E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartonat i shpëtuan ideologjisë



Vetëm kartonat nuk iu nënshtruan ideologjisë diktatoriale. Asokohe, prodhimtaria e kësaj gjinie shënonte një lloj lulëzimi, ndonëse sistemi i qëndronte indiferent për të investuar diçka më tepër. Gjithçka konceptohej si një lodër, vizatime me mesazh të qartë dhe traget të përcaktuar. Për fëmijët, të vegjlit naiv, nuk përbënte rrezik propagandistik. Kështu është justifikuar edhe regjisori Artur Dauti për industrinë e kartonave, të vetmit që nuk kërcënoheshin nga diktatura. I pranishëm në nderim të përvjetorit të regjisorit të njohur të filmit të animuar shqiptar, Boris Ikonomi, ai tregon për aktivitetin e tij para dhe pas viteve ’90, bashkëpunimet që ka pasur me të ndjerin Ikonomi, ku ky u fundit është autori i shumë filmave vizatimorë, që edhe sot e kësaj dite mbartin vlera të larta edukuese kundrejt fëmijëve. “Duke qenë një gjini e krijuar për fëmijë, detyrimisht do t’i drejtohej moshës së vogël, dhe jo të rriturve. Duke menduar se është një gjini shumë specifike që lëviz me kartonin, me kukullat, me vizatimet, atëherë mendohej se kjo gjë është thjesht një lodër, që u takon vetëm fëmijëve. Kështu që kjo gjini është trajtuar përgjatë gjithë kohës si e tillë, pra si një lodër. Shihej si një gjini që nuk kishte interes për të investuar më shumë”, - shprehet regjisori Dauti, duke treguar më tej edhe marrëdhëniet me Boris Ikonomin, arsyet pse prodhimtaria e tij erdhi duke rënë, veçanërisht viteve të fundit apo problemet që shqetësojnë këtë gjini më vete.

Në periudhën e diktaturës, filmat vizatimorë nuk kanë qenë të idealizuar. Pse ka ndodhur ky fenomen?

Filmi i animuar në Shqipëri lindi rastësisht. Dhe kjo rastësi ndoshta ndikoi pozitivisht, por edhe e anasjella. Mendoj se ishte një aspekt pozitiv, për faktin se duke qenë një gjini e krijuar për fëmijë, detyrimisht do t’i drejtohej moshës së vogël, dhe jo të rriturve. Duke menduar se është një gjini shumë specifike që lëviz me kartonin, me kukullat, me vizatimet, atëherë mendohej se kjo gjë është thjesht një lodër, që u takon vetëm fëmijëve. Kështu që kjo gjini është trajtuar përgjatë gjithë kohës si e tillë, pra si një lodër. Ndërkohë që sa i përket anës negative, mund të them se duke e parë në këndvështrimin që sapo diktova më lart, presupozohej si një gjini që nuk kishte interes për të investuar më shumë. Mjafton që ata e lejuan të personifikohej dhe më pas e lanë të ecte vetë dhe investimet kundrejt tyre ishin shumë minimale, si në teknologji, ashtu edhe në specializimin e personave që merreshin me këtë punë. Gjithçka filloi në mënyrë autodidakte. Filloi me dëshirë, pasion dhe po këtë ritëm po vazhdon të ndjekë edhe sot e kësaj dite. Kjo për mua është një fatkeqësi. Ana tjetër pozitive është edhe fakti i mosparaqitjes në mënyrë të shpeshtë apo në mënyrë të drejtpërdrejtë të ideologjisë dhe të motiveve partiake, për shkak të mosinteresimit. Madje, edhe kur trajtoheshin tema të luftës, të ndërtimit të socializmit në përgjithësi nuk kërkohej që të evidentoheshin këto elemente të socializmit. Por me tepër kërkohej që të trajtoheshin figura, subjekte me natyrë gati-gati naive, të natyrës së moralit, të mbarëvajtjes në shkollë, probleme të edukatës qytetare dhe të fëmijëve etj., kështu që ata nuk kanë parë ndonjë interes të madh që të ushtronin këtë lloj ideologjie. Ndërsa në momentin që filmi i animuar filloi t’i drejtohej moshës së rritur, atëherë filluan disa probleme të tjera si në stilistikë, në subjekte e në të gjitha linjat e tij. Për këtë mund të marr një shembull, siç është filmi i animuar me regji të Boris Ikonomit, “Nevoja të ndihmon”. Ky film është bazuar në një përrallë të njohur popullore, por nga pikëpamja figurative regjisori Boris Ikonomi u mundua që të bënte një revolucion. Për këtë ai mori një lloj spuntoje nga arti mesjetar shqiptar dhe për këtë ai pati probleme. Kështu që kur bëhej fjalë që të cenohej sadopak morali i partisë apo nëse do të dilte jashtë saj, në këtë rast filmi vizatimor nuk do të lejohej që të transmetohej dhe të vepronte.

Ju keni punuar me të ndjerin Boris Ikonomi për shumë kohë. Si ishin marrëdhëniet mes jush?

Ka një koincidencë në këtë mes. Të dy kemi qëlluar në shkollën tetëvjeçare, më pas sërish studiuam bashkë edhe në Liceun Artistik e po ashtu, edhe në Akademinë e Arteve, ndërsa vetëm me rreth një vit diferencë jemi emëruar që të dy në studion e animacionit. Sigurisht që bashkëpunimi ynë nisi fillimisht nëpërmjet debateve dhe bisedave për krijimtarinë. Kështu, duke parë që mendimet tona sa i përket krijimtarisë së animacionit puqeshin shumë mirë, vetëm dy vjet më vonë vendosëm që të realizonim një film të përbashkët. Është fjala për një legjendë të personifikuar në një film vizatimor, që titullohej “Zëri i gjakut, zëri i tokës”. Duke menduar se legjenda është një gjini e vështirë e artit dhe e folklorit në përgjithësi, kërkonte edhe një grup të madh pune dhe profesion në të njëjtën kohë. Me guxim, iniciativë dhe pasion ne punuam shumë. Kemi bërë një punë kërkimore mjaft të madhe, pasi siç e thashë, flitej për një legjendë në të cilën ishin trajtuar edhe elementë të rinj dhe nuk ishin ezauruar më parë, si kalorësit, betejat me armë të ftohta, shpata, me topuzë etj. Pra ishin elementë lufte që ne nuk i njihnim dhe për këtë na është dashur një kohë e gjatë për t’u përgatitur me materiale të ndryshme, për të cilën ne u mbështetëm shumë në arkiv, bibliotekë etj. Më pas, erdhi një tjetër problem, ai i unifikimit të stilit të personazheve të dekoreve. Ai ka një të veçantë, sepse dekoret janë xhiruar në natyrë e mbi ta më pas janë vendosur vizatimet. Atëherë prapë na u desh të punonim, që të bënim unifikimin e tyre në natyrë.

Kjo ishte tentativa e parë në Shqipëri, apo jo?

Po, ishte e para tentativë e Borist, fillimisht tek filmi vizatimor “Ilira”, ndërsa filmi i animuar i bazuar në legjenda ishte një nismë pasardhëse e kësaj pune. Është një film që i përket vitit 1986. Edhe sot e kësaj dite po ta shikosh, është një film mjaft i mirë dhe me shumë vlera. Por ka një problem. Në pamje të parë, janë dy grupe personazhesh, femra dhe meshkuj. Atëherë u mendua që për të qenë unikalë në konceptimin figurativ, u ndanë në njëfarë mënyre detyrat tona. Unë do të merresha me një palë figura, ndërsa Borisi palën tjetër. Ndërsa në rastin e animacionit, këto figura do të krijonin lëvizjet e tyre përkatëse. Kështu që unë merresha me personazhet e Borisit, ndërsa ai me të miat. Pra, kjo gjë vinte për të krijuar një lloj unifikimi stilistik të anës figurative. Por, kjo ishte faza e fundit. Ne tentuam sërish, por kohët ndryshuan, struktura e prodhimit të filmit po ashtu ndryshoi, në varësi të sistemeve politike. Unë u mundova të prodhoja më vonë pas shumë vitesh, por kësaj here m’u desh të ecja vetëm, sepse Borisi u shkëput nga Shqipëria. Është fjala për filmin e animuar, legjendën “Nëntë vjet e nëntë ditë”.

Ju keni pasur një marrëdhënie të gjatë pune me regjisorin Ikonomi. Sipas jush, cila ishte arsyeja që viteve të fundit prodhimtaria e tij artistike erdhi duke rënë, u zbeh?

Nuk mendoj se puna e Borisit erdhi duke rënë. Për këtë mund të them se meqenëse në vitin 1992 ai u emërua si drejtor i Albafilmanimation (AFA) deri më 1999-n, dhe meqë ndryshoi edhe struktura e prodhimit të filmave, kostoja e tyre, ai u mor më shumë me anën teknike të filmave, me teknologjinë e re që ekzistonte në botë, duke marrë parasysh edhe mundësinë e promocionit që mund të merrnim në atë periudhë. Ishte një kohë kur kishte një lloj ngërçi. Kishte shumë pak literaturë, teknologji e vjetër, e cila nuk na shërbente më, pasi ishte ezauruar tashmë nga ana jonë, pasi Borisi u zhvendos nga Shqipëri në Kanada, nuk është se u shkëput nga prodhimtaria të animacionit, por e filloi edhe një herë duke përdorur teknika të reja të kësaj gjinie me idenë për të bërë disa filma të tjerë. Por ai nuk mund ta vazhdonte gjithë këtë kërkim, këtë interes, pasi ai u nda nga jeta shumë shpejt.

Problemet që ka ndeshur Borisi në atë kohë, a vijojnë ende sot të jenë ekzistuese, duke ndikuar në këtë gjini të filmit?

Po, janë ende ekzistuese, sepse kam vënë re që ka shumë dëshirë, pasion për të vazhduar përpara dhe mundësi reale që janë ato financiare dhe teknologjike për t’u realizuar. Dua të them që pjesa financiare vazhdon sërish të cilësohet si faza më e vështirë, ndërsa ajo teknike ka filluar të realizohet hap pas hapi me adaptimin e krijuesve të rinj, koncepteve të reja të anës figurative dhe skenarit dhe dramaturgjisë, teknologjisë së re apo edhe kolonës zanore. Megjithatë, kjo nuk është një ecje, sepse prodhimtaria e filmave të animuar është prapë shumë e kufizuar.

Ju thatë që numri i prodhuar i filmave vizatimorë në Shqipëri vazhdon të mbetet i ulët. Pse mendoni se vjen kjo gjendje?

Është ajo që e vuajtëm edhe ne në fillimet tona. Nuk kemi një shkollë të mirëfilltë për këtë gjini filmi. Veç kësaj, mendoj se ka një mungesë të theksuar në promovimin e filmit të animuar, në njohjen e kësaj prodhimtarie. Kjo presupozon një mungesë njohurie, mbështetje, as vlerësim. Për këtë duhet që krijues të filmave të animuar të mblidhen së bashku për të diskutuar me televizionet private. Mendoj se ky bashkëveprim do të ndikojë shumë mirë në këto prodhime, në mënyrë që të ecë së bashku me të gjitha zhanret e tjera të filmit. Por nuk mendoj se niveli i filmit të animuar është poshtë krijimeve të artit në Shqipëri qoftë piktura, qoftë dokumentarët, muzika etj., sepse janë po të njëjtit njerëz, por mënyra e reklamimit dhe e promovimit të punëve është e ndryshme.

Ju keni arritur të prodhoni filma në të dy “epokat”, para 90-s, ashtu edhe pas këtyre viteve. A keni nostalgji për vitet e diktaturës?

Po, e vetmja nostalgji që kam për ato vite, është fakti që unë prodhoja filma për çdo vit. Unë isha shumë aktiv në këtë punë dhe promovimi i tyre varej nga mundësitë e asaj kohe.

Sa i kushtueshëm është një film i animuar?

Ka dy lloje filmash. Është ai komercial, ku bën pjesë filmi serial. Ka një lloj kostoje të lartë në të cilën bashkohen shumë persona për ta prodhuar, si dhe filmi autor që ka të bëjë me një vepër arti. Ky i fundit është shumë i kushtueshëm sepse në këtë film autor janë shprehur të gjitha ndjenjat dhe emocionet e një autori. Kostoja e tyre është relative në varësi të filmave të prodhuar. P.sh. në Shqipëri është 2500 deri në 3000 euro për minutë, gjë që ka vlerën më të ulët të mundshme, në krahasim me jashtë kufijve tanë, që një minutë mund të kushtojë rreth dhjetë mijë euro.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›