Shqipëria në sytë e artistëve italianë
Ata sjellin pamje nga kultura popullore shqiptare, nga Shqipëria arkeologjike dhe turistike. Janë artistë italianë të fotografisë dhe filmit, të cilët pasi kanë vizituar disa herë Shqipërinë kanë mundur të sjellin në vëmendje më të bukurën e vendit tonë, përmes një ekspozite dhe një filmi dokumentar që u prezantuan dje në mbrëmje për publikun shqiptar në ambientet e “UFO” University. Fotografët Giuseppe Savinio dhe Antonio Sigismondi, me ekspozitën e tyre "Manufacta Viarum”, kanë përshfaqur peizazhin shqiptar nga veriu në jug, shkrepje mbresëlënëse të cilat rrëfejnë Shqipërinë ndryshe. Një udhëtim i pazakontë mes imazheve të dy fotografëve italianë, të dy të dhënë pas natyrës. Ata kanë paraqitur një pjesë tërheqëse dhe të lakmueshme të vendit. "Manufacta Viarum", fillimisht u prezantua në Itali dhe vetëm pak muaj më parë në një nga vendet më të bukura dhe më të vizitueshme prej turistëve, në krahinën e Puglias. Ndërsa filmi dokumentar "Tirana, e ardhmja, e shkuara, e tashmja" synon të përcjellë një seri aktivitetesh, të cilat promovonin kulturën shqiptare. "Mes këtyre aktiviteteve, ajo që na bën protagonist edhe sot në Tiranë, është një dokumentar me metrazh mesatar, i cili ishte përgatitur nga disa të rinj, studentë prej Tiranës. Ata morën pjesë në një kurs për realizimin e videove. Ky ishte një kurs formues, që më vonë bëri të lindte edhe shkëndija për realizimin e këtij dokumentari që u titullua "Tirana, e ardhmja, e shkuara e tashmja", tha për ATSH-në, Massimo Lapertossa, regjisori i këtij dokumentari.
“Ideja e këtij projekti , thotë Lapertossa, erdhi nga Komisioni Europian, i cili financon këtë projekt midis Shqipërisë dhe Italisë.” Për ne, shton ai, "ishte shumë interesante sepse ne jemi nga vendet e para që kemi parë zbarkimin e popullit shqiptar në vitin 1991, dhe na kishte një ngelur një kuriozitet, sepse e vetmja gjë që kishim parë nga Shqipëria ishte ky zbarkim. Prandaj donim të shihnim sesi ishte bërë Shqipëria në ditët e sotme”. Lidhur me filmin dokumentar, organizatori Shpend Bengu shprehet se “kam ngelur i mrekulluar nga përshtypjet e regjizorëve për punën që është bërë me studentët dhe rezultati ka qënë i jashtëzakonshëm në Itali, sepse ai është pasqyruar nga media elektronike si RAI, por edhe nga media e shkruar, si “La Republika”etj. "Iniciativa e këtij projekti ishte e imja dhe e Vito Massosinit, që ishte koordinatori i megaprojektit", tha Bengu, ndërsa shtoi se "këtë projekt vendosa që mos ta lija të vdiste në anën tjetër të Adriatikut, por mendova se edhe publiku shqiptar duhet të njihej me këtë lloj evenimenti”. Pedagogu dhe njëkohësisht organizatori i këtij filmi dokumentar, Shpend Bengu, si dhe studentët pjesëmarrës në këtë film, u nderuan me një çertifikatë nga Marinela Pinca, përfaqësuesja e zyrës së Rajonit të Puglias në Tiranë.
...