Kërkohej për trafik droge në Itali, kapet në Tiranë
Një i kërkuar nga drejtësia italiane për trafikimin e 22 kilogramëve heroinë është arrestuar nga policia e kryeqytetit në Vorë, ku banonte qëkur ishte larguar nga Italia. Bëhet fjalë për Ylli Toskën, i cili është dënuar në Itali me 10 vjet e gjysmë burg. Sipas të dhënave hetimore, bëhet fjalë për një sasi droge të kapur që në vitin 2003. Më 30 maj të vitit 2003, policia italiane ka mundur të sekuestrojë 22 kilogramë heroinë në zonën e Spinacolës. Në atë kohë, trafikanti i lëndës narkotike mundi të arratisej, pavarësisht se policia italiane e kishte identifikuar me emrin Ylli Toska, i njohur ndryshe edhe si Arbër Toska. 41-vjeçari mendohet se pas kapjes së lëndës narkotike ishte kthyer në Shqipëri dhe jetonte në banesën e tij në Vorë të Tiranës. Kohët e fundit, vendimi i drejtësisë italiane i ka mbërritur policisë shqiptare. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka marrë informacion se Toska qëndronte në Vorë dhe dje ka ndërmarrë një operacion për kapjen e tij. Ai është gjetur në banesë dhe nuk ka kundërshtuar të shkojë me forcat e policisë. Tashmë pritet që vendimi i gjykatës italiane të njihet nga gjykata jonë dhe t’i hapet rrugë ekstradimit të tij. Megjithatë, ai mund të kërkojë edhe konvertimin e dënimit në Shqipëri.
#