E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kategoritë kur nuk hetohet ndarja e pronës

01/02/2010  Ligji përjashton sipërfaqet që kanë qenë në regjistrat kadastralë më 1.8.1991, si “Tokë bujqësore”
Reforma për verifikimin e ndarjes së pronës që qeveria ka nisur do të përfshijë në shqyrtim një sërë kategorish. Pak ditë më parë Këshilli i Ministrave ka publikuar dy udhëzimet bazë për rastet dhe kategoritë që do të përfshihen nën hetimin për ndarjen e pronës, të cilat hyjnë menjëherë në fuqi pasi janë botuar në Fletoren Zyrtare. Ndërkaq, mes kategorive që përfshihen direkt nën hetim për mënyrën e përfitimit të titullit të pronësisë, janë rreshtuar edhe rastet për kategoritë që nuk do t’i nënshtrohen këtij hetimi.
Rastet
Ligji i miratuar në korrik të vitit 2008 cakton vlefshmërinë ligjore për titujt e pronësisë private mbi tokën. Bëhet fjalë, sipas këtij ligji, për ato tituj, që janë krijuar te sipërfaqet, të cilat më 1.8.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, të ndryshuar. Gjithashtu në këtë kategori, sipas ligjit, futen edhe sipërfaqet e tjera të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 8337, datë 30.4.1998 “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave”. Kontrollit i shpëtojnë edhe sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”.
Kontrollet
Ligji përjashton nga vlefshmëria ligjore ato tituj të pronësisë që janë dhënë për të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore”, si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore pas kësaj date. Kjo do të thotë se nëse zotëroni një sipërfaqe të tillë, qoftë nga individë të veccantë, apo nga institucione të veccanta që mund të jenë komisionet e verifikimit të tokave, do të nisin hetimin sipas ligjit. Kontrolleve do t’u nënshtrohen në të njëjtën mënyrë edhe të gjitha sipërfaqet e tokave të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe sipërfaqet në zonat e zhvillimit me përparësi turizmin, të përcaktuara në ligjin nr. 7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave, që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar, dhe në aktet nënligjore, që kanë dalë në zbatim të tij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›