E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të jesh komunist!

Nga Gjon BRUÇI
Ndonëse nuk jam në një linjë me objeksionet politike të Gazetës SOT, shpeshherë e marr dhe e lexoj atë me shumë kujdes. Sipas mendjes sime prej lexuesi të thjeshtë, SOT-i, në mjaft raste flet hapur e në mënyrë të drejtpërdrejtë, gjë tepër e rrallë në ditët e sotme. Kjo ndodh, jo prej censurës, por për autocensurën që krijon ... censura. Kjo e fundit sot ka trajtën e taksës, tatimit, licencës e gjer tek aksidenti, të cilat çdo gazetar e gazetë në mos e ka provuar, mbetet  kandidat, nëse kapërcen pragun e lejuar.
Ashtu siç ceka dhe në krye, nuk jam në një linjë politike me gazetën në fjalë, por një shkrim i shkurtër i zotit Flamur Bërdëllima, botuar në rubrikën Opinion, të datës 30 maj 2009, më nxiti tiu drejtohem me këtë shkrim modest. Nuk jam gazetar në profesion, aq më pak analist i medias së shkruar, por shënimi poshtë shkrimit të mësipërm: Ftesë për diskutim, më dha guxim të provoj edhe nga pozicioni i lexuesit të thjeshtë.
Prej 35 vitesh militoj në radhët e Partisë Komuniste. Gjysmën e këtyre viteve i kam kaluar krahas Saliut,Tosit e Kënos,- tre personazheve të shkrimit tuaj. Jo në spitalet e Tiranës, në Institutin e Studimeve M. L., e as pranë Ministrisë së Arsimit. Shansi im ishin malet e Përmetit, të Leskovikut e të Shkodrës dhe jo bordurat e Tiranës. Por kur them krahas kam parasysh të qenurit në të njëjtën parti, siç ishte Partia e Punës. Pra, në gjysmën e viteve të stazhit tim politiko-partiak kam qenë krahas personazheve të mësipërme. Ndërsa në gjysmën e dytë të këtij stazhi, shokët (zotërinjtë)  e mësipërm e drodhën si Likja, ndërsa unë mbeta në të njëjtin istikam.
Por nuk e kam këtu fjalën. Në jetë, secili bën zgjedhjen e tij. Ajo që dua të them është fakti se zoti Bërdëllima thotë një të vërtetë absolute kur shkruan se: .... fare natyrshëm dalim në përfundimin se e keqja e Saliut, Fatosit, Kënos (Skënder Gjinushit) nuk është të qenurit e tyre komunistë, por sindroma e pushtetit . Dhe më poshtë gazetari me të drejtë konkludon: Le që vdeksha unë po të kenë qenë ndonjëherë komunistë ata, thjeshtë kanë qenë anëtarë të një partie.Vërtetësinë e këtij konkluzioni tashmë e njohim të gjithë. Për të organizuar e udhëhequr Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare gjer në fitore mjaftuan vetëm dyqind komunistë. Ndërsa kur këta u bënë dyqindmijë (afërsisht kaq ishin në pragun e vitit 1990), bënë të kundërtën: përmbysën pushtetin, që vetë kishin ngritur. Dhe kjo ndodhi sepse nga gjithë kjo armatë, shumica ishin thjeshtë anëtarë partie... por jo komunistë.
Të jesh komunist është tepër e vështirë. Anëtar partie bëhesh me një kërkesë të thjeshtë në letër, me një mbledhje organizate, me një brohoritje e një betim për idealet. Ndërsa komunist bëhesh me vepra. E veprat janë të vështira.
Në ditët e sotme, të jesh komunist, apo të militosh në Partinë Komuniste është jo vetëm e vështirë, por dhe tepër e rrezikshme. Nga disa, për fat të keq edhe intelektualë, komunisti quhet o nostalgjik i së shkuarës, o Don Kishot i së ardhmes. Këto epitete ne komunistëve nuk na i dhuron populli i thjeshtë, por na i dhurojnë intelektualët e dy kategorive : intelektualët mediokër dhe intelektualët djallëzorë. Për të parët na vjen keq. Për të dytët themi: Për këtë punë paguhen.
Ne komunistët, më së paku ne anëtarët e Partisë Komuniste, për shumë arsye objektive e subjektive, sot gjendemi në minorancë. Madje mjaft nga intelektualët e të dy  kategorive që thashë më lart, na konsiderojnë jashtë kohës. Mirëpo ne kemi mendim tjetër. Të shkruarat tona teorike e praktike na thonë se idealet komuniste janë ideale të së ardhmes. Komunizmi synon barazinë midis njerëzve. Dhe padyshim, pjesa dërmuese e njerëzimit e dëshirojnë këtë barazi. Për të kanë luftuar gjenerata të tëra, që nga koha e Spartakut e gjer në ditët tona. A nuk është plaku 88 vjeçar Kadri Meta, që përmendni ju në shkrim, njeriu që qan për idenë e barazisë midis njerëzve, që është zhdukur? Dhe të tillë ka e do të ketë në çdo kohë e me shumicë.
Personalisht mua nuk më çudit sulmi i egër i borgjezisë kundër komunizmit. Për arsyet që tashmë dihen, ato janë dy sisteme që përjashtojnë njeri tjetrin. Çdo sistem kërkon të mbijetojë sa më gjatë, ndaj mbahet me thonj e me dhëmbë. Por kjo nuk zgjat në pambarim. Pasardhësi, më i riu, më në fund ia ngre patkonjtë të vjetrit. Dhe Pasardhësi, më i riu është Komunizmi. Apo kemi ndonjë sistem tjetër të ndërmjetëm?!
Ndonjëri, apo shumënjëri mund të thotë (thonë): Ehu ha... Komunizmi është tepër larg..... Pikërisht kjo filozofi, që nuk ka durim, por don të jetojë çastin, i zhvendosi Salitë, Tosat e Kënat nga idealet e fillimit, duke përqafuar pragmatizmin, çastin. Dhe kjo është normale. Natyra njerëzore përqafon të gjitha llojet e filozofive. Ndaj dhe jeta është e bukur, e larmishme e ...
Ajo që më çudit, apo më saktë më neverit, është përdorimi i epitetit komunist në arsenalin e sulmit kundër kundërshtarit politik. Të quash komunist Saliun, Tosin, Kënon, apo ndonjë tjetër të kësaj sëre, bëhet dy herë gafë: Sëpari, ata, ashtu siç e thotë edhe zoti Bërdëllima, nuk paskan qenë asnjëherë komunistë, por thjeshtë anëtar të një partie. Së dyti, duke i quajtur komunistë, në fakt i nderon, sepse emri komunist është titulli më i lartë që mund të fitojë njeriu në jetë. Të dyja këto gafa në të vërtetë u shërbejnë Salive, Tosave, Kënove e shokëve të tyre. Prej 18 vitesh ata mbahen në pushtet e në politikë pikërisht me lojën komunist apo antikomunist. Dhe kështu do të vijojnë të shullëhen në limerin e politikës shqiptare përderisa ne këtu poshtë, përfshi edhe intelektualët, gazetarët, analistët etj., të kuptojmë se personazhet e mësipërme dhe shumë syresh, që u shkojnë prapa, nuk kanë asnjë lidhje me idealet dhe veprat e komunizmit, por janë të mbërthyer, ashtu siç thoni edhe ju, nga sindroma e pushtetit. Dhe pushteti aktualisht tek ne është kthyer në një instrument fitimi, kur duhej të ishte instrument drejtimi e menaxhimi për shoqërinë dhe vendin.

Last Updated on Tuesday, 02 June 2009 10:41

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›