Romët dhe egjiptianët mungojnë në regjistrat e gjendjes civile të Beratit
Komuniteti rom dhe egjiptian, është një ndër kategoritë që do të përfitojë falas kartën e identitetit. Por, verifikimi i këtyre personave haset në shumë vështirësi, edhe pse shumë prej tyre janë të regjistruar në zyra ku ata përfitojnë ndihmë ekonomike dhe pension, pjesa me e madhe janë të paregjistruar në zyrat e gjendjeve civile. Në lidhje me këto vështirësi, ditën e djeshme është organizuar një mbledhje në prefekturë, ku përfaqësues të komunitetit rom nuk kanë marrë asnjë sqarim.
Përveç kësaj, romët dhe egjiptianët kanë ngritur si problem mungesën e regjistrimit të një pjese të madhe të komunitetit të tyre, të cilët duhet tu nënshtrohen procedurave ligjore deri në gjykatë duke paguar gjobat në bazë të ligjit për vonesat e regjistrimit në regjistrat themeltar të gjendjes civile. Nga burime të bashkisë, mësohet se ende nuk dihet sesi do të veprohet për këtë kategori, por grupi i ngritur do të vazhdoj verifikimin e atyre kategorive që përfitojnë kartat falas. Nënkryetarja e bashkisë së Beratit, Evgjeni Pelivani bën të ditur për gazetën, se në bazë të vendimit të qeverisë kjo kategori që përfiton letërnjoftime falas janë paraqitur në zyrat postare. Por, veçon se ende nuk ka nisur ndarja e kuponave falas, që këta persona të aplikojnë. Ne kemi të regjistruar personat që përfitojnë shërbime nga pushteti lokal dhe ato nga shteti, por nuk kemi pjesën tjetër të këtij komuniteti që është ende në verifikim nga grupi i ngritur për këtë qëllim, nënvizon nënkryetarja e bashkisë. Ndërsa banorë të komunitetit rom, vlerësojnë të rëndësishme pajisjen me karta identiteti, pasi sipas tyre nëpërmjet këtij veprimi ata do të jenë në të njëjtin nivel me çdo qytetar. Ne duam që qeveria të na ndihmoj për personat që kemi të paregjistruar dhe nuk mundemi me një ndihmë ekonomike shumë të ulët të kryejmë gjithë procedurat për të bërë regjistrimin në moshën e tyre të madhe, veçojnë ata. Edhe pse nuk ka një numër të saktë sesa mungojnë në regjistrat e gjendjeve civile, numri i tyre është i konsiderueshëm.