“Kaskada e Drinit është e sigurt, alarmet janë spekulime të pavërteta”
Garanton projektuesi i digave, Farudin HoxhaProjektuesi i njohur dhe njëkohësisht kryetari i komitetit të digave të mëdha, Farudin Hoxha, garantoi edhe njëherë dje se nuk ka kurrfarë rreziku të digave në Shqipëri. Hoxha, i ftuar në një takim nga Presidenti i Republikës, u shpreh lidhur me deklaratat e rreme të disa eksponentëve të opozitës, të cilët përhapën panik në popull për një rrezik të paqenë të digave, u shpreh se askush nuk përfton gjë duke lëshuar një tymnajë spekulative në opinionin publik. “Unë dua t’i transmetoj të gjithë popullit, atyre që më dëgjojnë, që më shikojnë ose që më lexojnë në shtypin e shkruar që të jenë të sigurt, që nuk do të ndodhë absolutisht asgjë, që kaskada e Drinit është e sigurt dhe do të rrijë ashtu siç ka ndenjur deri më sot. Bëj çudi që dikush mundohet të lëshojë ndonjë tymnajë të pavërtetë, absolutisht të pavërtetë. Unë ju siguroj me fjalën time të nderit dhe jo vetëm timen, por edhe të shokëve të mi, me të cilët kemi punuar për këto vepra, që të jenë të sigurt, si në shtëpitë e tyre! E dyta, unë uroj që kjo që ndodhi të kalojë sa më shpejt, pa asnjë viktimë, me humbjet minimale të mundshme dhe me një solidaritet të plotë të popullit shqiptar, të cilin prej kohësh ka filluar ta shfaqë dhe ta tregojë!”, deklaroi projektuesi i digave Farudin Hoxha. Ai shtoi se të gjithë qytetarët duhet të bëjnë gjumin të qetë porsa kohë ato diga kanë rezistuar deri më tani dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe më tej. Ai vuri në dukje se kaskada do të shkojë drejt përmirësimit, efekte të cilat janë ndjerë tashmë. “Unë dua të them që ngjashmëria, ose probabiliteti është që fenomenet negative të vëzhguara deri më sot në kaskadën e Drinit të shkojnë duke u zvogëluar, duke u minimizuar, sepse edhe gjithë statistikat shkencore të matura deri më sot tregojnë që piket e tyre janë në muajin nëntor, në muajin dhjetor dhe pastaj shkojnë gjithnjë duke rënë. Sigurisht që mund të ketë edhe ndonjë aksident rrugës siç ndodh në ndonjë rast, por e përgjithshmja është, trendi është që kaskada do të shkojë drejt përmirësimit. Përfitoj nga rasti që ndodhem në Presidencë e përkrah Presidentit, ta siguroj që ta bëjë gjumin më të qetë, me më pak telashe, me më pak shqetësime, sepse gjërat të tilla do të jenë, do të shkojnë drejt minimizimit! Padyshim që në mbarim të kësaj ngjarjeje kaq të madhe, besoj që të gjithë strukturat e shtetit shqiptar, edhe specialistët dhe teknikët e kësaj fushe do të merren me analizën e këtij problemi për të bërë që herë tjetër, të tilla gjëra të mos ndodhin”, deklaroi Hoxha. Në këtë drejtim, Farudin Hoxha, në cilësinë e kryetarit të komitetit të digave të mëdha, ka përgënjeshtruar në mënyrë absolute, variantin e disa ekspertëve, se digat nuk do të rezistojnë gjatë ndaj tejkalimit të nivelit të ujit. Sipas tij, studimet kanë vërtetuar se 2 muajt e fundit të 2009, ishin dhe më të rrezikshmit për kaskadën, rrezik tashmë i kaluar....