Sarandë, rëndohet situata e plehrave
SARANDË- Pas mos arritjes së mirëkuptimit mes Bashkisë dhe firmës së pastrimit të qytetit, situata e rënduar e pushtimit të mjediseve nga plehrat vazhdon. Edhe sot firma e pastrimit të plehrave, nën pretekstin e mos likujdimit të pagesave nga ana e bashkisë, ka bojkotuar pastrimin, duke sjellë një gjendje të vështirë mjedisore e shëndetësore. Nënkryetari i Bashkisë, Robert Maci ka thënë për Shekullin se: "Gjendjen e vështirëson qëllimisht firma e pastrimit "Vogli" për t’i bërë presion bashkisë që kjo e fundit të ripërtërijë kontratën që i përfundon në qershor. Mbi bazën e kontratës së lidhur mes paleve marrëdhëniet e pagesave parashikohen të jenë bërë brenda dy muajsh. Bashkia e ka respektuar një gjë të tillë. Duhen edhe dy ditë për të skaduar afati i fiksuar në kontratë, ndaj firma ndërpret punën në mënyrë të njëanshme. Kjo nuk do sqarime të tjera. Gjithë përgjegjësia bie mbi firmën". Saranda, qyteti turistik ka prej 3 ditësh që vuan nga plehrat, pasi firma e pastrimit nuk pranon të kryejë këtë shërbim. Sipas firmës ‘Vogli’, Bashkia nuk e ka likujduar me pagesat, për këtë arsye ajo ka bojkotuar pastrimin që rrezikon seriozisht turizmin. Luan Sejdini