E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra e Topit: Kadare për çmimin "Nobel" 2009

Kur kanë kaluar vetëm pak javë nga deklarata e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, se ishte një ambasador shqiptar që e pengoi të merrte "Nobel"-in, reagon Presidenti i Republikës. Kreu i shtetit, z. Bamir Topi, i ka dërguar një letër Akademisë Suedeze në përkrahje të kandidaturës së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, për marrjen e çmimit "Nobel" në letërsi për vitin 2009. Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Presidencës, e ka ndërmarrë këtë hap pas një sërë konsultimesh me Akademinë e Shkencave shqiptare, me rrethe të ndryshme intelektualësh, botuesish, kritikësh letrarë dhe personalitete të spikatur të artit e të kulturës shqiptare dhe të huaj. Ishte viti 1994, kur shkrimtari Ismail Kadare përflitej si një ndër kandidatët më të mundshëm për ta fituar "Nobel"-in. Gjatë këtyre viteve, pikëpyetje të shumta janë hedhur rreth arsyesh që Akademia Suedeze nuk ia dha këtë çmim shkrimtarit shqiptar. Ndërsa debati ka përfshirë edhe intelektualë shqiptarë, reagimi më i fundit vjen nga Presidenti Topi. Sipas njoftimit, kjo ndërmarrje nga ana e kreut të shtetit bëhet në të mirë të njohjes së mëtejshme dhe rritjes anembanë botës së imazhit të Shqipërisë, kombit shqiptar dhe vlerave të tij të rralla artistike, kulturore dhe letrare, të cilat frymëzuan shkrimtarin Ismail Kadare. Në letrën dërguar Akademisë së Çmimit "Nobel", Presidenti i Republikës shkruan: "Kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, t‘i drejtohem Akademisë suaj të nderuar duke ju propozuar shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare, për çmimin "Nobel" në letërsi për vitin 2009. Këtë akt po e ndërmarr, sepse vepra e Ismail Kadaresë është monumentale për nga vlera artistike, si dhe mbart e përcjell mesazhe humaniste e universale ndaj gjithë njerëzimit. Shqiptarët vuajtën njërën prej diktaturave më të egra që njerëzimi ka njohur në shekullin e 20-të, ku izolimi total ishte një nga tiparet dalluese të saj. Në këtë sistem të mbyllur, shkrimtari i madh, Ismail Kadare, shkroi një letërsi me frymë evropiane, të lirë dhe emancipuese për artin e kulturën shqiptare, kur kjo ishte gjëja më e vështirë në një shtet komunist të bunkerizuar. Si për shumë shkrimtarë të mëdhenj, nuk kanë munguar insinuatat e pabazuara. Shteti ynë demokratik e njeh mirë këtë shkrimtar, i cili ka një integritet të lartë moral. Është ky shtet demokratik, i cili menjëherë pas rrëzimit të komunizmit, i dha Kadaresë titullin më të lartë moral "Nderi i Kombit". Ndryshimet demokratike në vendin tonë, ndërtimi i demokracisë dhe integrimi në Evropë, zënë fill edhe te vepra e Ismail Kadaresë, i cili mbështeti me kurajë lirinë kundër tiranisë, humanizmin kundër dhunës. Vepra dhe zëri i Kadaresë janë pa dyshim, pasuria më e madhe intelektuale, artistike e morale në botën shqiptare dhe përbëjnë gjithashtu vlera të çmuara të trashëgimisë shpirtërore e kulturore botërore. Për gjithçka që përfaqëson Ismail Kadare dhe vepra e tij, jam i mendimit se meriton të nderohet me çmimin e lartë "Nobel" prej Akademisë suaj".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›