E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katalonia do të fundoste Spanjën

Lokomotiva e dikurshme e ekonomisë spanjolle po zhytet në një krizë gjithnjë e më thellë. Të gjithë treguesit aktual sugjerojnë se, së shpejti, Katalonia do të mund të niste drejt Madridit një apel tejet dramatik për ndihmë.

Situata jostabile financiare në Spanjë duket se do të mund të përkeqësohet edhe më shumë. Kjo për arsye se situata më e keqe momentalisht duket të jetë në rajonin që dikur konsiderohej si një motor ekonomik për të gjithë vendin. Katalonia ndodhet buzë falimentimit dhe është vetëm çështje e kohës kur ky rajon do të kërkojë haptas një ndihmë urgjente financiare nga pushteti qendror në Madrid. Mirëpo, as pushteti qendror nuk duket se po ‘lahet në para’, sepse Brukselit tani i duhet që të arsyetojë secilin metelik të shpenzuar.

Për ndihmë në Madrid

Barcelona është kryeqendër e Katalonisë, por edhe një prej qendrave kryesore ekonomike të Spanjës.

Edhe pse ndihmë financiare deri më tani kanë kërkuar rajonet e Valencias dhe Murcias, duket se një kërkesë e tillë e ardhur nga Katalonia për Madridin, para së gjithash, do të kishte një dimension psikologjik.

Katalonia, së bashku me kryeqendrën e saj, Barcelonën, konsiderohet si rajoni më i zhvilluar ekonomik i Spanjës. Industria farmaceutike, ajo e taktilit, por edhe industria kimike spanjolle, kryesisht janë të vendosura në Kataloni. Nga shiritat e këtushëm të prodhimit zbresin edhe veturat e markës Seat, ndërkohë që shampanjat nga ky rajon, që për nga kualiteti radhiten menjëherë pas atyre francezë, janë prezente në të gjitha tregjet botërore. Në këtë mes, natyrisht se nuk duhet harruar as turizmi.

Mirëpo, përkundër një ekonomie kaq të fuqishme, ka vite që Katalonia jeton mbi mundësitë e saj. Në fund të vitit të kaluar pushteti rajonal në Barcelonë arriti që të mblidhte një borxh në vlerë prej 42 miliardë eurove. E, në ndërkohë, ky borxh është rritur në 48 miliardë euro, që, sipas disa analistëve, tregon një trend vërtet shqetësues për vendin.

Çereku i bruto prodhimit

Në të vërtetë, më nuk është fshehtësi se Katalonia, e cila menaxhon një të katërtën e bruto prodhimit të gjithëmbarshëm të Spanjës, të paktën sipas asaj që deklaroi zëdhënësja e qeverisë lokale në Barcelonë, tash e një vit po përballet “me vështirësi të mëdha” në përmbylljen e konstruksioneve të saj financiare.

Kjo veçanërisht ka të bëjë me financimin e kredive ekzistuese. Vetëm për këtë qëllim Katalonisë në nivel vjetor i nevojiten 13 miliardë euro. Rrjedhimisht, siç deklaroi para disa ditëve edhe vetë ministri katalunas i Financave, Andreu Mas-Colell, në një situatë të tillë është “shumë normale” që Katalonia t’i drejtohet për ndihmë Bankës Qendrore në Madrid. Por, problemi është që qeveria qendrore tashmë ka telashe të shumta me bankat të cilave Brukseli veçse ua ka lejuar ndihmën. Së këndejmi, frika e ekspertëve është se mësymja e rajoneve për në Madrid për ndihmë do të mund ta fuste gjithë vendin nën një “ombrellë mbrojtëse” evropiane.

Ombrella është e vogël

Megjithëse Spanja vazhdon të mbijetojë falë rezultateve të mira të eksportit, dobësimi i ekonomisë botërore do të mund të ndikojë negativisht edhe ndaj këtij aduti pozitiv spanjoll. E, se bankat spanjolle nuk do të mbesin institucionet e fundit të cilave do t’iu duhet ndihmë financiare në ndërkohë besojnë gjithnjë e më shumë veta në Bruksel.

Mirëpo, problemi qëndron në atë se ‘ombrella evropiane’, natyrisht po qe se nën të do të futet edhe Spanja, duket se është tepër e vogël. Posaçrisht pasi që pas Spanjës presioni për t’u mbrojtur nga ajo të rritet edhe nga “pacienti tjetër evropian’, Italia. Që të dy këto shtete ‘gjigante’ jugore definitivisht se nuk do të mund t’i zë e njëjta “euro-ombrellë”. Me fjalë të tjera, se çfarë domethënie do të mund të ketë kjo gjë për ardhmërinë e euros, duket se askush nuk ka guxim as të mendojë në këtë moment. /dw/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›