E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni konsensual Berisha-Rama

Ndre Legisi 

Teksa lexoja skandalin e publikuar për sport klubin “Partizani”, të cilin Edi Rama ia ka dhuruar dhëndrit të kryeministrit për të bërë pallate, kujtesa u kthye disa muaj më parë. Pikërisht në ditët që në Parlament debatohej për formulën e KRRT. Diskutimi zgjati shumë, duke shkaktuar reagime të forta dhe nga biznesi i ndërtimit. Krejt ndryshe ndodhi në Komisionin e Ligjeve. Ishte një diskutim interesant, i pakrahasueshëm me çdo ligj tjetër. Dukej qartë se gjithçka ishte mbyllur me parë. Diskutimi u bë si për një marrëveshje tip që formalizohet në Kuvend. E kundërshtova fort këtë marrëveshje duke thënë se, me skemën e përbërjes së KRRT-së, ku 3 anëtarë ka PD-ja, 3 anëtarë PS-ja dhe një konsensual, ju po vendosni të ndani lejet e ndërtimit. Por, konsensusi funksionoi dhe gjithçka u miratua.
Rasti në fjalë (që në fakt nuk është i vetmi) është një sirenë alarmi se si individë të veçantë arrijnë të përdorin Kuvendin për të miratuar ligje thellësisht në interesin e tyre e jo të popullit që i ka zgjedhur. Se Kuvendi me dhunën e kartonëve po miraton ligje për të ligjëruar shkeljet flagrante të administratës shtetërore. Se korrupsioni po merr një trajtë të re që në luftën antikorrupsion quhet kapja e shtetit dhe në gjuhën popullore quhet mafie shtetërore.
Por, të gjithë këtë proces një pjesë e politikës shqiptare po e emërton me një emër tjetër; “konsensus” mes pozitës dhe opozitës.
Konsensusi është i domosdoshëm për të arritur zgjidhjen e shumë problemeve me interes të gjerë kombëtar dhe publik. Por sot në politikën shqiptare përditë e më shumë po gjen terren një konsensus i ri, që fsheh në vetvete jo mbrojtjen e interesave të gjera kombëtare dhe publike, por interesat thellësisht private. Modeli i bërjes korrupsion nëpërmjet hartimit dhe miratimit të ligjeve duhet parë dhe kuptuar nga politik-bërësit dhe ligjvënësit më me kujdes për shkak të pasojave që sjell për të ardhmen e vendit. Në themelet e kësaj veprimtarie të dyshimtë qëndron konsensusi PS-PD për ndryshimet kushtetuese. Tashmë për këdo është e qartë se prapa këtyre ndryshimeve nuk qëndronin interesa politike të dy partive, por të dy liderëve të tyre Berisha dhe Rama. Madje më shumë interesat e të parit.
Ajo që nuk u kuptua në kohë nga deputetët e dy partive apo u bë sikur nuk u kuptua, ishin pikërisht interesat që fshihte kjo reformë dhe se kush do të përfitonte prej saj. Ende dhe sot nuk është mësuar se cili nga ndërkombëtarët ua sugjeroi dhe çfarë zgjidhi reforma kushtetuese. Çfarë përfitonte Shqipëria dhe shqiptarët prej kësaj reforme? Sot është e qartë se jo vetëm askush nuk ua kërkoi ndryshimin e Kushtetutës, po dhe se Kushtetuta u ndryshua për interesa të ngushta të dy individëve Rama e Berisha dhe aspak në interes të stabilitetit të institucioneve dhe publikut të gjerë. Në rastin më të mirë deputetët e dy partive që bënë dhe mazhorancën e nevojshme për ndryshimet u mashtruan dhe në rastin më të keq u detyruan të votonin symbyllur për të shkatërruar themelet e shtetit dhe për të prishur balancat e pushtetit. Të gjithë e dimë se kjo ndodhi pas Gërdecit. Pikërisht atëherë kur Berisha kishte prekur fundin e kuotave të tija politike dhe ishte në prag të dorëheqjes. Kur brenda PD-së kishin filluar të shfaqeshin zëra që largimin e tij e shikonin si një shëndoshje të mazhorancës, pikërisht në këtë moment i afrohet “dora e ngrohtë” e liderit të PS-së që pretendon se “mbart” dhe flet në emër të popullit opozitar! Ndryshohet Kushtetuta në pikën që Berisha bëhet i paprekshëm. Kjo pasohet me “ekzekutimin” e zërave kundra, brenda PD-së. Socialistëve të thjeshtë ky ndryshim u shitet si një garanci që PS-ja po merrte për ushtrimin e një pushteti të pafituar. Menjëherë pas kësaj u godit presidenti në kompetencat e tij. Bashkë me të dhe sistemi i drejtësisë. Dhe tani shohim Ramën teksa flet për pasojat që ai vetë është bashkëfajtor, nëpërmjet konsensusit.
Dhe këtu u mashtruan socialistet se këto ndryshime do t’i shërbenin Presidentit që Berisha u tall me ta e nuk ua dha me konsensus, por që politikanët vizionarë do ta merrnin një ditë kur të fitonin.
Por, edhe pas konsensusit, Reforma Zgjedhore nuk u miratua dhe infrastruktura e domosdoshme për realizimin e saj mbetet thellësisht e dyshimtë. Berisha bashkë me sigurinë e të qenurit i paprekshëm si kryeministër, privatizon suksesin e anëtarësimit në NATO dhe nis turin nëpër Shqipëri në kërkim të mandatit të dytë. Një tur paralel me “dialogun” e sivëllait të tij Edi Rama. Vetëm reagimi i ndërkombëtarëve zgjon “dhuruesit e konsensusit” për reforma të pakryera, duke u kujtuar shqiptarëve se kush është Berisha i vërtetë.
Pikërisht në këtë moment zbulohen efektet konsensuale të një ligji tjetër i sjellë nga Qeveria e i miratuar në Kuvend, ligjit “Për sportin”. Është e njëjta praktikë, e njëjta metodologji, si ligji i demontimit dhe shitjes së armëve të mbetura stok gjatë periudhës së komunizmit. Ligji për sportet në pamjen e parë nuk duhet të kishte debate të shumta. Prapa tij si në rastin e Gërdecit qëndronin qëllime e interesa sigurisht të panjohura nga shumica e grupit socialist, por dhe të pathëna nga lideri i tyre, që muaj më parë kishte firmosur një vendim me nr. 136, datë 29.12.2007, që në shkelje të ligjit për sportet të sjellë për ndryshim, përfitonte direkt dhëndri i Berishës. Para çdo socialisti shtrohet pyetja, përse lideri i tyre nuk ua bëri të qartë arsyen se pse duhej votuar ky ligj, pasi dhe përvoja e tij si ministër i Kulturës e Sporteve e ndihmonte zotin Rama ta njihte mirë problemin e shumëdiskutuar të ruajtjes së terreneve sportive? Por tashmë e kam të qartë cinizmin e zotit Berisha ndaj protestës së sinqertë të zotit Braçe, kur iu drejtua: “T’ua kthejmë tokën pronarëve, se për çfarë e përdorin ata, këtë më mirë e di kryetari juaj. Unë e kuptoj që ju e keni me atë tuajin, jo me mua”. E shoqëruar kjo me qeshjen karakteristike, sfiduese, të të papërgjegjshmit Berisha.
Tashmë për cilindo është e qartë se në themel të konsensusit të PD-PS për Kushtetutën, qëndron konsensusi i arritur për KRRT që mori vendimin e firmosur nga Rama. Vetëm interesa thellësisht ekonomike, vetëm grupe oligarkë që qëndrojnë pas liderëve politikë, mund të ndikojnë kaq fort mbi politikën sa ta detyrojnë të miratojnë ligje në funksion të veprimeve të kryera.
Reagimi i ndërkombëtarëve për miratimin e ligjeve të dobëta në Kuvend, që synojnë përqendrimin e pushtetit në sa më pak duar, ua ka prishur ëndrrat udhëheqësve të pushteteve absolutë. Ata kanë kuptuar se përse zonja Topalli po ua mbyll çdo ditë dhe më shumë  dyert, kur diskutohen ligje dhe reforma të rëndësishme, që fshehin prapa interesa thellësisht të pastra ekonomike.
Ndërkombëtarët po identifikojnë, në disa raste edhe duke braktisur gjuhën diplomatike, se cilët janë ideatorët dhe frymëzuesit e skemave që dobësojnë balancat dhe kontrollojnë pushtetet dhe institucionet e pavarura. Ata kuptojnë se përse u prish Kushtetuta dhe se cilat janë motivet e miratimit të sistemit zgjedhor të papërshtatshëm për vendin tonë. Se përse i bezdis pluralizmi shumëpartiak dhe se përse në kushtet e institucioneve të dobëta në Shqipëri, PD e PS po merren vesh kaq mirë duke anashkaluar dhe rolin opozitar në demokraci. Ne besojmë se është shumë e vështirë që dy partitë e vjetra përgjegjëse për prapambetjen 18-vjeçare të Shqipërisë, të mund të mashtrojnë me të njëjtat parulla shqiptarët e ndërkombëtarët. Marrëveshjet e paprincipta dhe korrupsioni konsensual, përbën gjithnjë një rrezik më të madh, sesa opozitarizmi i shëndoshë e i domosdoshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›