LRI, proteston para MASH për të ardhmen e maturantëve
Lëvizja Rinore për Integrim protestoi përpara ministrisë së Arsimit dhe Shkencave për paqartësitë dhe problemet që ka krijuar Matura Shtetërore për 4 vjet me radhë në arsimin shqiptar. Maturantët dhe të rinjtë e LRI-së protestuan për të kërkuar të drejtat e tyre dhe zgjidhjen një herë e mirë të problemeve që ka shkaktuar Matura Shtetërore. Me dhjetëra të rinj kanë mbetur pa shkollë të lartë, pikërisht për shkak të kësaj paqartësie që ka krijuar Matura Shtetërore tek maturantët.
Ky sistem i ri arsimor jo vetëm që ishte i panjohur për nxënësit e shkollave të mesme, që do të përballeshin për herë të parë me këtë fenomen, por edhe aplikimi i tij ishte tejet i paqartë dhe i padrejtë. Pasi, sipas Lëvizjes Rinore për Integrim, ky sistem i ri arsimor nuk ka vlerësuar me objektivitet nxënësit që mësojnë, por ato që i ka ndihmuar fati ose siç e quajnë ato: Atij që i bie bingo. LRI deklaroi me këtë rast se pas 28 Qershorit ajo do të jetë pjesa më aktive që do të garantojë që kjo reformë e pa përfunduar të marrë formën e saj të plotë. Kjo do të arrihet nëpërmjet riformatimit të Maturës Shtetërore, duke synuar një sistem të thjeshtëzuar në përmbajtje, strukturë dhe menaxhim, theksoi kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho. Pasi sipas saj, ky riformatim do të bëjë të mundur që çdo maturant të vlerësohet objektivisht dhe në mënyrën më profesionale, si dhe të marrë atë që meriton në fund të një procesi transparent dhe jo diskriminues, siç ka qenë ky i 4 viteve të fundit. Me këtë protestë i bëjmë thirrje ministrisë së Arsimit të mos luajë me fatin e maturantëve si në një lojë fati. MASH të marrë masa të forta organizative që brenda këtij sistemi kaq problematik të shmangi në maksimum deformimet që mund të vijnë në kurriz të maturantëve, nënvizoi Xhixho. Sipas LRI, kjo është e vërteta e hidhur e funksionimit të Maturës Shtetërore në arsimin shqiptar.