E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kategoritë që do përfitojnë shërbime falas

29/03/2011  Ligji i ri i sigurimeve të detyrueshme shëndetësore

Shërbimin e urgjencës do ta përfitojnë falas të gjithë qytetarët pa dallim

Ligji i ri i sigurimeve shëndetësore përcakton se shërbimet mjekësore për të papunët, pensionistët, fëmijët dhe invalidët do të mbulohen nga shteti. Sikundër ndodh në shërbimin parësor, paketa bazë e shërbimeve do të ofrohet edhe në spitale, nëpërmjet së cilës do të ofrohen shërbime falas për të siguruarit. Ndërsa për kategoritë në nevojë dhënia e shërbimeve do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Ligji gjithashtu garanton dhënien e shërbimit të urgjencës falas për çdo qytetar shqiptar. Ndryshimet e bëra në ligjin e ri synojnë rritjen e cilësisë së shërbimeve për pacientët në të gjitha nivelet, duke filluara nga poliklinikat e deri te shërbimet spitalore. Pjesë e skemës do të jenë edhe një sërë shërbimesh që do të ofrohen nga privati. Kështu ligji krijon mundësi për blerje shërbimesh që mungojnë në sistemin publik, por që mund të kontraktohen edhe në shërbimin privat, duke garantuar që gama e shërbimeve shëndetësore të mbulohet e garantohet nëpërmjet Fondit Kombëtar të Sigurimeve Shëndetësore. Sigurimi i detyrueshëm financon paketat e shërbimeve të sigurimit të detyrueshëm, ku përfshihen: vizitat, ekzaminimet dhe trajtimet mjekësore në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor publik dhe në spitalet publike, vizitat, ekzaminimet dhe trajtimet mjekësore në dhënës privat të kujdesit parësor dhe spitale private si dhe barnat. Ndërkohë që fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor nuk do të financojë shërbimet që nuk bëjnë pjesë në paketat e shërbimeve të përcaktuara sipas këtij ligji. Sipas ligjit të ri, masa e kontributit të detyruar shëndetësor do të jetë përsëri 3.4 për qind për llogaritjen e kontributeve për të gjitha kategoritë e mbuluara nga skema e sigurimeve shëndetësore, ndërsa për të punësuarit kontributet do të paguhen në masën 50 për qind nga punëdhënësi dhe 50 për qind nga punëmarrësi. Sipas këtij ligji, personat e përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore do t’i përfitojnë shërbimet shëndetësore pa pagesë, me përjashtim të rasteve kur ata do t’u drejtohen spitaleve private. Për të përfituar shërbime nga këto të fundit, pacientët e siguruar do të paguajnë koston e mbetur të pambuluar nga shteti për një ekzaminim të caktuar, nëse ai është më i shtrenjtë se publiku.

Kategoritë që do t’u mbulojë shteti

Sigurimi i detyrueshëm shëndetësor mbulon gjithashtu kategoritë e mëposhtme të

personave ekonomikisht joaktivë, pagesa e kontributeve të të cilëve financohet nga buxheti i shtetit ose burime të tjera të përcaktuara me ligj:

a) personat që përfitojnë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore;

b) personat që përfitojnë ndihmë ekonomike ose pagesën për aftësinë e kufizuar në

përputhje me legjislacionin përkatës;

c) personat e regjistruar si të papunë-punëkërkues në Shërbimin Kombëtar të Punësimit;

ç) shtetasit e huaj azilkërkues në Republikën e Shqipërisë;

d) fëmijët nën moshën 18 vjeç;

dh) nxënësit e studentët nën moshën 25 vjeç, me kusht që të mos kenë të ardhura nga

veprimtari ekonomike;

e) kategori personash që përcaktohen me ligje të veçanta

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›