PSD-ja: Shërbimi i jashtëm të çlirohet urgjentisht nga militantizmi
Partia Socialdemokrate reagoi dje pas arrestimit të sekretarit të Ambasadës sonë për transportim lëndësh narkotike. Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PSD, Teodor Osoja, u shpreh se arrestimi i sekretarit të Ambasadës sonë në Maqedoni përbën rastin e radhës të implikimit në trafiqe të shërbimit të jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Osoja deklaroi se koleksionit të bëmave korruptive të qeverisë iu shtua edhe ai i trafikut të lëndëve narkotike. “Asgjë nuk ndodh rastësisht. Ky zinxhir skandalesh shpreh më së miri frymën që vetë qeveria me superskandalet e korrupsionit të saj përcjell në të gjithë administratën”,- tha Osoja. Sekretari i PSD-së e quajti papërgjegjshmëri të qeverisë rekrutimin e nëpunësve, sidomos të shërbimit të jashtëm. Ai deklaroi se mënyra e rekrutimit të nëpunësve të administratës jo vetëm që ka cenuar rëndë integritetin e figurës së diplomatit tonë, por ka kompromentuar thellë performancën profesionale të diplomacisë shqiptare përballë realizimit të objektivave prioritarë të politikës sonë të jashtme.
9 Maj 2009