe të festojmë së bashku me vëllezërit tanë shqiptarë. Qoftë i lartësuar Zoti që gjeneratave të sotshme dhe të ardhshme u mundësoi këtë begati dhe se për nder të hapjes së tunelit kemi bërë hajër dua (lutje) në namazin e drekës në xhaminë e Bajraklisë (xhaminë në të cilin u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit).

Në një bashkëbisedim me vlonjatët para një muaji, me rastin e vizitës sonë në Vlorë pas një udhëtimi 12-orësh të gjatë, të mundimshëm dhe të rraskapitur, lidhur me rëndësinë e ndërtimit të autostradës Durrës-Morinë, na thanë: “Juve kosovarët me të vërtetë të gjithë kishit votuar Sali Berishën në votimet e 28 qershorit 2009”. Ne iu përgjigjëm se minimumi që e meriton në rast se kurrgjë tjetër, është fitimi edhe i një mandati katërvjeçar qeverisjeje vetëm për kontributin dhe meritën e tij për përshpejtimin dhe ndërtimin e autostradës Durrës-Morinë gjatë mandatit aktual të qeverisjes “Berisha” 2005-2009.

Do të shtoja, po të organizohej një referendum në ditët e sotshme lidhur me ardhmërinë e popullit shqiptar, me pyetjen a do të ishit që të vazhdoni të jetoni të ndarë në dy shtete shqiptare, Shqipëri e Kosovë, apo në një shtet të përbashkët shqiptar, me siguri që në Kosovë do të dominojë një shumicë e madhe votash për një shtet të përbashkët shqiptar.

Tani, me pa ngurrim do të presim hapjen solemne të autostradës Durrës-Morinë më 25 qershor, kryerjen e votimeve me sukses në Shqipëri më 28 qershor e prej datës 1 korrik 2009, vrap e turr drejt Shqipërisë, dikush për bregdetin e bukur, dikush për tregti, dikush për ekonomi, dikush për shërim, dikush transit, dikush për vizitë familjare, dikush për vizitë shoqërisë e jaranisë, dikush për studime, dikush për njoftime, dikush për martesë, por sido që të jetë, na mirëprit me gëzim e hare, nënë Shqipëri!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›