Vendosën 3 kg tritol në një lokal, 3 në pranga
ATENTATI/ Në tentativën për shpërthimin është përfshirë edhe një adoleshent 16-vjçar
LEZHË - Arrestohen nga policia e Lezhës autorët e vendosjes së 3 kilogramë tritol në rrethimin e jashtëm të një lokali në rrugën Lezhë-Shëngjin. Pas hetimeve dhe marrjes në pyetje të një numri të madh të dyshuarish u bë i mundur identifikimi i atentatorëve, të cilët janë:
Altin Noga 33 vjç, Elton Malaj, 19 vjç, kamerier në lokalin ku u vendos lënda plasëse, si edhe një 16- vjçar me inicialet E.G. që të tre nga qyteti i Lezhës. Sipas burimeve policore, atentati është ideuar nga 33-vjçari Noga dhe kishte për objekt administratorin e bar-restorantit, ndërsa veprimet janë kryer nga 16-vjçari i cili është orientuar për veprimet e pronarit të tij dhe të punëtorëve aty pranë nga 19-vjçari Malaj që ishte i punësuar si kamarier pranë lokalit.
Në prangat e policisë ka rënë i pari adoleshenti, i cili gjatë marrjes në pyetje ka pranuar fajësinë duke treguar gjithçka që kishte ndodhur në mëngjesin e së dielës në lagjen Sakë të komunës Shëngjin.
Zbardhja e çështjes është kryer në orët e para të ditës së hënë, ndërsa arrestimet kanë vazhduar gjatë gjithë ditës. Burime pranë policisë së Lezhës bëjnë të ditur se të tjera arrestime priten të kryhen.
Ngjarja ndodhi të dielën në lokalin e shtetasit Eduart Cini. Sasia e madhe e tritolit të gjetur në një çantë fatmirësisht nuk shpërtheu dot, pasi atentatorët nuk kishin qenë të saktë në veprimet e tyre. Pasi kanë mundur të çaktivizojnë lëndën plasëse, e cila ishte e telekomanduar me anë të një telefoni celular, uniformat blu kanë vijuar hetimet për zbardhjen e çështjes dhe kapjen e autorëve. Rreth 25 vetë u shoqëruan, ndërsa gjatë orëve të natës numri i tyre është reduktuar në 5, duke mbyllur edhe rrethin në lidhje me ngjarjen.