E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku, arrestohet oficeri i Rinasit

 

****Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm çon në pranga një kontrollor në Rinas, duke e akuzuar për favorizim trafiku

Elton Hazizi akuzohet se lejoi një klandestin me pasaportë false të udhëtonte drejt Francës për 3500 euro

Klodiana Kotorri

TIRANË- Arrestohet kontrollori i aeroportit të Rinasit, pasi akuzohet se favorizoi një person të udhëtonte me pasaportë false. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka çuar në qeli dy ditë më parë Elton Hazizin, me detyrë kontrollor në aeroportin e Rinasit. Burime zyrtare nga policia thanë se arrestimi i Hazizit u krye pasi akuzohet se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Kontrollori dyshohet ka favorizuar një person të udhëtojë me pasaportë false, gjë të cilën e ka kryer kundrejt shumës së parave prej 3500 euro. Personi është diktuar në avion, pas verifikimit të dokumenteve, se posedonte pasaportë false dhe menjëherë ndaj tij është marrë masa e arrestit. Ndërkohë, është lajmëruar menjëherë SHKB-ja, e cila ka nisur hetimet për të identifikuar kontrollorin e korruptuar. Vetëm pak orë më vonë, specialistët e SHKB-së zbuluan se i arrestuari ishte ndihmuar nga kontrollori Elton Hazizi, ndaj të cilit u mor masa e arrestit.

Akuza

Në orët e para të ditës së mërkurë, Elton Hazizi ndodhej në shërbim si kontrollor në aeroportin e Rinasit. Gjatë shërbimit dyshohet se ai ka ndihmuar një person t’i kalojë kontrollit, megjithëse kishte pasaportë false. Burime nga policia thanë se dyshohet që Hazizi të ketë biseduar me parë me trafikantin, me të cilin kanë rënë dakord për shumën e parave që do të bindte kontrollorin të kalonte me dokumente false një person. Ky i fundit ishte udhëzuar nga trafikanti të shkonte në kabinën ku qëndronte pikërisht kontrollori Elton Hazizi me të cilin kishte bërë dhe pazarin prej 3500 euro.Sipas policisë, gjithçka ishte bërë me plan nga trafikanti dhe kontrollori. Pasi kanë mbaruar të gjitha procedurat në aeroport, udhëtari ka hipur në avion ku dhe i është nënshtruar sërish kontrollit. Ai ishte nisur tranzit nga Beogradi për në Francë. Verifikimet e personelit zbuluan dhe pasaportën false të pasagjerit, i cili u ndalua menjëherë.

Arrestimi

Dyshimet se i arrestuari ishte ndihmuar nga kontrollorët vunë në lëvizje Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, të cilët nisën menjëherë hetimet. SHKB-ja verifikoi personat që kanë qenë në krye të detyrës në momentin që ka kaluar i arrestuari, duke zbuluar dhe kontrollorin që e ndihmoi atë. Burime zyrtare nga policia thanë se menjëherë kryen arrestimin e Elton Hazizit, i cili ka deklaruar para kolegëve të tij se nuk ka shpërdoruar detyrën. “SHKB-ja ka prova të mjaftueshme për të çuar në qeli kontrollorin Elton Hazizi, ndërsa kanë nisur hetimet pasi dyshohet që ai te ketë favorizuar edhe persona të tjerë më parë për të kaluar kufirin kundrejt një shume parash”,- thanë burimet nga policia. Ndërkohë që është identifikuar trafikanti i cili korruptoi kontrollorin dhe është shpallur në kërkim. Burime nga policia thanë se trafikanti mësoi për arrestimin e Hazizit dhe u largua menjëherë, duke iu shpëtuar prangave të policisë. Emri i tij i është shtuar listës së personave të shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›