Vrasja, konflikti i pronësisë merr dy jetë në Durrës
Konfliktet e pronësisë shkaktojnë sërish viktima. Dy persona kanë mbetur të vdekur dhe një i plagosur rëndë si pasojë e një konflikti mes dy familjeve për çështje pronash. Ngjarja e rëndë që ka tronditur qytetin bregdetar të Durrësit në orët e pasdites së djeshme, ndodhi në Shkozet. Një person ka qëlluar mbi dy vëllezër, duke lënë të vdekur njërin prej tyre dhe një kalimtar të rastit. I plagosur ka mbetur edhe objektivi i dytë i atentatit. Burime zyrtare nga policia e Durrësit bëjnë të ditur se si pasojë e përplasjes me armë, ka mbetur i vrarë Shaban Karabrahimi, 49 vjeç dhe Sadik Lazi, 27 vjeç, i cili ndodhej rastësisht në vendngjarje. Ndërkohë që i plagosur ka mbetur Ilir Karabrahimi. Autori i ngjarjes është shtetasi Kujtim Hasani, i cili është prangosur nga forcat e policisë. Vrasjet kanë ndodhur pranë mbikalimit të Shkozetit. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti pronësie.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasdite, rreth orës 19:00 në mbikalimin e Shkozetit. Dy familjet Karabrahimi dhe Hasani prej kohësh kishin probleme pronësie me njëri-tjetrin, të cilat shpesh janë shoqëruar me debate. Por debatet dhe zënkat do ia linin vendin armëve dje, nga ku për pasojë mbeti i vdekur njëri nga vëllezërit, 49-vjeçari Shaban Karabrahimi, ndërkohë që për fatin e tij të keq mbeti i vrarë edhe një kalimtar i rastit, 27-vjeçari Sadik Lazi. I plagosur rëndë mbeti edhe Ilir Karabrahimi, i cili është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Durrësit, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sapo ka marrë njoftimin për ngjarjen, policia është nisur menjëherë në vendngjarje dhe ka mundur që në kohë mjaft të shkurtër të vërë në pranga autorin e dyshuar, shtetasin Kujtim Hasani, i akuzuar për veprën penale “vrasje me paramendim”.
Viktimat
Shaban Karabrahimi, 49 vjeç
Sadik Lazi, 27 vjeç
I plagosur
Ilir Karabrahimi
Arrestohet
Kujtim Hasani