E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kashari, stacioni i fundit i politikës së vjetër

Musa Ulqini 

Një javë pas zgjedhjeve në Kashar. Asnjëherë në këto 17 vjet, zgjedhjet ...e pjesshme në një njësi vendore nuk janë keqpërdorur kaq shumë politikisht, sa zgjedhjet për kryetar komune në 27 korrik në Kashar. Të gjithë kundërshtarët e shpallur dhe të pashpallur të Edi Ramës dhe të PS, nxituan “ta lexojnë” garën lokale mes katër kandidatëve për kryetar komune si një test të mirëfilltë politik, ndërsa rezultatin e shënuar si refuzim të qytetarëve ndaj Edi Ramës e Partisë Socialiste dhe mbështetje ndaj reformave të qeverisë e sjelljes politike të Sali Berishës. Është vërtet e habitshme se si mund të keqpërdoret deri në ekstrem, në funksion të politikës së ditës, një garë mes katër kandidatëve në një komunë në periferi të politikës së Tiranës.  
Askush nuk bën një analizë konkrete për atë çfarë ndodhi konkretisht më 27 korrik në Kashar. Askush nuk analizon se si përthyhet në një komunitet si ai i Kasharit gara elektorale mes katër individëve, tre nga të cilët kishin lidhje gjaku mes tyre. Askush nuk analizon se sa mund të ndikohet vota nga pragmatizmi, sa kohë që keqpërdorimi i lejeve të ndërtimit ka çuar në burg deri tani tre ish-kryetarë komune dhe një dyzinë nëpunësish komunalë.
Askush nuk kërkon të bëhet qoftë edhe transparenca minimale për paratë që u shpërndanë ditën e diel nga stafet elektorale të kandidatëve “surprizë”, në disa sportele, që të kujtonin sportelet e dikurshme të Sudes.
Askush nuk analizon faktin që kryeministri Berisha mobilizoi në Kashar tërë makinën e tij shtetërore. Përse duhej që dhjetë ministra dhe dyzetë deputetë të mbështetur nga një ushtri e tërë nëpunësish të shtetit të zbarkonin dhe qëndronin në Kashar 48 orë përpara zgjedhjeve? Përse 500 zgjedhës, përkrahës të PD–së, duhej të pajiseshin me certifikata vetëm ditën e votimit? Përse të gjithë të punësuarit e Kasharit figuronin në listat e ministrave, të cilët “i ftonin” të mos mungonin në votimet e 27 korrikut?
Natyrisht ka vlerë edhe analiza e fushatës që zhvilloi kandidati Sinan Egra i Partisë Socialiste dhe e strukturave lokale të PS që e mbështetën atë. Ne jemi duke e bërë një analizë të tillë, me shumë seriozitet dhe përgjegjësi. Por të anashkalosh të gjithë faktet e sipërpërmendura dhe ta banalizosh rezultatin e Kasharit, duke e vlerësuar atë si test kombëtar, është sa e pavërtetë aq edhe demagogjike, sa e qëllimshme aq dhe dashakeqe. 
Pak histori
Të gjitha zgjedhjet e pjesshme të zhvilluara në periudhën 1992 – 1997, kur PD-ja ishte në pushtet, janë fituar nga kandidatët e saj. Në të gjitha rastet PD-ja mobilizoi tërë strukturat shtetërore, duke përdorur në mënyrë të hapur edhe presionet e dhunën mbi kandidatët socialistë e mbështetësit e tyre, me qëllimin e vetëm për ta shitur këtë fitore si mbështetje të shqiptarëve për qeverisjen e Berishës.
Mjafton të kujtojmë zgjedhjet e zhvilluara më 13 shtator 1993 në komunën e Zerqanit në rrethin e Bulqizës. Kandidati socialist dhe mbështetësit e tij gjatë tërë fushatës u mirëpritën nga zgjedhësit e 13 fshatrave, por përqendrimi i gjithë strukturave shtetërore në një komunë të vetme ditën e votimit, e reduktoi këtë mbështetje popullore në 13.5 për qind të votave. 
PD-ja i fitoi në këtë mënyrë zgjedhjet e pjesshme lokale që u zhvilluan në pesë komuna, nga dita që erdhi në pushtet dhe deri në 6 nëntor 1994, kur u zhvillua Referendumi për Kushtetutën. Makina propagandistike e PD-së gjatë fushatës së njohur referendare e kishte rezultatin pro saj në këto komuna, një nga argumentet përse Kushtetuta e Berishës do të fitonte thellë. Rezultati negativ për PS-në, kujtoj unë, ndikoi jo pak psikologjikisht edhe te mjaft militantë socialistë. Tashmë dihet se si përfundoi ballafaqimi kombëtar mes PD e PS në 6 nëntor 1994. Partia Socialiste shënoi një rezultat të thellë, jo vetëm në këto komuna, jo vetëm në Zerqan, por në të gjithë vendin.  Ndodhi kështu, veç të tjerave, sepse në Referendum makina shtetërore e keqpërdorur maksimalisht në fushatë, nuk mund të kishte të njëjtën forcë manipuluese si në një komunë të vetme. Ky shembull tregon se sa demagogjike dhe e pavërtetë është të barazosh zgjedhjet në një komunë ose zonë elektorale me zgjedhjet kombëtare.
Edhe gjatë 8 viteve të qeverisjes së vendit nga socialistët janë zhvilluar shumë zgjedhje të pjesshme vendore dhe elektorale. Vetëm në 21 qershor 1998 u zhvilluan zgjedhjet vendore në 16 komuna e bashki. Rezultati? Në shtatë komuna e bashki fituan kandidatët e PD-së (Shijak, Kavajë, Lazarat etj.), ndërsa në nëntë komuna e bashki fituan kandidatët e PS-së. Ndodhi kështu, sepse socialistët në pushtet nuk keqpërdorën makinën shtetërore, nuk tentuan të fitojnë në bastionet e PD–së, duke përdorur dhunën, siç veproi PD-ja në të gjitha bastionet socialiste. Rasti më i njohur i dhunimit të votës së lirë është ai i zgjedhjeve të pjesshme lokale në komunën e Libofshës, në maj të vitit 1995, ku e majta votohet gjithmonë mbi 80 për qind. 
Paralajmërimi amerikan
Sjellja e Partisë Demokratike si parti shtet, përpjekja për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura dhe keqpërdorimi i pushtetit kanë alarmuar jo vetëm Partinë Socialiste, publikun e mediat, por edhe miqtë tanë amerikanë e kancelaritë e vendeve të tjera demokratike. Alarmi amerikan për përkeqësimin e standardeve demokratike në Shqipëri nga keqqeverisja e Sali Berishës, u shpreh mjaft qartë këto ditë në reagimin publik të diplomacisë amerikane.
Ky alarm kishte në fokus të tij edhe sjelljen e qeverisë Berisha ndaj institucionit të zgjedhjeve. “Dyshimet shkojnë deri te përpjekjet për të deformuar vullnetin e zgjedhësve në vitin 2009, dhe këtu shtohen dyshimet e arsyeshme për infrastrukturën e zgjedhjeve, si dhe sulmet ndaj misionit të OSBE-së në Tiranë. Përse duhen larguar monitoruesit e procesit zgjedhor në një vit elektoral nga Shqipëria? Kjo është një pyetje që ngre dyshime të vjetra për qeverinë aktuale”, – theksoi në prononcimin e tij në Tiranë, burimi diplomatik amerikan. 
Abuzimi me rezultatin negativ të zgjedhjeve të pjesshme në një komunë, duke e vlerësuar atë si test kombëtar të mbështetjes që PS-ja ka sot në elektorat, është thjesht e vetëm një pretekst për të sulmuar lidershipin e PS, është një pretekst për të heshtur ndaj keqpërdorimit të pushtetit nga PD-ja, është shmangie nga shqetësimi i vërtetë, si i opozitës progresiste, ashtu edhe i  ndërkombëtarëve, kur është fjala për institucionin e votës së lirë. 
Në vend të mbylljes
Në vitet ’90 një revistë e njohur britanike, duke shkruar për Shqipërinë komuniste sillte mes të tjerave edhe faktin e mëposhtëm. Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, lidhet me qytetin e dytë më të madh port të vendit, Durrësin, me një hekurudhë me gjatësi 50 km. Treni i parë e përshkoi këtë distancë për 45 minuta. Pesëdhjetë vjet më pas, shkruante revista angleze, të njëjtën distancë treni e përshkon për 75 minuta. Autorët e shkrimit në fjalë e përdorën këtë fakt për të dëshmuar vjetërsinë e sistemit monist në Shqipëri. 
Ky shembull më është kujtuar këto ditë, ndërsa lexoj në disa gazeta të përditshme artikuj, që në mënyrë figurative përmendin stacionin e vjetruar të dikurshëm të Kasharit, për të stigmatizuar frymën e re politike të lidershipit të PS-së. Të përpiqesh për të identifikuar frymën e re politike të Edi Ramës dhe opozitën ndryshe të PS, me një rezultat negativ në zgjedhjet e pjesshme që zhvillohen herë pas here në këtë vend, tregon se sa mbrapa kanë mbetur në këto 17 vjet pluralizëm jo pak politikëbërës, njësoj si treni që citonte revista angleze.
Vitin e ardhshëm në Shqipëri ka zgjedhje të përgjithshme. Në këto zgjedhje do të ballafaqohen liderët, programet dhe ekipet elektorale të partive në shkallë vendi. Socialistët dhe lidershipi i tyre janë angazhuar fort në të gjithë vendin, në atë që është quajtur “Dialog me Shqipërinë”, në një komunikim të përditshëm me të gjithë shqiptarët për të bindur këdo pse duhet votuar pro politikës së re dhe kundër politikës së vjetër, e cila e ka ngadalësuar zhvillimin e këtij vendi njëlloj si treni i dikurshëm i linjës Tiranë–Durrës.
Unë jam i bindur se, zgjedhësit shqiptarë vitin e ardhshëm, me votën dhe vullnetin e tyre të lirë do të votojnë që të lënë pas trenin e vjetruar të politikës shqiptare. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›