Kartat, zbatohet me vonesë vendimi i qeverisë për kuponat 200 lekësh
Megjithëse kanë kaluar katër ditë nga vendimi i Këshillit të Ministrave, për shpërndarjen e kuponëve për karta kundrejt 200 lekëve, për të gjithë shtetasit që nuk kanë pasaporta për jashtë shtetit dhe që nuk përfshiheshin më parë në asnjë nga skemat e kompensimit të qeverisë, Posta Shqiptare ende nuk ka nisur shpërndarjen e tyre. Gjatë ditës së djeshme, në zyrat e postës kuponat për ata shtetas që nuk dispononin një pasaportë mësohet se janë shpërndarë kundrejt pagesës prej 1 mijë e 200 lekë. Edhe pse ky vendim krijoi tepër bujë dhe qeveria shqiptare theksoi se kishte arritur të plotësonte kërkesën e opozitës shqiptare, ai ende nuk është vënë në zbatim.
Drejtues të Postës Shqiptare theksojnë se, edhe pse Ministria e Brendshme ka sjellë pranë sportelit të postës listën e atyre shtetasve që nuk e disponojnë një pasaporte për jashtë shtetit, ky vendim nuk zbatohet si shkak i mungesës së udhëzimit nga Ministria e Financave, i cili e bën të pazbatueshëm këtë vendim. Deri në orën 13:00 të ditës së djeshme, sportelet e postave e kanë shpërndarë kuponin kundrejt pagesës 1 mijë e 200 lekë edhe pse qytetarët pretendonin ta blinin atë me 200 lekë, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 1 Maj. Ndërkohë që mesditën e djeshme, Ministria e Financave është kujtuar ti dërgojë Postës Shqiptare udhëzimin për kartat e identitetit. Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 19 datë 30.04.2009, udhëzohet pajisja me kuponë në zyrat postare përkatëse të njësive të qeverisjes vendore, kundrejt pagimit të tarifës prej 200 lekësh të gjithë shtetasit që deri në datën 28.06.2009 janë 18- vjeç e lart, nuk disponojnë pasaportë për jashtë shtetit si dhe nuk përfitojnë nga asnjë skemë kompensimi thuhej në udhëzimin që i ka dërguar ministria e Financave sot postës. Gjithashtu nga ky vendim përfitojnë edhe të gjithë shtetasit që votojnë për herë të parë por që nuk janë në shkolla publike. Ministria e Brendshme i vë në dispozicion zyrave postare të njësive të qeverisjes vendore listën e personave që nuk disponojnë pasaportë. Shtetasit përfitues sipas këtij vendimi paraqiten në zyrat postare të njësive të qeverisjes vendore me një dokument identifikimi, si certifikatë, patente, ose dokument tjetër, që ka fotografi, për identifikim të personit. Nëpunësi i zyrës postare bën verifikimin e personit me listat e dërguara nga Ministria e Brendshme dhe i kërkon atij të paguajë 200 lekë për marrjen e kuponit të vulosur nga ana e postës. Ministria e Brendshme pajis zyrat postare me formularët e deklarimit dhe bën verifikimet e nevojshme si dhe i regjistron këto të dhëna në një data bazë të cilën e përdor edhe për të ndjekur shlyerjen e debitorëve. Kërkesa përmbledhëse i dërgohet Ministrisë së Financave e cila bën çeljen e fondeve për llogari të Postës Shqiptare sipas procedurave të zbatimit të buxhetit. Por, në fund të periudhës 6 mujore, të gjithë personat që nuk kanë shlyer detyrimin, shpallen debitorë dhe listat e tyre dërgohen nga MB në njësitë e qeverisjes vendore për vjeljen e detyrimeve.