Kasëm Trebeshina: Ndonjëherë fjala kërkon edhe ngjyrën

Përtej shkrimtarit të madh fshihet një njeri i pasionuar pas pikturave, ose më saktë vizatimeve, ku portretizohen njerëzit më të dashur, tek-tuk edhe ndonjë rrugë nga vendlindja
-Siç e vëmë re, në studion tuaj ju, përveç dhjetëra veprave të dëgjuara në letërsi, jeni edhe autor i disa vizatimeve mjaft shprehëse. Si lindën këto vizatime?
“Ndonjëherë fjala më duket se nuk zotëron forcën e duhur për të pasqyruar ndjenjat e njeriut. Dhe atëherë jemi të detyruar edhe ne si shkrimtarë, që t’i drejtohemi ngjyrës apo tingullit. Merrni dhe lexoni vjershën e famshme të Martin Camajt, “Dreni plak”, dhe do të vini re se autori në të, sikur këndon apo sikur pikturon me ca dantella malli dhe dhimbjeje...
“Barinjtë tradhtisht e lanë shkretë bjeshkën,
Për ngrohtësinë e verijve,
Dirgjen shtigjeve tue fole me të lartë,
Punë grash e qeshin,
Me ujin e prrojit zhgrehshme tue u derdhë,
Prej pusi në pus …”.
Duke lexuar vjershat e tij, kisha menduar vagëllimthi se ai poet edhe dinte të vizatonte, të skiconte portrete, peizazhe dhe akuarele”.
-Po në burg, a keni mundur të shkruani dhe të vizatoni?
“Shpeshherë në burg kam filluar një vjershë apo një motiv tregimi apo romani. Po vetvetiu më lindi dëshira për të vizatuar. Sidomos portretin e një njeriu të dashur apo të një rruge të vendlindjes. Kasëm Trebeshina mund të heshtë, mund të heshtë makina e vjetër “Oliveti” që është këtu, mund të heshtë kjo skrivani prej kartoni që e vë mbi gjunjë për të shkruar, mund të heshtë edhe kjo strajca e vogël që vë në gisht, me të cilin shtyp më shumë në makinë. Por nuk mund të heshtë kurrsesi mendimi, që gjithmonë është i lirë, tek një njeri i lirë dhe ai mund të bulëzojë me anë të fjalës, por edhe me anë të ngjyrës dhe të tingullit ,varet se ku kemi pastaj forcë më të madhe perceptimi”.
-Pra, siç e shikojmë, Kasëm Trebeshina është edhe piktor, përtej asaj poemës gati romantike të botuar në vitin 1961 për vendlindjen, përveç “Fshatit në shtatë kodrina”, përveç novelave dhe dramave me dhjetëra e deri tek “Udha e Golgotës”, të mbledhura te “Kënga shqiptare”. Kasem Trebeshina është autor edhe i një varg vizatimesh. Si janë krijuar ato?
“Janë punime gati fluturake, në formate të barabarta kartoni të bardhë, gati kartolinë. Vizatimet e mia më shumë janë relikte familjare, siç thuhet, lule të futura në faqet e një libri të jetës. Janë tre-katër autoportrete në kohë të ndryshme, është portreti i bashkëshortes sime, i djalit, i vajzës dhe më tej, një rrugë e vendlindjes. Vetëm bari ka një gamë të tërë të gjelbrash, ndryshe është në agim, ndryshe në mesditë dhe ndryshe në mbrëmje. Ndryshe në pranverë dhe ndryshe në vjeshtë. Shpikja më e madhe e shqiptarëve në art ndoshta është polifonia. I takon ndoshta popullit më shumë se kujtdo, që të marrë çmimin “Nobel”. Populli ynë në veshjet e tij është një stilist dhe piktor i papërsëritshëm. Sa me gjallëri jepen ngjyrat, aq edhe me optimizëm. Ndoshta ai këngëtari popullor që këndoi “Trëndafili fletë-fletë” edhe këndoi, edhe i thuri ato vargje delikate”.
-Domethënë lapsin e keni përdorur jo vetëm për të shkruar, por edhe për të vizatuar?
“Po, lapsin e kam marrë jo vetëm për të shkruar, por edhe për të vizatuar. Siç e dini, gjyshi im, Kasëm Trebeshina, të cilit i kam marrë emrin, ishte një këngëtar i dëgjuar i zonës së Dishnicës në Përmet… Ai e donte edhe tingullin, edhe ngjyrën. Një artist që kërkon fjalën, shpeshherë për të plotësuar personazhin, kërkon vetvetiu edhe ngjyrën, edhe tingullin.
-A do të dëshironit që t’i ilustroni vetë librat tuaj?
“Po të kisha kohë, pse jo. Ilustrimi i librave për mendimin tim është i një rëndësie të veçantë, aq më tepër kur autori ka dhuntinë për të pikturuar vetë. Në rastet kur autori nuk mund të marrë pjesë në këtë sipërmarrje artistike, atëherë mendoi se duhen zgjedhur piktorët më të mirë, që përveç pikturës e njohin mirë edhe letërsinë, për ta zbërthyer çdo personazh me botën e tyre të brendshme edhe nëpërmjet pikturës”.
-Si do të dëshironit që ta mbyllnit këtë intervistë?
“Pse të mos e mbyllim këtë intervistë me tre vargjet e fundit të vjershës së Martin Camajt, “Drini plak”?!
“Kur e vranmë, barinjtë i hapën qepallat,
e i panë ndër bebëza,
shumë drej tue pi curila uji”.
Do të desha të dija sesi Martin Camaj i madh do ta kishte ilustruar vetë këtë vjershë”.