E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kashmiri po shijon ditët e qeta të paqes

Më shumë se një dekadë para sulmeve terroriste në Mumbai, në fshatin Buthu të Kashmirit, nën kontrollin e shtetit indian, ia behën papritmas militantë nga grupi Lashkar-e-Taiba, duke e kthyer zonën në një fortesë të tyren. Banorët e kuptuan menjëherë se qenë të ndryshëm nga guerilasit kashmiras që kalonin andej kohë më parë. Këta luftëtarë vinin më shumë nga provinca Punxhabi e Pakistanit. Ishin të armatosur më së miri, të stërvitur e të pamëshirshëm. Në vitin 1999, dolën në skenë edhe sulmet e para kamikaze. Pas një viti, sulmuan një kamp të ushtrisë indiane që gjendej në zonë.

Por sot, pas asaj periudhe kur u gjendën në mes të një revolte të shtypur me brutalitet nga forcat indiane, banorët e Kashmirit qenë lodhur nga dhuna e lufta. Militantët e Lashkarit ende e përdorin zonën si rrugë kalimi, tregojnë fshatarët, por shumë pak prej tyre ndalin në fshat. Lugina sot është më e qetë nga çka qenë për vite të tëra.

Dhe javëve të fundit kanë lënë pas të gjitha bisedat që kanë të bëjnë me luftërat e gjakderdhjet, për t‘iu drejtuar kutive të votimit, faza përfundimtare e të cilave do të jetë më 24 dhjetor, ku kanë shënuar numër rekord pjesëmarrjesh. Sipas autoriteteve, pjesëmarrja e kalon shifrën e 60 për qind të votuesve, ndërkohë që procesi po zhvillohet normalisht, të paktën për standardet e Kashmirit. Militantët nuk u hodhën kundër atyre që morën pjesë në votime.

Por fakti që banorët e Kashmirit po votojnë masivisht, nuk do të thotë aspak se po pranojnë ekzistencën nën Indinë, siç demonstruan javët e mbushura me protesta gjatë verës së këtij viti. Ata vazhdojnë të rebelohen kundër forcave indiane, ashpërsia e të cilave kritikohet prej vitesh nga komuniteti ndërkombëtar.

Banorët e këtij rajoni po votojnë për të kërkuar gjërat e zakonshme: rrugë, energji elektrike, vende pune.

"Problemi kryesor këtu është papunësia", thotë 18-vjeçari Shafkat Shabir, i cili voton për herë të parë. Bashkë me shokët, ai ka marrë pjesë gjatë revoltave kundër kësaj vere, ku thirrën njëzëri Liri nga India.

Dhe kjo kauzë ngelet ende kryesorja për Lashkarin, duke mbetur edhe prej motiveve bazë të rekrutimit të militantëve. E krijuar më shumë se dy dekada më parë me ndihmën e shërbimeve të fshehta pakistaneze, misioni fillestar i Lashkarit ishte minimi i ndikimit indian në këtë luginë pjellore dhe të banuar më së shumti nga myslimanë, për të cilën dy shtetet luftojnë që prej gjashtë dekadash.

Teksa gjatë viteve të fundit, bisedimet për paqe mes Indisë e Pakistanit kanë shënuar progrese, Lashkari i ka reduktuar ndjeshëm sulmet në Kashmir. Në të njëjtën kohë, i është drejtuar shënjestrave më të rëndësishme nëpër qytetet e mëdha indiane. Në këto sulme u përfshinë një qendër shkencore në jug të Bangalorit, një tempull hindu në veri, dhe më i ashpri nga të gjithë, ai i pak ditëve më parë në Mumbai, ku gjetën vdekjen 163 njerëz dhe 9 terroristë.

Ndërsa Lashkari hodhi poshtë çdo zë që e lidhte me sulmet e Mumbait, terroristi i vetëm i mbetur gjallë (ishin të paktën dhjetë) tha se i përkiste këtij grupi dhe bëri emrat e disa komandantëve të njohur të Lashkarit si njerëzit që e kishin stërvitur e trajnuar.

Ndërkohë lidhjet me Kashmirin mbeten të forta. Njeriu i identifikuar si truri i sulmeve të Mumbait, Zaki ur-Rahman Lakhvi, dikur shërbente si komandant këtu, në Kashmirin e kontrolluar nga India. Banorët thonë se i biri, i njohur me emrin Qazim, është mes grupit më të fundit të luftëtarëve të Lashkarit që kanë kaluar kufirin. Në tetor të vitit 2007, Zaki ur-Rahman Lakhvi mbeti i vrarë gjatë një përpjekjeje të armatosur me trupat ushtarake indiane.

Simpatia për këta militantë bashkëjeton me frikën, frustrimin dhe admirimin. Kur luftëtarët e Lashkarit u shfaqën fillimisht mes shtëpive të këtushme, kujtojnë banorët, fshatarët shkuan në Pazar për t‘u blerë ushqime. Pavarësisht gjithçkaje, qenë shumë të sjellshëm me njerëzit. Nuk përziheshin në punët e fshatarëve, siç kishin bërë pjesëtarët e grupeve të tjera të militantëve më parë. Nuk bezdisnin gratë. Nuk i penguan kurrë t‘u luteshin perëndive të tyre, siç kishte bërë më parë një grup radikalësh islamikë.

E megjithatë, njerëzit e paguan me çmim të lartë praninë e militantëve të Lashkarit. Me të marrë vesh praninë e tyre, trupat indiane e kthyen zonën në arenë luftimesh. Shumë burra u gjymtuan e shumë gra humbën bashkëshortët. Për vite askush nuk e kishte jetën të sigurt.

Pasi ushtria indiane ngriti një kamp në mes të Buthus, kryetari i fshatit i kërkoi komandantit të trupave lokale të Lashkarit të mos ndërmerrte sulme. Në rast të kundërt, ushtria do të shkrumbonte të gjitha shtëpitë, siç kishte vepruar gjetkë. Kryetari i fshatit foli pa dhënë emrin nga frika e reagimeve, tregoi edhe se një prej vëllezërve të tij ishte vrarë nga trupat e Lashkarit pas akuzave si spiun.

Edhe sot, shtëpitë e vogla të fshatit mbajnë përbrenda kujtime të hidhura. Rosha Begum Reshi tregon se humbi të shoqin, pasi forcat indiane e akuzuan si militant. Atë e tërhoqën jashtë shtëpisë dhe e lanë të vrarë në vend. Nazir Ahmad Reshi humbi njërën këmbë kur pjesëtari i një tjetër grupi militantësh pakistanezë, Xhaish-e-Muhamed, i qëlloi teksa kërkonte të shpëtonte një prej fqinjëve. Sot, ai lëviz me paterica, nuk punon e as largohet dot nga fshati. I ati, Ghulam Reshi, flet me zemërim të thellë ndaj luftëtarëve që kalojnë kufirin nga Pakistani. Nuk i intereson më se cilit grupim i përkasin. "Tim biri i shkoi jeta", thotë ai. "Njerëzit tanë nuk bënin të tilla krime".

Por pavarësisht qëndrimeve të tilla, shumë druhen se pa një zgjidhje politike për çështjen e Kashmirit, veçanërisht të rinjtë, do të kthehen përsëri përkrah rebelëve. Për njerëz si marangozi Ahmad Reshi, mendimi se mund të ketë përsëri luftime është i tmerrshëm dhe për motive të forta. Ai tregon se në 1995-ën, ushtarët e qëlluan në krah. Në vitin 2002, luftëtarët Xhaish e qëlluan në ijë. Thotë se është marrë në pyetje nga ushtria tetë herë në këto 20 vite.

Ai tregon se fshati ka qenë i qetë së fundmi, por se militantët ende vazhdojnë të vijnë. Mbajnë telefona satelitorë, të cilët i përdorin për të raportuar arritjet, përfshi vrasjet e informatorëve apo kalimet kufitare. Ai thotë se kurrë nuk janë pa një magazinë armësh. "Problemi nuk ka për t‘u zgjidhur kurrë, shprehet ai, pa një zgjidhje politike, mund të qetësohet, por jo të zhduket njëherë e mirë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›