E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis “beteja vendimtare”

Pas një përgatitjeje disaditëshe, në qytetin e dytë më të madh sirian, Aleppo, kanë rifilluar luftimet mes ushtrisë dhe kryengritësve. Nga të dy palët, beteja konsiderohet vendimtare për fatin e vendit.

Forcat qeveritare kanë filluar të premten një ofensivë nga toka e ajri, me qëllim të rivënies nën kontroll të zonave në Aleppo që kontrollohen nga rebelët. Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se i frikësohet ndonjë masakre të mundshme të forcave të Al-Assad në Aleppo.

Sipas mediave qeveritare në Siri, beteja në Aleppo “është nëna e të gjitha betejave”, dhe ajo do të jetë vendimtare për fatin e vendit. Njësoj duket se mendojnë edhe kryengritësit sirianë, të cilët tash e disa ditë po përgatiteshin kishin mbledhur armë, municion, ilaçe dhe materiale tjera të nevojshme për këtë betejë.

Ndryshe, në natën mes të enjtes dhe të premtes raportohet për bombardime të zonave përreth Aleppos, si pasojë e të cilave janë vrarë të paktën 34 persona.

Të premten, komisionerja e OKB për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillaj, u bëri thirrje forcave siriane dhe kryengritësve që të kursejnë civilët nga luftimet në Aleppo.

“Konfrontimi i pashmangshëm në Aleppo ka rritur shqetësimet për sigurinë e civilëve të bllokuar në qytetin më të populluar sirian, që para konfliktit në Siri kishte më shumë se dy milionë banorë”, thekson Pillaj në deklaratën saj me shkrim. Sipas saj, vrasjet me paramendim do të cilësohen si “krime kundër njerëzimit, ose si krime të luftës”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›