E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: LSI, prioritet shëndetësisë, në pajisjen me teknologji moderne

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në spitalin rajonal të Durrësit. Meta dëgjoi nga afër ankesat e të sëmurëve për ilaçet, të cilat janë jo vetëm të shtrenjta, por që jo të gjitha i ofron spitali, sikurse dhe vështirësitë që ndeshin bluzat e bardha për shkak të mungesës së pajisjeve tepër të domosdoshme për diagnostikimin e pacientëve. Sipas tij, pas fitores në 28 Qershor, programi qeverisës i LSI-së, do ti kushtojë shëndetësisë një vëmendje prioritare, sidomos në teknologjinë e saj, të cilat janë tepër të domosdoshme për mjekimin e të sëmurëve në vendin tonë. Duke pohuar se ka ende shumë kërkesa për të ofruar shërbimet e nevojshme dhe të shpejta në këtë spital modern, Meta shprehu angazhimin e LSI- së, që spitali i Durrësit të pajiset me aparatura moderne te domosdoshme, siç është skaneri, i cili mungon apo rezonanca magnetike. Të vjen keq, që edhe pas 8 vitesh të gjitha spitalet shtetërore në vend kanë vetëm një rezonancë magnetike. Diagnostikimi i shpejtë, i saktë dhe i thelluar është i domosdoshëm si për të parandaluar sëmundje të ndryshme, si dhe për të realizuar ndërhyrje të shpejta në shërbim të shëndetit të qytetarëve, theksoi Meta. Në këtë vizitë kryetari i LSI-së, Meta shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili dhe nga kandidatët për deputetë në Durrës, Lefter Koka dhe Artur Zheji. Ky spital është ndërtuar para 8 vitesh, kur Kryeministër ishte Meta dhe është i dyti për nga rëndësia në Shqipëri, pas Qendrës Spitalore në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›