E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëria duhet të përmirësojë imazhin për investitorët

03/05/2005  “Raiffeisen” organizon Ditën ekonomike të Shqipërisë në Paris

”Shqipëri, pika e kthimit”, e ka quajtur “Raiffeisen” konferencën e organizuar në Paris për vendin ku ka më shumë se një vit që zhvillon aktivitetin e saj bankar dhe prej disa kohësh dhe atë kreditues. Por për t’i mbushur mendjen investitorëve francezë të vijnë në Shqipëri, duhet më shumë se sa një konferencë. ”Në fillim duhet të përmirësohet imazhi i Shqipërisë dhe kjo kërkon shumë kohë“, ka thënë një prej përfaqësuesve të “Raiffeisen Bank” gjatë konferencës. Por ndërkaq, duket se kthesa ka filluar dhe interesi i kompanive franceze nuk ka qenë i vogël për një vend si Shqipëria. Rreth 45 përfaqësues nga biznese dhe kompani franceze kanë marrë pjesë në konferencën e organizuar nga “Raiffeisen” dhe Ministria e Ekonomisë. “Qëllimi i kësaj konference është thithja e investitorëve të huaj, aq më tepër në një moment si ky, kur Albtelokom dhe ‘Armo’ janë në prag të privatizimit”, ka thënë Luan Shahollari, zv.ministër i Ekonomisë. Për drejtorin e Thesarit në “Raiffesien Bank”, çështja nuk është dhe kaq e thjeshtë. “Francezët duhet të ndryshojnë imazhin për realitetin shqiptar dhe vizita e fundit e Kryeministrit Nano si dhe kjo konferencë, shërbejnë për t’i çuar një mesazh francezëve”, ka thënë Christian Canacaris. Pala shqiptare më shumë u përqëndrua në mjedis ekonomik të krijuar kohët e fundit, legjislacion fiskal dhe karakteristikat gjeopolitike të vendit.

Investitorët francesë kanë qenë më shumë të interesuar në lidhje me sektorët që rezultojnë të jenë më atraktivë për investim. “Turizmi, energjia, telekomunikacioni dhe agropërpunimi do të jenë sektorët ku pritet të ndihet rritja më e fuqishme ekonomike dhe të jenë më atraktive për investitorët”, ka deklaruar Estela Dashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›