E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfaqësuesit socialistë, debat në KQZ për shtetasit pa pasaportë

Anëtarët e opozitës kërkojnë dërgimin e listës së shtetasve pa pasaportë në KQZ
Çështja e listës së shtetasve pa pasaportë ka qenë pika e nxehtë e mbledhjes së djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Anëtarët e këtij komisioni kanë debatuar ashpër lidhur me listën e shtetasve që nuk kanë pasaportë dhe që nuk janë pajisur me letërnjoftime. Gjatë zhvillimit të kësaj mbledhje, opozita ka shprehur shqetësimin e saj, të mungesës së informacionit nga ana e Ministrisë së Brendshme, përsa i përket numrit të shtetasve, që nuk disponojnë dokument identifikimi për të votuar. Anëtarët e opozitës i kanë parashtruar kërkesën Ministrisë së Brendshme, për dërgimin e listës së kësaj kategorie, e cila nuk është sjellë edhe pse është njoftuar disa herë. Në emër të socialistëve, anëtari Artan Lazaj i ka kërkuar publikisht Ministrisë së Brendshme që ta dërgojë sa më parë këtë listë në KQZ, pasi sipas tij është detyrim ligjor i këtij institucioni. Kërkesa e Lazajt erdhi pas disa parregullsive, që vetë ai, kishte vërejtur në KZAZ-në e Gjirokastrës, kërkesë e cila u mbështet nga nënkryetarja e KQZ-së dhe përfaqësuesja e PS-së, Dëshira Subashi dhe anëtari tjetër, Varfi. Sipas Subashit, nëse Ministria do të vazhdojë të neglizhojë, KQZ- ja do të informojë edhe ndërkombëtarët, të cilët sipas saj duhet të dinë që institucioni zgjedhor, pak kohë para zgjedhjeve, nuk e disponon këtë listë. Nuk ka ardhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lista e personave të cilët nuk disponojnë dokument për të qenë në qendrën e votimit në 28 qershor. Duhet të vijnë në KQZ gjithë të dhënat, është shprehur Subashi. Në lidhje me këtë problem të ngritur nga anëtarët e opozitës, nënkryetarja e KQZ-së, ka theksuar se Ministria e Brendshme e ka të detyrueshme nga ligji elektoral, që të informojë një herë në muaj pranë institucionit, që menaxhon zgjedhjet për listat e zgjedhësve, që nuk kanë dokumente identifikimi. Sipas Subashit nuk janë të rëndësishme vetëm statistikat, por edhe emrat e personave pa pasaportë që nuk kanë as kartë, pra shtetas që humbasin të drejtën e votës. Kohë më parë KQZ- ja i kishte bërë një shkresë Ministrisë së Brendshme lidhur me numrin e saktë të shtetasve pa pasaportë. Ndërkohë, ka reaguar kreu i KQZ-së, Arben Ristani duke deklaruar se Ministria e Brendshme ka qenë mjaft korrekte në raportin e saj. Ndër të tjera në reagimin e tij ai ka veçuar faktin se mungesa e listës me shtetasit, që nuk janë të pajisur me pasaportë nuk pengon punën e Komisionit dhe sipas tij kodi zgjedhor nuk përcakton afate kohore për dërgesën e kësaj liste. Ministria e Brendshme informon në mënyrë periodike, jo më pak se një herë në muaj KQZ-në, në lidhje me ecurinë e pajisjes së shtetasve me karta identiteti sipas pikës 2, pra detyrimi për ta informuar KQZ-në, jo më pak se një herë në muaj është vetëm për ecurinë e procesit. Lista e shtetasve do të dorëzohet në KQZ, se kur nuk thotë ligji, është shprehur kreu i KQZ-së, Arben Ristani. Sipas burimeve në KQZ, mësohet se n shkresën dërguar së fundi nga Ministria e Brendshme si përgjigje për KQZ, numri total i shtetasve pa pasaportë është rreth 400 mijë, ndërkohë pak ditë më parë Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti dha një shifër tjetër, krejt të kundërt. Sipas Telitit janë 250 mijë shtetas pa pasaportë. Nisur nga ky problem përfaqësuesit e majtë, në KQZ kërkojnë sqarime mbi problemin më të madh aktualisht, për shtetasit që rrezikojnë të mbeten pa votuar. Vetëm ditët e fundit opozita dhe mazhoranca arritën një marrëveshje për tu ardhur në ndihmë njerëzve, që nuk kanë pasaporta të pajisen sa më parë me kartat e reja të identitetit me qëllim, që në zgjedhjet e 28 qershorit të gjithë të kenë mundësi të votojnë.

Last Updated on Tuesday, 05 May 2009 14:20

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›