Kashar, si u falsifikua prona e Gani Kamberit
Rreth 15 120 metra katrorë tokë u tjetërsuan në emër të një gruaje të panjohur në zonë
TIRANË- Megjithëse ishte ndër banorët më të vjetër të fshatit Kashar, Gani Kamberi zyrtarisht rezulton pa një pëllëmbë tokë. Banesa e tij figuron e regjistruar si ndërtim i paligjshëm, edhe pse themelet e saj janë ndërtuar mbi shtëpinë e vjetër të familjes Kamberi. E gjithë prona e kësaj familjeje, 15 120 metra katrorë figuron e regjistruar në emrin e Ç. Gjonajt. Në bazë të dokumenteve të firmosur nga përfaqësuesit e komunës së Kasharit kjo sipërfaqe toke, në vitin 2005 i ka kaluar në pronësi znj. Gjonaj, të cilës askush prej vendasve nuk e njehsi banore të kësaj zone. Firma që ka lëshuar kryetari i komunës së Kasharit, Faik Fejzo, tashmë i arrestuar, ka bërë që Gjonaj të regjistrojë tokën e fituar në Zyrën e Regjitrimit të Pasurisë. Vetëm në verën e vitit 2006, në Kashar është folur hapur për abuzimet që kryenin krerët e komunës duke regjistruar si pronarë, persona të tjerë dhe më pas kryheshin aktet e shitjes. Fill në këtë kohë, i ndjeri Gani Kamberi ka denoncuar në polici abuzimetme pronën e tij. Për këtë arsye, ndërmjet tij dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor në Kashar ka patur edhe konflikte, ndërkohë që edhe banorë të tjerë të zonës fillojnë të ngrenë akuza për “vjedhjen” e pronave të tyre. Falë hetimeve disamujorë dhe denoncimeve të shumta nga banorë të Kasharit, në nëntor të vitit të kaluaru arrestuan tetë persona për abuzimet me qindra hektarë tokë në këtë zonë. Sipas prokurorisë, të pandehurit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës dhe kanë pajisur me vërtetim pronësie persona të ndryshëm, jo banorë të Komunës Kashar, kundrejt përfitimeve të paligjshme. L.Çela