Tokat në Kashar, 20 mln euro vjedhje
****Task-Forca dorëzon në gjykatë ish-kryetarët e komunës së Kasharit dhe bashkëpunëtorët e tyre për skandalin e pronave
Prokuroria-Gjykatës: Dhjetë të pandehurit abuzuan me 178 mijë metra katror truall në Kashar
Flamur Vezaj
TIRANË- Skandali i abuzimit me tokat është “shtrirë” në 178 mijë metra katrorë në zonën e Kasharit. Në këtë përfundim ka arritur Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës, e cila ka mbyllur hetimet për kryekomunarët e arrestuar dhe i ka dorëzuar dosjen gjykatës. Sipas kërkesës për gjykim, që tashmë është depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, prokuroria ka dërguar në bankën e të pandehurve 10 shtetas, punonjës të komunës së Kasharit dhe të afërm të këtyre zyrtarëve, të cilët kanë përfituar rreth 18 hektarë tokë në mënyrë abuzive. Këto prona u janë grabitur fshatarëve të kësaj komune, duke i shitur në disa duar e mbi të cilat janë ngritur dhjetëra biznese, ndërtime të larta dhe shtëpi private. “Nga hetimet gjashtë mujore ka rezultuar se 10 të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme por në mënyrë të njëjtë kanë tjetërsuar e përvetësuar rreth 178 mijë metra katror truall, të “grabitura” këto në 34 raste të ndryshme. Këto prona, në bazë të ligjit 7051 për kthimin dhe kompensimin e tyre i takonin fshatarëve të Kasharit”,-thuhet në kërkesën që prokuroria ka dorëzuar në gjykatë.
***
Nga vitit 2000 e deri më sot, drejtuesit e kësaj komune, në mënyrë abuzive, duke falsifikuar dokumente, hartën topografike dhe shumë dokumente të tjera ia kaluan këto prona të njohurve të tyre, të cilët më pas i shisnin. Pas shitjes, përvetësuesit me letra, të ardhurat materiale të shitjes i ndanin së bashku me të tjerët, duke fituar kështu shuma të majme parash, që mendohet se kapin shifrën e 20 milionë eurove”,-thuhet në kërkesën për gjykim. Ndaj 10 të pandehurve të kësaj dosjeje janë ngritur një sërë veprash penale, si “falsifikim të dokumenteve” nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre në 34 raste; “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsioni pasiv i funksionarit të lartë shtetëror ose të zgjedhurit vendor”; “mashtrimit me pasoja të rënda”, të gjitha këto në bashkëpunim dhe kryerjen e veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” në katër raste. Sipas kërkesës për gjykim, Alfred Sula, në cilësinë ekryetarit të komunës së Kasharit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka falsifikuar dokumentet zyrtare për përvetësimin pronave të ndryshme në 13 raste dhe mban mbi supe më shumë akuza se bashkëpunëtorët e tij. Sipas kërkesës për gjykim, 177.592 metra katror truall janë përfituar në mënyrë abuzive nga 15 persona, në sipërfaqe të ndryshme.
***
“Nga hetimet 6- mujore, ku janë marrë në pyetje më shumë se 50 persona, janë kryer shumë sekuestrime dhe verifikime dokumentesh. Personi që ka përfituar më shumë nga këto “grabitje” pronash është i pandehuri Xhevahir Hyka, daja i kryetarit të komunës së Kasharit, Alfred Sula i zgjedhur në zgjedhjet e fundit vendore të 18 shkurt të 2007 në këtë komunë. Më pas, lista e përfituesit ndiqet nga i afërmi tjetër i kryetarit të komunës, Ismail Sula, me katër raste, duke u ndjekur më pas me të pandehurin Ruhi Valisi i cili ka përfituar prona me anë të falsifikimit në tre raste, duke vazhduar me përfituesin në 2 raste nga i pandehuri Ismet Bakalli”,-thuhet nga burimet zyrtare të prokurorisë. Gjithashtu në kërkesën për gjykim të përpiluar nga prokurori Armand Gurakuqi është evidentuar si përfitues në mënyrë të padrejtë, me dokumente të falsifikuara edhe babai i kryetarit të komunës së Kasharit, shtetasi Jakup Sula. Sipas këtyre burimeve, dosja voluminoze është depozituar në kryesekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe pritet të hidhet në shortin elektronik për t’u caktuar treshja gjykuese që do të shqyrtojë skandalin e pronave në komunën e Kasharit, ku është abuzuar me 18 hektarë tokë. Sipas burimeve nga akuza, priten që para gjykatës të thirren për të dëshmuar nga organi i akuzës rreth 50 dëshmitarë, mes të cilëve edhe pjesëtarë të familjes së Gani Kamerit, i gjetur i vrarë në tetorin e viti të kaluar.
Prokuroria akuzon 4 të pandehurit e Kasharit për pastrim parash. Përfitimet e tokave të shitura i investuan në biznese
Skandali i tokave, skema
e pastrimit të milionave
Flamur Vezaj
TIRANË- Sekuestrimi i pasurive të përfituara nga tokat në Kashar duket një mision i vështirë për zyrën e Task-Forcës. Hetimet 6-mujore kanë zbuluar se paratë e tokave të banorëve të zonës janë investuar në biznese apo pasuri të paluajtshme nga të pandehurit, një pjesë e të cilëve akuzohen edhe për pastrim parash. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë seksionit të Task-Forcës, të cilët bëjnë me dije akuzën e re të “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Sipas kërkesës për gjykim, të pandehurit: Xhevahir Hyka, daja i kryetarit të fundit të kësaj komune, Ruhi Vasili, Ismail Sula dhe Ismail Bakalli, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në mënyra të ndryshme kanë kryer veprën penale të pastrimit të parave, të përfituara në mënyrë abuzive, duke tjetërsuar pronat e fshatarëve. “Nga hetimet 6- mujore ka rezultuar se katër nga 10 të pandehurit e kësaj dosjeje, përveç përfitimit të pronave në mënyrë të padrejtë i kanë shitur ato dhe me paratë e fituara kanë investuar në biznese ose kanë blerë sërish prona të tjera”,-thuhet në kërkesën për gjykim, të përpiluar nga prokurori Armand Gurakuqi.
***
Po sipas këtyre hetimeve, rezulton se katër të pandehurit kanë përfituar në mënyrë abuzive me firmën e kryetarëve të komunës së Kasharit rreth 10 mijë metra katrorë tokë, të cilën e kanë shitur më pas duke blerë dhe investuar në biznese të tjera. “Gjatë hetimeve dhe verifikimeve të parcelave të abuzuara në komunën e Kasharit janë evidentuar se i pandehuri Xhevahir Hyka, njëkohësisht daja i të pandehurit Alfred Sulaj, ka përfituar në mënyra abuzive dhe me firmën e nipit të tij rreth 50 mijë metra katrorë tokë të fshatarëve të kësaj komune. Prona të cilat i ka shitur tek persona të tjerë dhe paratë i ka investuar në riblerje pronash të tjera në mënyrë të rregullt. Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se edhe i pandehuri Ismet Bakalli po në mënyrë abuzive, ka përfituar rreth 20 mijë metra katrorë truall, të cilin e ka shitur dhe paratë sërish i ka investuar”,-i bën me dije gjykatës, prokurori Gurakuqi.Sipas hetimeve të prokurorit, të katër këta të pandehur, në mënyrë dhe kohë të ndryshme kanë përfituar truall, nga shitja e të cilave kanë investuar në biznese të ligjshme. Vetëm këta të pandehur: Hyka, Sula, Vasili dhe Bakalli kanë përfituar rreth 95 mijë metra katrorë tokë në Kashar.
***
Përveç akuzës së pastrimit të parave, katër të pandehurit: Hyka, Vasili, Sula dhe Bakalli kanë konsumuar sipas prokurorisë edhe veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” nga persona që kanë për detyrë lëshimin e tyre në bashkëpunim më shumë se njëherë dhe akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda”. Sipas prokurorisë, të katër të pandehurit, duke shfrytëzuar njohjet e tyre me kryetarin dhe ish-kryetarët e komunës së Kasharit përvetësonin pronat që i takonin në bazë të ligjit 7051 të kthimit dhe kompensimit të pronave fshatarëve të kësaj komune, duke i shitur ato. Paratë e fituara nga shitjet e këtyre pronave, të pandehurit i kanë investuar në riblerje pronash të tjera në mënyrë të ligjshme, që për organin e akuzës, këto veprime janë elementë të bollshëm për ngritjen e akuzave ndaj tyre të “pastrimit të produkteve të veprës penale” të parashikuar në pikën 2 të Kodit Penal. Në rast se deklarohen fajtorë për këtë krim, ata rrezikojnë dënimin nga 5 deri në 15 vjet burg dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri në 8 milionë lekë.
Neni 2872
Pastrimi i produkteve
të veprës penale
(Ndryshuar me ligjin nr. 9086, datë 19.6.2003, neni 8)
Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri në 8 milionë lekë, ndërsa kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 3 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.
PËRFITUESITPARCELAMETRI KATROR
Xhevahir Hyka,nr.184, 1168, 117695, 557, 177, 180, 1168, 107, 1168,49.876 m2
Ismail Sulanr.102, 26, 102, 10911.000 m2
Jakup Sulanr.25, 1121, 29, 112112.300 m2
Çelnike Gjonajnr.1177, 118015.120 m2
Bajram Muçanr.3675.000 m2
Petrit Kurtinr.3673.300 m2
Petrit Bakallinr.3676.600 m2
Fatmir Shkiranr.3671.500 m2
Lazem Peposhinr.167, 167242.000 m2
Kujtim Gjonajnr.3673.000 m2
Ruhi Valisinr.107, 91, 72,13.550 m2
Ismail Bakallinr.7027, 16813.450 m2
Klodian Beqirinr.11521.600 m2
Bashkim Allmetanr.7111.900 m2
Alfred Lleshinr.21422.800 m2
TË PANDEHURIT
Alfred Sulaj, “falsifikim të dokumenteve” në 13 raste
Shefqet Alikaj, “falsifikim të dokumenteve” në 12 raste
Bardhyl Kamberi, “falsifikim të dokumenteve” në 6 raste
Naim Karaj, “falsifikim të dokumenteve” në 6 raste
Faik Fejzo, “falsifikim të dokumenteve” në 8 raste dhe “shpërdorim detyre”
Isam Shera, “falsifikim të dokumenteve” në 9 raste dhe “korrupsion pasiv”
Xhevahit Hyka, “falsifikim të dokumenteve” në 5 raste dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”
Ismail Bakalli, “falsifikim të dokumenteve” në 2 raste dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”
Ruhi Valisi, “falsifikim të dokumenteve” në 3 raste dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”
Ismail Sula, “falsifikim të dokumenteve” në 2 raste dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”
DEKRETI
Gjykata e Lartë, Topi
dekreton dy anëtarët
TIRANË- Presidenti Bamir Topi ka dekretuar dje emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Në mbështetje të neneve 93 dhe 136, pika 1 të Kushtetutës, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka emëruar dy anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, Altina Xhoxhaj dhe Mehdi Bici. Dekreti i presidentit është firmosur dje dhe hyn në fuqi menjëherë. Altina Xhoxhaj ka qenë deri dje anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa Mehdi Bici ka qenë anëtar i Gjykatës së Apelit. Vetëm pak javë më parë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi tre juristë për gjyqtarë në vendet vakante të Gjykatës së Lartë. Sipas dekretit të mëparshëm të Presidentit, emrat e emëruar dje për në gjykatën e Lartë janë ai i ish-gjyqtarit të Gjykatës së Drejtave të Njeriut në Strasburg, Kristaq Traja, gjyqtarit Zamir Poda dhe avokatit të njohur, Artan Zeneli. F.V