TKOB; Orator i inskenuar
Zanafilla e jetës i ka rrënjët fillimisht në disa elemente natyrale, të cilat çuan në krijimin e kafshëve, njeriun e imazhin e Zotit, për të përfunduar në parajsë. Ky është përshkrimi dhe rrugëtimi që bën kompozitori i njohur, Joseph Hayden, përmes veprës “Die Schopfung”, - Krijimi. Është premiera që do të vihet së shpejti në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit nën dirigjimin e Zhani Cikos, koreografi, skenat dhe kostumografi të Tony Candelororo. Kjo shfaqje me muzikë të kompozitorit Hayden vjen nën interpretimin e solistëve lirikë Eriona Gjyzeli, Dorina Selimaj, Emiljana Palushaj, Taehyun Jun, Cosimo Panozzo, trupës së baletit, korit nën drejtimin e Dritan Lumshit dhe orkestrës simfonike. Ideja për të kompozuar veprën “Krijimi”, piqet tek Hayden-i mes viteve 1791 dhe 1795, gjatë njërit prej udhëtimeve të tij në Londër. Në Londër, Hayden-i pati mundësi të njihte oratorët e Hendelit dhe kishte mbetur shumë i impresionuar prej tyre. Oratori i Hendelit prej asaj kohe do të përbëjë stimulin dhe modelin ideal të oratorëve që do të kompozojë më vonë Hayden-i.
Teksti i “Krijimit” është marrë nga poema e Lindley-t, bazuar në pjesën më të madhe në poezinë “Paradiso perduto” (Parajsa e humbur) të John Milton-it, material të cilin në fakt Hendeli kishte dashur ta kompozonte. Përmbajtja e “Krijimit” ndahet në tri pjesë: e para tregon krijimin e elementeve natyrale, pas preludit instrumental që përshkruan kaosin e fillimit; në pjesën e dytë ilustrohet krijimi i kafshëve, deri tek qenia më e lartë, njeriu, imazhi i drejtpërdrejtë i Zotit; pjesa e tretë konsiston në një soditje idilike të parajsës tokësore të banuar nga Adami dhe Eva akoma të paprekur nga mëkati. Muzikalisht, përmes ndërthurjes së recitativëve, arieve, pjesëve të përbashkëta, koraleve, ilustrohet gjithë procesi i krijimit të botës, që prej ndarjes së dritës me errësirën deri tek Adami dhe Eva në parajsën tokësore. Në një krahasim mes “Krijimit” të Hayden-it dhe një oratori hendelian (për shembull Messiah) vihet re diferenca mes një koncepti barok të artit dhe një koncepti klasik të ushqyer nga fara iluministe. Kontrastet e mëdha të ngjyrave dhe tingullit, të cilat nga Hendeli u realizuan me efekte masivë, tek Hajdeni u zëvendësuan nga një logjikë e kujdesshme elementesh shprehës. Shfaqja do të vijë në TKOB në datat 25, 26, 27 prill.
Historiku
“Krijimi” u prezantua për herë të parë në Vjenë (në Pallatin Schwarzenberg) në prill dhe maj të vitit 1798 për një publik të zgjedhur. Për publikun u vu në skenë për herë të parë në mars të vitit 1799 në Burgtheater të Vjenës. Premiera pati një sukses të madh dhe u rivu në skenë në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë jetës së Hajdenit. Më pas “Oratori” u përkthye në anglisht dhe u vu në skenën e Convent Garden të Londrës në vitin 1800 dhe pas kësaj, kompozitorët u autorizuan ta përkthenin në të gjitha gjuhët evropiane. Një ripërpunim i ri për tre zëra solistësh, kor e orkestër tunxhesh (me instrumente tunxhi) u vu në skenë për herë të parë në 19 korrik 2006 në përfundim të Festivalit Thurn und Taxi të Ratisbonës ku mori pjesë kori i zërave të bardhë Regensburger Domspatzen si dhe Swiss Army Brass Band.