Kastrioti nuk fal këtë herë në shtëpi, por smbaron këtu kualifikimi
Bollëk golash në Krujë, por krutanët shënojnë më shumë dhe fitojnë ndeshjen. Bylisi mbetet ta provojë veten kur të luajë në shtëpi
KASTRIOTI BYLIS 4-2
Shënues: Turdiu 22, 26, Xhihani 64, Agolli 90 / Huan 58 (11-m), Abazaj 89
KASTRIOTI: A. Hoxha, Caca, Pashaj, Dragoi, Vukmanoviç, Muçollari, Alikaj (Sekseni 63), Sefa (Agolli 77),Turdiu (R. Hoxha 78), Xhihani
Trajner: R. Ndreu.
Kartonë të verdhë: Vukmanoviç,Turdiu
BYLISI: Miço, Shoshi, Adebayo, Teqja (Abazaj 38), Popoviç (Koreshi 68), Idrizi, Kule (Meta 43), Ristevski, Huan, Xhafa. Trajner: N. Shensoj
Kartonë të verdhë: Shoshi, Ristevski, Kelmendi, Huan (2)
Karton i kuq: Huan
Gjyqtarë: R. Sadiku, R. Preça, E. Ganxhi (Elbasan)
Radiografia
22- Dragoi ka futur një top në zonë për Xhihanin, i cili nuk e arrin, por pranë tij është Turdiu, që nuk fal, duke gjuajtur nga 5-6 metra larg dhe duke e dërguar topin në rrjetë, 1-0 për Kastriotin.
26- Sefa e kalon topin mbi kokën e Idrizit, duke nxjerrë të pastër brenda zonës Turdiun, i cili godet fluturimthi, duke e dërguar topin në rrjetë, 2-0 për Kastriotin.
31- Xhihani stopon me gjoks te pika e 11-metershit një krosim të Turdiut dhe në rrotullim e sipër godet fuqishëm, por topi i tij kalon jashtë ngjitur me shtyllën pingule.
54- Idrizi ekzekuton një goditje këndi, duke e dërguar topin në kokën e Xhafës, që gjuan fort, por Hoxha grushton. Topi shkon më pas tek Abazaj, që gjuan fare pranë, por sërish topi përplaset në grushtat e Hoxhës, duke dalë jashtë.
58- Meta ka hyrë në zonën krutane, duke u ndeshur me Vukmanoviçin, ndërhyrja e të cilit është konsideruar e pa rregullt, duke u ndëshkuar me 11-metërsh, të cilin e ka kthyer në gol John Huan. Shkurton Bylis në 2-1.
64- Goditje këndi që ekzekutohet nga Vukmanoviç. Topi shkon saktësisht aty ku ndodhet Xhihani, i cili, mes dy mbrojtësve, godet bukur me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke shënuar golin e tretë për Kastriotin, 3-1.
89- Abazaj përfiton nga një rreshtim i gabuar i mbrojtësve krutanë dhe, pasi ka hyrë i vetëm në zonë, ka gjuajtur saktësisht, duke i ngushtuar shifrat në 3-2.
90- Dragoi, thuajse ngjitur me vijën fundore, ka krosuar në zonë ku ndodhet Vukmanoviç, i cili preferon të pasojë tek Agolli, që, në gjysmëlartësi, godet saktësisht me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-2 për Kastriotin.
Ndreu: Fitorja na riktheu atje ku duam ne
Vetë rezultati, por edhe rastet e shumta që krijuam, tregojnë se e kërkuam më shumë se kundërshtari fitoren dhe e arritëm atë. Kjo na bën që të shpresojmë te kualifikimi, sepse janë edhe tri ndeshje për tu zhvilluar. Gjithsesi, kjo fitore tregon se jemi rikthyer në rrugë të mbarë, duke na bërë më optimistë edhe për ndeshjen e radhës për kampionat, pasi futbollistët treguan se vazhdojnë të jenë në një formë të mirë sportive.
Shensoj: Kundërshtari nuk ishte më lart se ne
Pavarësisht fitores, Kastrioti nuk ishte më lart se ne. Në fakt na ndëshkuan gabimet tona, por them se mund të kishim shënuar edhe ne më shumë se ata dy gola. Luajtëm për shumë minuta me një lojtar më pak, madje arritëm edhe të shënojmë. Besoj se ne do të jemi një nga ekipet e kualifikuara për në turin tjetër. Kontigjenti i futbollistëve që kam në dispozicion më bën të besoj te ky sukses.
Spektatorët në Krujë kanë filluar ta shijojnë ndeshjen pas minutës së 22-të, kur është shënuar jo vetëm goli i parë, por edhe rasti i parë që nga fillimi i takimit. Gjithçka sa është zhvilluar deri në këto momente, ka qenë pa emocion, pasi futbollistët e të dyja skuadrave e qarkullonin topin me pasime në zona të ngushta, por pa arritur të hynin në zonën e rreptësisë qoftë edhe në një rast të vetëm.
Kastrioti është pranë kalimit në gjysmëfinale me këtë rezultat, por ashtu siç thotë edhe trajneri Ndreu, mbeten edhe tri ndeshje për tu luajtur dhe 2 janë në transfertë. Edhe për Bylisin mbetet i hapur kualifikimi për më tej.
Pjesa e parë Merita i takon Turdiut, që me dy gola të shpejtë, jo vetëm e ka kaluar Kastriotin në avantazh, por ka ndizur edhe shkëndijat e një spektakli që do të vazhdonte deri në vërshëllimën e fundit të takimit. Në fakt, edhe pse në disavantazh, ballshiotët e ngrenë së tepërmi ritmin e lojës, duke u afruar më shpesh te zona e rreptësisë, madje edhe duke rrezikuar.
Kështu ndodhi në minutën e 28-të dhe të 29-të, kur vetëm ndërhyrjet vendimtare të Dragoit e Vukmanoviçit do ti shpëtonin vendësit nga pësimi i golit. Por edhe krutanët do tua kthenin shpejt reston, kur në minutën e 31-të, Xhihani, pasi e stopon me gjoks tek pika e 11-metershit, pas një krosimi të Turdiut, në rrotullim e sipër, godet fuqishëm, por topi i tij kalon jashtë ngjitur me shtyllën pingule.
Pjesa e dytë Është edhe më bukur se e para, dhe kjo jo vetëm për shkak të numrit më të madh të golave që u shënuan, por edhe për rastet pa fund që e shoqëruan atë gjatë gjithë 45 minutave. Në fakt, janë miqtë që japin shkëndijën të parët në këtë pjesë loje, ku në fillim Xhafa e më pas Abazaj do të afroheshin rrezikshëm te porta e Hoxhës. Madje janë ata të parët që shënojnë me një 11-metërsh nga Huan vetëm 13 minuta pasi kishte filluar kjo pjesë.
Ky gol i ka bërë vendësit ta ndiejnë shpejt rrezikun e fitores, ndaj që nga ky moment kanë nisur ofensivën në portën e miqve, duke krijuar raste të shumta. Madje në minutën e 64-t kanë shënuar me anë të Xhihanit. Edhe pas këtij goli krutanët nuk janë ndalur së sulmuari, duke kërkuar të shfrytëzojnë edhe epërsinë numerike, pasi në minutën e 66-të gjyqtari Sadiku ka ndëshkuar për të dytën herë me karton të verdhë Huan, i cili është detyruar të lërë edhe fushën e lojës.
Në këto kundërsulme, krutanët janë afruar fare pranë golit të katërt, pikërisht në minutën e 74-t, por këmba e djathtë e ka tradhtuar Sefën në shënjestër, kur topi i goditur prej tij në hyrje të zonës ka përfunduar jashtë ngjitur me shtyllën e djathtë pingule.
Ndërkohë, kur dukej se gjithçka kishte përfunduar, në kufirin e dy minutave të fundit do të shënoheshin edhe dy gola, nga një për secilën skuadër. Më parë ka qenë Abazaj, që në minutën e 88-të ka shënuar golin e dytë për Bylisin dhe në minutën e 90-të ka qenë Agolli që ka shënuar golin e katërt për Kastriotin dhe të fundit për gjithë takimin.
Kapllanaj: Gjyqtarët kanë qenë nën presion
Presidenti i skuadrës së Bylisit, Besnik Kapllanaj, në fundin e takimit ka deklaruar se është ndierë i shqetësuar nga një veprim i drejtuesve të Kastriotit, të cilët, siç tregon ai, kanë qenë të pakënaqur me caktimin e treshes së gjyqtarëve nga qyteti i Elbasanit, me pretendimin se mund të favorizonin skuadrën e Bylisit.
Sipas Kapllanajt, kjo i ka bërë gjyqtarët që të drejtojnë nën presion, gjë të cilën e ka vuajtur edhe skuadra e tij. Pavarësisht sa më sipër, presidenti ne deklaratën e tij nuk ka sjellë asnjë rast të dyshuar në vendimet e arbitrit, por thekson se këtë ia ka bërë prezent edhe drejtuesve të federatës, si dhe shefit të arbitrave. Veç kësaj, ai ankohet edhe për mungesën e transmetimit direkt të këtij takimi nga televizionet, siç ndodh zakonisht, sipas tij, në takimet që luhen në Ballsh.
