E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ha populli kështu?!



Një ambient i gjithi në të kuq, e mbështjellë në një hapësirë sa një kuti e vogël. Karrige të larta të reja akull, rreshtuar në katër, a pesë kolona, shumë mjete ndriçimi, shoqëruar me një dekor të lehtë të skenës bosh... Kjo është salla më e re që Qendra Kulturore Tirana ka përuruar për integralin e saj më të ri, Teatrin e Metropolit.

Si në ditë të parë, teatri ka shumë shkëlqim, ku dje më shumë është dukur propagandë politike kjo çështja e inaugurimit të një teatri të vogël, që as më shumë e as më pak është një furçe mbi estradën e dikurshme.

I gjithë ky investim, sipas drejtorit Kiço Londo, ka kushtuar vetëm dhjetë milionë lekë me mbështetje të Bashkisë së Tiranës. Në pamje të parë një përgjigje që zor ta pranojë njeri, megjithatë, ai, është justifikuar duke u shprehur se “përveç bashkisë kanë investuar edhe donatorë të ndryshëm. Edhe pse në pamje të parë mund të duket e pabesueshme, kjo sallë nuk është ndërtuar vetëm me para, por ndër të tjera ka pasur edhe shumë dashuri, e cila mbart një vlerë më të madhe se vlerat monetare që shteti ka dhënë për t’i shtuar qendrës kulturore teatrin e metropolit”.

Të paktën në këtë teatër, pavarësisht se është me një pjesë nga paratë e bashkisë, siç duket regjisori Kiço Londo nuk do gjendet përballë përgjegjësisë së përplasjeve së interesave, si drejtor, por dhe si regjisor. Ndërsa kur ishte drejtor në Teatrin Kombëtar, “dorëheqja” e tij nga teatri privat “Çajupi” ishte krejt e arsyeshme se po hynte në një institucion publik, duket se këtu asgjë nuk e ndal që nesër ta shndërrojë teatrin në një “shtëpi” të tij. Edhe “Kopshti i vishnjave” që u dha mbrëmë, pra me regji të vetë drejtorit Kiço Londo, nuk na u njoftua se është përzgjedhur ndër projekte, apo me ndonjë selektim dramaturgjik. Kjo na bën të mendojmë se po përdoret rëndë taksapaguesi për shfaqje dhe ambicie krejtësisht personale. Aq më tepër që duhet kujtuar se bileta kushton 500 lekë, një shumë që bën “revolucion” në teatër. Ndonëse duhet kujtuar se bashkia nuk i vjel paratë nga hëna por nga taksapaguesi, dhe si donacion i këtij teatri, dikur estradë, ka pjesën e saj të llogarisë dhe përgjegjshmërisë.

Prezantimi i teatrit të të rinjve, që na duket krejt papritur, sërish na përplaset si demagogji politike kur Londo i përkul aq shumë kapelen kryetarit – kur vetë na thotë, në paradoks, se është investim i pakët për këtë teatër nga Rama.

Ndaj na duken krejt të pabesueshme qoftë programet kulturore, ku shumica reklamohen dhe kur vjen data e kryerjes së veprimtarive, në mënyrë të çuditshme anulohen.

Nga kjo qendër mësojmë po dje, se ndoshta aktiviteti për 70-vjetorin e lindjes së Vaçe Zelës mund të anulohet. Pra, i qëllon që gjithçka thuhet të përdoret për të fituar, o para, o propagandë - kur janë të dyja, sigurisht që ndodh dështimi.

Drejtori Kiço Londo bën me dije që në këtë skenë pritet të zhvillohet edhe festivali i të rinjve, ku të gjithë pjesëmarrësit do të konkurrojnë me të njëjtën vepër. Janë rreth 50 aktorë të rinj që do të aktivizohen në këtë projekt. Ai deklaron se së shpejti do të ndërtohet edhe një sallë tjetër, ajo e teatrit të komedisë, e cila do të ketë 300 vende. “Jemi në pritje të fondeve dhe mendoj se do të ndërtohet pesë herë më shpejt se kjo që përurohet sot (dje)”, - përfundon Londo. Si puna e Londos kanë mbetur të gjithë në teatër, që kërkojnë të luajnë me kartën e të rinjve, po ashtu dhe me mitet. Ajo që është shmangur gjithmonë është konkurrenca - ngritja e tregut teatror në metropol, që do të na bënte të kuptonim se çfarë po ngjet me artistët, pa fryrë e shfryrë artistë të rinj e të vjetër.

S.F/V.M

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›