Doda: Opozita pa program elektoral
Ish-kryetarja e KKRT-së, Mesila Doda aktualisht kandidate në listën e deputetëve për Partinë Demokratike në qarkun e Tiranës, e ftuar mbrëmë në një emision televiziv ka vlerësuar arritjet e qeverisë dhe ka reaguar ndaj sjelljes së opozitës. Doda ka thënë se qeveria që udhëhoqi shqiptarët këto katër vjet është dhe qeveria më e suksesshme, pasi sipas saj kjo qeveri ka arritur të përgjysmojë taksat dhe në të njëjtën kohë të dyfishojë edhe buxhetin.
Është arritur një çudi sepse duke përgjysmuar taksat është rritur dyfish buxheti. Opozita nuk ka përdorur molotov por ka përdorur bilbilat, manipulimin mediatik, ka bëre thirrje për mosintegrimin e vendit dhe sa herë kemi aplikuar për në NATO apo strukturat e BE-së, ka bërë të kundërtën, prandaj nuk mund të them se ka qenë një opozitë kaq konstruktive, nënvizoi ajo. Doda tha se e ka dhënë dorëheqjen si kryetare e KKRT-së menjëherë mbasi emri i saj është vendosur në listën e kandidatëve për deputet në listën e PD-së. Opozita flet gjithmonë me të njëjtën mënyrë. Flet gjithmonë me patetizëm. Shqipëria është një vend me shumë halle, por përpara katër vitesh nuk kishte as rrugë e as ujësjellës, shtoi ndër të tjera Mesila Doda. Në fund të fjalës së saj, ajo e cilësoi të paqartë dhe të pajtueshëm programin e Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si një program bosh me ide dhe me plane për të ardhmen.