E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Është im bir”, vret vëllanë e gruas

Vret vëllain e gruas se i kërkonte djalin, me pretendimin se kur kishin lindur gratë e tyre kishin ndërruar fëmijët në maternitet. 

BULQIZE/ ENVER DOÇI

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në një fshat të largët të Bulqizës, në qarkun e Dibrës. Shefki Lila nuk ka duruar më tej akuzat dhe kërcënimet e kunatit të tij, Vladimir Lica, edhe ky banor i fshatit Çerencec. Zënka e ka zanafillën të martën në orët e mbrëmjes kur Vladimir Lica ka vazhduar avazin e mëparshëm. Siç kishte vepruar prej vitesh i del përpara djalit 10-vjeçar të motrës dhe i thotë “Ti je djali im prandaj duhet të vish me mua”. Djali edhe herë të tjera i kishte pritur me shqetësim fjalët e dajës, por ketë herë ai dalloi edhe agresivitetin e tij, teksa ai vraponte për ta marrë me vete. Djali i Shefki Lilës ka ikur me vrap, pasi prej katër vitesh ai nuk kishte shkelur në derën e dajave vetëm për shkak të këtyre akuzave që ai kishte ngritur publikisht për të. Ashtu me lot në sy dhe në errësirën e natës djali ka mbërritur në shtëpinë e tij dhe ka treguar gjithçka i kishte ndodhur. Babai i tij, Shefkiu është shqetësuar seriozisht kur ka parë djalin e mbuluar nga lotët, djersët dhe frika. Ka dalë me shpejtësi nga shtëpia dhe është nisur në drejtim të vendit, ku djali i kishte treguar se ishte përballur me Vladimir Licën. Aty në mes të fshatit dy kunetërit janë përleshur me njëri-tjetrin. Kanë vënë në përdorim gjithçka kanë mundur. Sipas policisë, Vladimiri kishte konsumuar shumë alkool dhe ishte më i lodhur dhe nuk e përballonte agresivitetin e burrit të motrës. Shefki Lila, sipas oficerëve të Policisë Gjyqësore që merren me hetimin e çështjes, e ka goditur Vladimirin me një gur të madh prapa koke, duke e lënë pa ndjenja përtokë. Ka ikur nga vendi i ngjarjes, por pak minuta pas saj viktima është dërguar në spitalin e qytetin në gjendje kritike për jetën. Mëngjesin e djeshëm, megjithë përkujdesjen e mjekëve Vladimir Lica ka ndërruar jetë, në moshën 50-vjeçare. Ndërkohë policia sapo është informuar nga banorët e fshatit për ngjarjen e rëndë ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Ajo ka vënë fillimisht në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes dhe ka marrë masa për sigurimin e dy familjeve të përfshira në konflikt, pasi ato ndodheshin në të njëjtin fshat dhe afër njëra-tjetrës. Vladimiri prej kohësh kishte shfaqur probleme mendore dhe askush nuk mund ta besonte akuzën e tij. Ai ishte problematik edhe për njerëzit e tjerë të afërm dhe fshatin. Kohë më parë, po sipas policisë, Lica kishte plagosur me armë zjarri gruan e xhaxhait të tij.

Bllokohen certifikatat e lindjes së fëmijëve

Prej vitesh Vladimir Lica ka ngritur pretendimin se djali që kishte rritur motra e tij nuk i përkiste asaj. Ai e kishte shprehur këtë gjë tre vjet më parë. Kishte deklaruar se gruaja e tij dhe motra kishin ndërruar fëmijët gjatë kohës që ato ishin shtruar në maternitet për lindje. “Djali që ka rritur motra dhe dhëndri im nuk u përket atyre, - ishte shprehur Vladimir Lica me njerëzit e tij të afërm. - Unë nuk do ta lë djalin në atë shtëpi”. Pikërisht ky deklarim i Vladimirit kishte sjellë sherr e mosmarrëveshje mes tij dhe motrës. Ata prej vitesh nuk hynin mes tyre, pasi akuza konsiderohej e rëndë dhe e papërtypshme. Policia lokale sqaroi se ka ballafaquar certifikatat e dy fëmijëve, vajzës së Vladimir Licës dhe djalit të Shefki Lilës dhe diferenca e lindjes është më shumë se dy javë. “Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë histori”, thanë zyrtarë të policisë së Bulqizës. Ndërkohë pjesëtarë të grupit hetimor kanë pohuar dje për gazetën “Panorama” se, nëna e djalit 10-vjeçar është shprehur se, “asgjë nuk është e vërtetë. Djali im ka lindur para vajzës së vëllait dhe unë e gruaja e tij nuk kemi ndërruar fëmijët”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›