E Diel, 1 Nëntor 2026

Kategoritë që thirren posaçërisht në mitingun e sotëm anti-imperialist të ish-komunistëve

“Me sebepin e Gërdecit, nga inati i Saliut që u pranua në NATO, si dhe nga inati i Nanos që nuk është me ne, por kundër nesh, ejani të mblidhemi në shesh e të bëjmë përshesh dhe rrëmujë, duke u hequr sikur po festojmë për NATO-n! E ç’lidhje kemi ne me NATO-n, kur dihet që kemi bërë besëlidhje me Traktatin e Varshavës, pavarësisht se vdiq... Por mbetet Rusia, mbetet Putini.
Ne nuk kemi punë me NATO-n, edhe për faktin se ai Bushi imperialist i fërkonte shpatullat dhe i rrihte krahët Lulëzim Bashës atje në Bukuresht, por u buzëqeshte edhe të tjerëve. Vetëm shoqes Valentina, që ishte e vetmja femër, nuk ia vari fare dhe nuk e respektoi. Dhe këtë e bëri thjesht sepse e di që ajo është socialiste, kurse ai vetë është i biri i atij qënit që na rrëzoi sistemin që nga Amerika.
Asnjë fjalë nuk i tha Bushi shoqes Valentina, a thua se e ka ditur që ka pasur shumë dobësi për shoqet Nexhmije, Vito e Lenka, si dhe për shoqet Lumturi Rexha, Hatixhe Katro e Fahrije Saliçaj, të cilave u bënte edhe raportet për partinë dhe popullin...
Mjafton të kujtosh Saliun që pandehëm se e zumë në lak në Gërdecin që bëmë vetë me djemtë tanë dhe në sytë e syleshëve të tij..., por jo, na iku për duarsh këtë herë Saliu... Natyrisht që na iku, se tani kemi kundër edhe Nanon, që është bërë edhe ai kundër nesh. Të na rrojnë Skënder Gjinushi dhe Gramoz Ruçi, për të cilët e dimë mirë se janë kundër NATO-s. Sidomos Skënderi, që e ka amanet edhe nga babai që deri kur mbylli sytë për të mbetur i pavdekshëm në zemrat tona, grykat e topave dhe të raketave nga NATO i drejtoi. Madje edhe nëndetëset me gjithë silura, nga Flota VI Amerikane, që gjezdiste nëpër Mesdhe, i drejtoi. Dhe kushedi sa herë ua shtiu tmerrin. Se edhe luftanijet e anglezëve në Kanalin e Korfuzit në vitin 1946 ne i hodhëm në erë, bashkë me Titon, Rankoviçin, Kupreshaninin e të tjerë. Pse nuk u kujtohet kur i bëmë paça, i bëmë sallam dhe sapun nja 44 marinarë britanikë atëkohë? Por ç’e do, na e muarën hakun se na bllokuan floririn që na duhej aq shumë dhe për të cilin varëm e mbytëm nja njëmijë tregtarë të mëdhenj, deri sa i detyruam ta nxjerrin me zor.
A nuk u kujtohet që edhe fëmijët ua mbytnim kur nuk donin të na e tregonin floririn? Pra mblidhuni të gjithë në shesh o bijtë dhe vëllezërit e Miladinit dhe të Dushanit, të Tempos dhe të Velo Stojniçit, se na mori lumi dhe e thyem besën që i dhamë Baba Stalinit, të cilin e garantuam se, sa të jetë jeta ne komunistët shqiptarë në grykë të topit do t’i mbanin imperialistët dhe agresorët e qënit. Nuk e shikoni që edhe shoku Gramoz bën sikur është i lumtur që jemi futur në NATO? A nuk e keni parë sesi e mban për të shtrenjtë, gjoja, atë fotografinë që bëri para tre vjetësh në Amerikë me Bob Dollin, ku qeshte athua se nuk ia pati grirë me thikë agjentët Amerikës dhe CIA-s kur ishte ministër i Brendshëm?! Athua se nuk i vrau nëpër klone ata qentë që donin të shkonin medemek në ‘Botën e Lirë’. A nuk e mbani mend sesi na drejtonte shoku Gjinushi, kur bëmë Komitetet e Shpëtimit Publik sipas shembullit të Jakobinëve dhe më vonë të Komunës së Parisit dhe i dërrmuam, i përcëlluam e i dogjëm këlyshët e Saliut në Vlorë dhe në tërë Jugun?. A nuk e keni parë kë ka dërguar Partia tani të ngrejë Vlorën në këmbë? Ka dërguar të birin e shokut Bilbil Klosi, që varte në ditë nga 10 kriminelë dhe ua bënte fletë daljen vetëm nga jë faqe, dhe jo më shumë. Faqe të cilën e mbushte me nenet e ligjeve tona, që ata qelbësira armiq kishin shkelur, dhe më pas i çonte në botën tjetër me dorën e shokut Nevzat, të shokut Rrapi Mino dhe të shokut Aranit!? Mos u hutoni që Edvini ka urdhëruar dje që të ngremë një flamur të NATO-s në selinë e PS, se kjo është loja, për të mos rënë në sy se jemi kundër amerikanëve.
Edhe ata qelbësirat e djallit, ata kosovarët i çliroi Amerika dhe ua hoqi shokëve dhe bratjeve tanë serbë nga duart! A nuk u kujtohet se sa syresh kemi varur dhe mbytur bashkë me shokët Rankoviç e Koçi, bashkë me Fadil Hoxhën dhe Mehmet Hoxhën dhe Sinan Hasanin? Por tani na i shpëtoi Natua, megjithëse shoku Putin ua ka bërë benë.
Por edhe Jelcini ua kish bërë benë, madje edhe vetë Gorbaçovi. Për këtë të fundit më ka treguar shoku Kastriot Islami, sapo erdhi nga Moska, ku e dërgoi shoku Ramiz për të çuar mesazhet e solidaritetit dhe të bashkëpunimit, dhe për të marrë urdhra. Ndërsa për të tjerat, me Jelcinin dhe Putinin, më tregonte shoku Skënder Gjinushi, që ka vajtur nja dyzet herë në Moskë. Më ka treguar gjithçka, pasi babanë e tij, gjeneral Et’hemin e kam pasur shok të ngushtë. Ehu, sa këlyshë të reaksionit kemi vrarë e prerë bashkë me të dhe shokun Shefqet në Dibër e Mat, pak ditë para çlirimit dhe më pas. Atë punën e flamujve të NATO-s e ka sajuar Edvini, që të heqë dyshimet se ne nuk e duam NATO-n, po si ta duam këtë vegël të ndyrë të imperializmit, kur na prishi me vëllezërit serbë e rusë, që na bënë njerëz, na dhanë shkolla e grada dhe na garantuan tek Enveri dhe Mehmeti, Hysniu e Kadriu, kur u kthyem.
Nuk kemi çfarë të bëjmë, mos bëni kështu! Jemi të detyruar të bëjmë sikur gëzohemi se jemi futur tek djajtë! Pse kot na i japin pensionet nga 300-400 mijë lekë, ato pensione që na siguroi Pandi kur ishte ministër dhe na i shtuan bijtë tanë kur ishin në pushtet?
Por ne do t’ua bëjmë më keq këtyre të Saliut, sepse do të fillojmë t’u kërkojmë pensione sa të NATO-s, medemek se kemi pasur aleatë Amerikën dhe Anglinë gjatë luftës çlirimtare! Po çfarë aleatë qëni i kishim, kur i spiunonim gjithë ditën me Frederik Nosin, që ia raportonte të tëra shokut Enver, nga frika se do ta varnim për llape, ngaqë ishte nipi i tradhtarit dhe kolaboracionistit kuisling Lef Nosi!
A nuk u kujtohet që e nxorrëm para gjermanëve gjeneralin Dejvis, që ta vrisnin, duke i thënë se duhet të luftonte, se nuk e kishin prurë këtu për të bërë pallë dhe për të ngrënë biskota Ingilterre? A nuk u kujtohet se kur e pa që donim që të vritej dhe e tradhtuam, u dorëzua vetë tek gjermanët dhe ne e raportuam në Bari me Kadri Hoxhën, se ai u dorëzua si burracak? Pa duan të na bëjmë të hidhemi edhe kundër vëllezërve tanë palestinezë, medemek me sebepin e luftës kundër terrorizmit, megjithëse ne u bëmë telef duke i stërvitur ata të luftonin kundër Izraelit dhe amerikanëve. A nuk e mbani mend se si i tallte Fatos Klosi ynë amerikanët, kur u thoshte se kish kapur një terrorist të fshehur në një lavatriçe, ndërsa Jasin Kadiun e kish lënë të punonte me bijtë tanë në biznes?
I gjori arab, ishte bërë sa një fëmijë nga frika dhe ish fshehur në shtëpi. Çfarë lesh terroristi ishte ai? Ai ishte një hallexhi që kish ardhur këtu për të gjetur grua e për t’u martuar! Pse terroristët ashtu fshihen dhe dorëzohen, që t’i kapin edhe fëmijët? Ata të derdhin trutë, të marrin gjak në vetull, janë kamikaxë, ta bëjnë si ia bënë Amerikës, dhe nuk fshihen sikurse tha Fatos Klosi ynë.
Meqë ra fjala tek Fatosi, atë Fatos Nanon që tallej me shokun Et’hem, duke treguar barcaleta se gjoja u kish thënë partizanëve të Çetës “Plakë” se “kur të shikonin natën xixa që vinin drejt tyre duhet të fshiheshin, se ishin plumba”. Po tallej qëni me gjeneral Teme Gjinushin, që ishte trim mbi trimat dhe ua derdhte plumbin në gojë reaksionarëve... Mos ma zër me gojë Teme Sejkon, atë agjentin e qënit, atë çam tradhtarin, që u bënte hilera shokëve partizanë të EAM-it grek, shokëve Niko Zahariadhis dhe Miço Percalidhis. E kisha fjalën për gjeneral Teme Gjiunushin, që na ka lënë pas të birin, që po na prin dhe do të na prijë edhe sot. Po hajdeni t’u hedhim pluhur syve amerikaneve, se gjoja po bëjmë sikur po gëzohemi që u futën në NATO, se ashtu i do mushka drutë. Shtatë hile një trimëri, si dje në luftën ku bënim sikur luftonim, por që fshiheshim. A nuk u kujtohet sesi na pati çarë veshët Dejvid Smajli, që na kërcënonte se do t’i thoshte Shtabit të Mesdheut në Bari që të mos na furnizonte me armë, municione e ushqime, ngaqë nuk luftonim kundër italianëve dhe gjermanëve dhe nuk i dërgonim atij medalionët e ushtarëve armiq të vrarë, por e gënjenim me disa bomba që hidhnim nëpër shkurre dhe me komunikatat që botonim, athua se po bënim namin mbi armiqtë! Do na ecë hileja do na ecë, se kemi edhe shoqen Nexhmije, që bën sikur është me amerikanët dhe që ka thënë se është gëzuar gjoja që jemi futur në NATO, duke bërë hilenë që bëri kur deklaroi në shtyp se kishte qarë nga gëzimi kur u shpall Pavarësia e Kosovës, dhe se gjoja disa shokë kosovarë, jo vëllezër kinezë, i kishin dërguar shokut Enver bozhure Kosove tek varri në Sharrë, ku i shkruanin “U kry bacë”. Dhe budallenjtë e gazetave e hëngrën, por në fakt ata bënë sikur..., se janë bijtë tanë edhe atje, që bëjnë sikur u gëzuan që u futëm në NATO, që fitoi Pavarësinë Kosova. Kështu e ka kjo punë, bëj sikur... Se edhe për pluralizmin, shoku Ramiz bëri sikur, por ata e morën me zor dhe desh na e shkatërruan Bllokun dhe na e rrethuan Shkollën e Bashkuar. Po kështu e ka lufta, një herë fiton, një herë tjatër humbet, nuk do të fitojmë gjithmonë de. Sepse në fakt neve kemi fituar deri më tani. Edhe pasuritë ne i kemi vënë, por edhe bijtë tanë i kemi nëpër zyra e pushtete. Por mbi të gjithë kemi Edvinin, që është në krye të pushtetit, ku bëhet para e madhe dhe ku gjithmonë do të marrim votat dhe do ta mundim sërish Sali qënin. Do ta mundim edhe kur Nano qëni të bëhet me të dhe kundër nesh...”, - u thoshte një veteran fytyrëkuq veteranëve të Zyhdi Kroit dhe ndoca komunistëve të tubuar tek lokali i “Shefikate”-s dhe para oborrit të selisë së PS. Ata e dëgjonin me bindje dhe i premtuan se do të bënin si t’u thoshte ai që po u sillte zërin dhe mendimin e shokut Gramoz, por edhe skemat e shokut Skënder, që bëjnë sikur gëzohen që janë futur në NATO dhe se për të festuar këtë sebep po dalin në miting solidariteti, ku do i thonë “po” NATO-s dhe “jo” Berishës.
 Re. Po.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›