E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Nëse fitoj zgjedhjet, edhe kryeministër, edhe kryetar bashkie”

Kreu i PS-së nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë. Rama: “Nuk largohem nga posti i Bashkisë së Tiranës, qytetarët më kanë votuar”

Shaban Sulçe
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, jo vetëm që nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë, por do të vazhdojë detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës edhe duke qenë kryeministër i vendit, gjithmonë në rast të fitores së zgjedhjeve të 28 qershorit nga Partia Socialiste. Këtë vendim Rama e ka zbuluar dje në mënyrë jopublike, gjatë një bisede që ka zhvilluar me gazetarët. Rama ka thënë se nëse Partia Socialiste do të fitojë zgjedhjet, ai do të ushtrojë të dyja funksionet, pra atë të kryeministrit dhe të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Për ushtrimin njëkohësisht të të dyja funksioneve të rëndësishme qeverisëse nuk parashikohet asnjë pengesë ligjore në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Për më tepër, Rama ka argumentuar se duke qenë edhe kryeministër, edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, ai do të ketë më shumë mundësi për të punuar për zhvillimin e Tiranës. “Qytetarët e Tiranës më kanë zgjedhur që unë të jem në krye të Bashkisë së Tiranës për 4 vite të tjera. Nuk e shoh të arsyeshme të largohem nga një post i tillë. Duke më votuar mua si kryeministër do të kem mundësinë që të punoj 5-fish për Tiranën dhe të punoj më shumë për Shqipërinë. Ky shembull është edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra janë ekstraparlamentarë”, - ka deklaruar Rama.

Lista
Tashmë po bëhet gjithnjë e më e qartë. Kryesocialisti Edi Rama ka vendosur të mos jetë në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit. Rama ka shmangur kandidimin për deputetë, pasi nëse do t’i duhej të bënte një gjë të tillë, duhet të jepte më parë dorëheqjen nga Bashkia e Tiranës. Për më tepër ambicia e Ramës shkon edhe më tej, kur ai ka deklaruar se në rast se PS-ja që ai drejton do të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit, ai do të ushtrojë të dyja funksionet njëkohësisht, kryeministrin e Shqipërisë dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Mospjesëmarrja në listën e kandidatëve për deputetë të Ramës u kristalizua edhe pas shpalljes së kritereve për kandidatë të Partisë Socialiste gjatë mbledhjes së djeshme të Asamblesë Kombëtare. Në kriteret e vendosura përjashtoheshin automatikisht nga kandidimi të gjithë kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, pra kryetarët e komunave dhe të bashkive, që janë nga Partia Socialiste. Pra midis tyre edhe kryebashkiaku Rama.

Takimi
Kreu i PS-së, Edi Rama, zhvilloi dje një mëngjes pune me gazetarët e shtypit të shkruar dhe atij televiziv. Në fjalën e mbajtur përpara kamerave, Rama foli për rëndësinë e pjesëmarrjes së emigrantëve në zgjedhje. Ai u bëri apel emigrantëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të votojnë për ndryshimin. “Unë dua që të përfitoj nga rasti, me ndihmën tuaj, për t’i bërë një apel të gjithë shqiptarëve e shqiptareve në emigracion, që sigurisht në rast se do të vijnë, kjo do të jetë më e mira, por do të jetë po ashtu diçka e shkëlqyer për demokracinë dhe për fuqinë e vendimmarrjes të 28 qershorit në rast se secili prej tyre do të kapi telefonin dhe do të bëj qoftë dhe një mesazh të vetëm, për familjen, për të afërmit, për miqtë, për t’i nxitur drejt kutive të votimit”, - ka thënë Rama. Ndërkaq, i pyetur rreth mundësisë së kandidimit të ish-kryeministrit Fatos Nano në listën e PS-së, Rama tha se përgjigjen për këtë pyetje do ta bënte vetëm në momentin e shpalljes së listave të kandidatëve për deputetë.

9 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›