E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kassimis në Gjirokastër: Koalicioni i PBDNJ me PS, zgjedhje e saj

Greqia është e interesuar për unitetin e popullsisë helene në Shqipëri ndërsa aleancat para dhe passzgjedhore të PBDNJ me forcat politike shqiptare, janë vetëm zgjedhjet e saj. Ka qenë ky komenti i dhënë nga ana e zv/ministrit të jashtëm grek, Theodhoros Kassimis, gjatë një turi vizitash në fshatrat e minoritetit etnik grek në Gjirokastër. Sipas diplomatit grek PBDNJ mund të bëjë zgjedhjet që dëshiron, mjafton që këto zgjedhje ti shërbejnë dhe të jenë në të mirë të komunitetit helen në Shqipëri. Jam i bindur që ciladoqoftë zgjedhja e PBDNJ, ajo do të jetë e mirë, është shprehur Kassimis duke mbështetur indirekt vendimin e Vangjel Dules për të qenë në koalicion me PS në zgjedhjet e 28 qershorit. Zoti Kassimis ka mohuar ekzistencën e një mesazhi të përcjellë nga ai vetë tek Dule në kohën kur në Tiranë ndodhej kryeministri Karamanlis se duhej të dilte në koalicion me PD në zgjedhjet politike të 28 qershorit, ashtu sikurse nuk pohoi se vizita e kreut të qeverisë greke në Tiranë nuk ishte mbështetje për qeverinë e Berishës. Përveç mesazheve të bëra publike në minoritet mesditën e djeshme, përfaqësuesi i ekzekutivit helen, ka përuruar edhe një sërë veprash publike, të kryera me fondet e dhëna nga Ministria e Jashtme greke në komunat e Dropullit dhe Lunxhërisë. I shoqëruar nga ambasadori grek në Tiranë, konsulli i akredituar në Gjirokastër Yoaniss Ryzopulos, ambasadori i shqiptar në Greqi Vili Minarolli, si dhe drejtues të pushtetit vendor, Kassimis ka prerë shiritin e përurimit dhe ka dhënë mesazhet e bashkëpunimit dypalësh. Një rrugë në fshatin Frashtan në Komunën e Dropullit të Sipërm dhe një tjetër rrugë në fshatin Këllëz në Komunën Lunxhëri, janë dy nga investimet e inauguruara paraditen e djeshme ne rrethin e Gjirokastrës. Ministria e Jashtme greke ka investuar për rikonstruksionet dhe ndërtimet e 36 veprave, kryesisht në rrugë, ura e ujësjellës në rrethet e Gjirokastrës dhe Sarandës me një vlerë totale prej 600 mijë eurosh. Në fshatin Këllëz ambasadori shqiptar në Athinë Vili Minarolli është shprehur entuziast në lidhje me këto investime duke falenderuar për pjesëmarrjen në këtë inaugurim të konsullit të përgjithshëm grek në Gjirokastër Yoaniss Ryzopulos, të cilin e ka quajtur një mik të madh të minoritetit grek dhe të popullit shqiptar në veçanti. Kjo sipas Minarollit është një ndihmë vëllazërore dhe miqësore e qeverisë greke për popullin shqiptar. Kjo nuk është as ndihma e parë dhe as e fundit. Këto janë shenjat e një bashkëpunimi në vazhdimësi midis dy vendeve dhe popujve tanë, janë shprehur përfaqësuesit diplomatikë të dy vendeve. Nga ana e tij, zv/ministri i jashtëm grek Theodhoros Karsimis është shprehur se pavarësisht se çfarëdolloj qeverie do të dalë në Shqipëri pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Greqia do të punojë për integrimin e saj në Europë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›