E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI-ja shpall koalicionin “Aleanca socialiste për integrim”

Meta: “Ne do të nënshkruajmë anëtarësimin e Shqipërisë në BE”

LSI-sa shpalli dje zyrtarisht koalicionin “Aleanca socialiste për integrim”. Në koalicionin që drejtohet nga LSI-ja bëjnë pjesë edhe pesë parti të tjera, që janë: PSV ’91, Partia e Gjelbër e Shqipërisë, Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve dhe Partia Toleranca e Re, që mbron të drejtat e komunitetit rom dhe atij egjiptian. Ky koalicion shumë shpejt do të regjistrohet pranë KQZ-së, sipas procedurave ligjore. Shpallja e koalicionit u bë pas firmosjes së marrëveshjes nga kryetarët e partive pjesëmarrëse në të. Pas ceremonisë së nënshkrimit, Ilir Meta tha se koalicioni “Aleanca socialiste për integrim” konkurron me besim dhe dinjitet në zgjedhjet e 28 qershorit. Meta tha se ky koalicion është formuar si një reagim kundërshtues ndaj politikës së vjetër. Ai tha se ky koalicion është një zgjidhje dhe zgjedhje e re për shqiptarët, pasi bazohet mbi vlera shumë të rëndësishme, mbi vlerat e ruajtjes, mbrojtjes dhe pavarësisë së institucioneve, mbi vlerat dhe të drejtat e njeriut, mbi vlerat e integrimit real të emigrantëve shqiptarë, mbi vlerat e ruajtjes së mjedisit dhe mbi vlerat e mbrojtjes së të drejtave të pakicave në vend. Ish-kryeministri Meta tha se ky koalicion do të nënshkruajë anëtarësimin përfundimtar të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Është një koalicion që beson se vetëm në këtë mënyrë, duke qëndruar fort mbi këto vlera, do të mund të realizohet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në fund të fundit nuk ka asgjë të keqe, Berisha nisi aplikimin për qëllime elektorale, por ne do të nënshkruajmë edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, sepse pa këto vlera që ne mbrojmë nuk mund të bëhet konkrete, e prekshme dhe afër Shqipëria si anëtare e Bashkimit Europian që do të bëhet”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ndërkaq, kreu i PSV ’91, Petro Koçi, tha se fakti që e majta do të konkurrojë në zgjedhjet e 28 qershorit me dy koalicione, jo vetëm që nuk e dëmton atë, por edhe e favorizon ndejshëm. “Shpreh bindjen në emër të Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91, se përfaqësimi në dy koalicione të majta në këtë fushatë elektorale është një zgjedhje e mençur dhe fituese. Dua të garantoj se Aleanca e re Socialiste për Integrim do të jetë një aleancë fituese që do të përfaqësojë jo vetëm në fushatë, por dhe pastaj në bashkëqeverisjen e vendit vlera të vërteta programore, por dhe qeverisëse”, - tha Koçi.

9 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›