E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama prezanton kandidatët në Fier: “Në këtë qark do të fitojmë 10 deputetë”

Kreu i PS-së prezanton edhe kandidaturën e djalit të deputetit të vrarë, Fatmir Xhindi. Anduel Xhindi, kandidati më i ri në moshë në listën e Partisë Socialiste

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje në mbrëmje një takim elektoral në qytetin e Fierit, ku ka prezantuar kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në këtë qark. Edi Rama është ndalur për disa çaste dhe te fakti se do donte që në këtë prezantim të ishte dhe deputeti i ndjerë Fatmir Xhindi, teksa ka prezantuar dhe të birin, Anduelin, si deputetin më të ri në moshë për qarkun e Fierit. Kryesocialisti, së bashku më ekipin e kandidatëve të Fierit, u ka kërkuar votën banorëve të këtij qyteti, pasi sipas tyre, vota për PS-në do ta bëjë Shqipërinë moderne, europiane dhe do t’i japë një hov zhvillimit ekonomik e social të panjohur deri sot. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rama ka shprehur bindjen se Partia Socialiste do të fitojë 10 mandate deputetësh në qarkun e Fierit në zgjedhjet e 28 qershorit.

Ndryshimi
Rama tha se Shqipëria ka një nevojë të madhe dhe historike për të ndryshuar. Ai deklaroi se për këtë arsye synon që të bëhet kryeministër i vendit, në mënyrë që të përfundojë politika e vjetër dhe të nisë një politikë e re, në funksion të qytetarëve. “Sot shqiptarët meritojnë më shumë sesa të njëjtën luftë të vjetër gjelash që kacafyten me njëri-tjetrin. Sot shqiptarët meritojnë më shumë sesa një politikan që fiton mbi një tjetër politikan në garën e ulët të denigrimit të njëri-tjetrit. Sot shqiptarët meritojnë më shumë sesa thjesht një tjetër ndryshim qeverisë nga një krah në krahun tjetër. Pas 28 ditësh unë dua ta sjell qeverinë e Shqipërisë tek ju, dua ta çoj në çdo qytet e në çdo fshat, dua ta bëj një instrument ndryshimi në duart tuaja. Të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që e duan Shqipërinë, qytetin dhe fshatin e tyre të ndryshojë siç ka ndryshuar Tirana në këto vite suksesi. U them se jam këtu për të bërë bashkë me ju të mundura gjëra që duken të pamundura, për të shëruar bashkë me ju plagë që duken të pashërueshme, për të mbërritur bashkë me ju në stacione që duken të paarritshme, për ta bërë së bashku Shqipërinë si gjithë Europa, në çerdhet, kopshtet, shkollat e fëmijëve tanë. Një qeveri që të jetë në duart tuaja dhe jo një qeveri që të jetë në duart e atyre që prej 18 vjetësh janë mësuar të luajnë duke trazuar në vazhdimësi ujërat e politikës për të përfituar nga turbullirat”, - u shpreh Rama.

Vota
Kreu i PS-së u bëri thirrje qytetarëve fierakë që të mos e shpërdorojnë votën e tyre më 28 qershor duke votuar për kandidatë që kërkojnë vota individuale. Ai tha se duke votuar për Partinë Socialiste, votohet që PS-ja të fitojë 10 deputetë në qarkun e Fierit. “Mos e çoni votën tuaj dëm, mos e çoni votën tuaj kot, mos e hidhni fuqinë e investimit që keni në dorë dhe që demokracia ua jep qytetarëve në një drejtim të njohur, në atë drejtim ku prej 18 vjetësh kjo fuqi kthehet vetëm në një mundësi përfitimi për politikanët. Mos i dëgjoni dhe mos shkoni pas kandidatëve që vijnë vërdallë në qytetet e fshatra rreth qytetit duke kërkuar vota individuale. Nuk keni asnjë arsye ta harxhoni votën tuaj për një individ këtu e për një individ atje, në mënyrë që nesër të shikoni pastaj të njëjtën shfaqje të shëmtuar deputetësh që trafikohen sa majtas, sa djathtas, si 18 vjet me radhë. Sot zgjedhja është e qartë, me një votë të paktën 10 deputetë me Partinë Socialiste”, - përfundoi kryesocialisti Rama.

Veliaj: “Shkodra, bastion vetëm i të rinjve”

G99-a prezantoi në qytetin e Shkodrës kandidatët e saj në një takim të organizuar në kuadër të turit “Rok dhe politikë”, tur në të cilin merr pjesë prej javësh tashmë edhe këngëtari i njohur Alban Skënderaj. Duke iu referuar nominimit tradicional që i është bërë qytetit të Shkodrës, si bastion i së djathtës, drejtuesi i G99-s, Erion Veliaj, u shpreh se tashmë nuk ka më bastione e nuk mund të ketë bastione politike në Shqipëri. “Para se të vija në Shkodër më thanë të mos e bëja sepse ky qytet është bastion i së djathtës, por kjo nuk është e vërtetë, sepse Shkodra mund të jetë bastion vetëm i të rinjve”.

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›