Çani: Polonia, trampolina për te kombëtarja!
Sulmuesi i Polonia Varshavës tregon aventurën e tij në Poloni dhe hakmarrjen në distancë ndaj Palermos që nuk tregoi besim
Edgar Çani, sulmuesi shqiptar, i cili është grumbulluar këtë herë për ndeshjen miqësore kundër Gjeorgjisë, ka dhënë një intervistë, në të cilën shpjegon aventurën e tij në Poloni. Gjithashtu ai shprehet jo shumë pozitiv për ish-skuadrën e tij italiane, Palermo.
- Kanë kaluar 6 muaj që nga periudha që ke mbërritur në Poloni, cili është bilanci juaj?
- Pozitiv, pa pikën e dyshimit e them këtë gjë. As vetë nuk e mendoja se do të ndihesha kaq mirë, aq më tepër pas atij fillimi aspak të mirë. Për mua ishte gjithçka e re, qyteti, mënyra e jetesës, gjuha, kultura, ushqimi. Nuk e fsheh faktin që ishte i vështirë fillimi, pasi nuk u ambientova lehtë, por me kalimin e javëve arrita të përshtatesha si duhej. Varshava është një qytet i madh, që të ofron shumë gjëra.
- Sidomos në kënvështrimin sportiv.
- Jam duke u paraqitur mirë në këtë sezon, kam shënuar 9 gola në 17 ndeshje (dy më pak se golashënuesi i kampionatit, Rudnevs). Jam duke e ndihmuar Polonia Varshavën nga ana tjetër që të luftojë për titullin. Skuadra që kryeson klasifikimin deri më tani, Slask është 4 pikë larg nesh, por ka ende ndeshje për të luajtur.
Objektivi ynë është që të rikthehemi të fitojmë kampionatin, pasi skuadra në këto momente po funksionon mirë, ndryshe nga fillimi i sezoni që dukej sikur kishim harruar ngritur frenat e dorës. Kjo vinte për shkak të një grupi të ri lojtarësh. Tani jam integruar në mënyrë perfekte me grupin dhe jemi një skuadër e forte, që ka shumë dëshirë për të fituar.
- Polonia është hakmarrja jote?
- Sigurisht. Pasi kam ndryshuar disa skuadra, kryesisht në Serinë B (Padova, Piacenza, Askoli dhe Modena) kisha dëshirë të ndihesha i rëndësishëm. Palermo asnjëherë nuk besoi tek unë, nuk më dha asnjëherë besimin dhe për këtë arsye, në momentin që më erdhi oferta nga Polonia Varshava, e pranova menjëherë sfidën. Rrezikova shumë dhe shkoi mirë.
- E ardhmja jote?
- Në korrik kisha firmosur një kontratë për 6 muaj, ndërsa në janar e rinovova deri në vitin 2015. Këtu ndihem mirë, dua të fitoj kampionatin dhe të luaj në Champions League. Ndonjë rikthim në Itali? Nuk e përjashtoj si fakt. Italia është vendi, ku unë u rrita dhe pa dyshim luhet futbolli më i bukur dhe më i rëndësishëm në botë. Megjithatë për një rikthim të mundshëm dua një projekt serioz, dua një skuadër që të ketë besim tek unë, nuk do të preferoja të isha ende i parkuar në Serinë B. Edhe tani nuk e kuptoj përse në Itali ka më shumë sulmues, që nuk bëjnë gola se sa sulmuesit që bëjnë.
- Paraqitja e mirë me Polonia Varshavën të ka dhuruar fanellën e kombëtares shqiptare?
- Jam grumbulluar për ndeshjen miqësore të 29 shkurtit me Gjeorgjinë, për mua është hera e parë dhe ndihem shumë i motivuar. Ende nuk e kam takuar De Biazin, kam folur në telefon dhe besoj se është trajneri i duhur për skuadrën tone, që të rifillojë diçka të re. Kohët e fundit ka pasur disa probleme edhe brenda federatës, duhej një ndryshim drejtimi, një projekt i qartë. Kam shumë besim, Shqipëria mund të jetë e gatshme të përballet me këdo nga rivalet e saj.
