Kataneci kritikon mesfushorët, Pollozhani me probleme

RESHAT IBRAHIMI, Shkup, 27 mars – Në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Zenicë, reprezentacioni i Maqedonisë dhe Bosnjës e Hercegovinës kanë luajtur baras 2:2. Katër golat janë shënuar në pjesën e parë, ndërsa të parët në avantazh kanë ardhur vendasit, të cilët në minutat 17' dhe 19' shënuan dy herë me anë të lojtarit Damjanovic. Pas këtij avantazhi të lartë fitohej përshtypja se Maqedonia do të përjetojë një katastrofë të vërtetë, mirëpo ndodhi e kundërta. Mysafirët në finish të takimit realizuan dy herë, në minutat 41' dhe 45' përmes sulmuesit Maznov, që barazoi rezultatin, i cili mbeti deri në fund të ndeshjes. "Jam i kënaqur me rezultatin, pasi luajtëm në teren të vështirë, mirëpo s'jam i kënaqur nga loja. Ndeshja ishte shumë e mirë. E filluam dobët, dhe nikoqirët me meritë krijuan epërsi prej dy golave. Megjithatë, kujtoj se në fund rezultati 2:2 ishte real. Për lojën tonë mund të them se nuk ishim në nivelin e duhur. Disa nga lojtarët ‘nuk ishin' të pranishëm në teren dhe nuk i kryen detyrat ashtu si duhet. Sidomos kjo ka të bëjë me mesfushën ku kishim lojtarë më pak. Në fund treguam se kemi cilësi dhe pjekuri psikologjike duke eliminuar avantazhin e lartë. Kujtoj se kemi material dhe në ndeshjet e radhës do të jetë më mirë", deklaroi Katanec pas takimit. Ky është barazimi i tretë, në pesë ndeshjet e zhvilluara ndërmjet këtyre dy reprezentacioneve, ndërsa kanë nga një fitore.
Pollozhani probleme me hipoglikeminë
Tereni i vështirë ishte arsyeja kryesore e lëndimit të disa lojtarëve, ndërsa në mesin e tyre edhe shqiptari Artim Pollozhani. Ai hyri në lojë në pjesën e dytë, por qëndroi shumë pak në fushë, pasi kishte probleme me hipo-glikeminë. Zvogëlimi i sheqerit ia kishte rritur pulsin dhe për këtë arsye u largua nga loja.