Pronat, Brukseli kërkon kthimin tek i zoti
Bashkimi Europian i kërkon Shqipërisë që të rikthejë pronat te pronarët e ligjshëm, duke e mbyllur përfundimisht këtë çështje. Drejtori për Ballkanin, Pierre Mirel, deklaroi se “ne po ashtu kemi ngritur një çështje tjetër, e cila nuk është e re, por ka të bëjë me të drejtën e pronësisë, pasi ne besojmë me të vërtetë që kjo është një pengesë për ecurinë e vendit dhe një pengesë më tepër për investimet e huaja në vend”. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Komitetit të Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së, është diskutuar për rreth 8 orë mbi arritjet e qeverisë shqiptare në zbatimin e MSA-së dhe reflektimit pas progres-raportit të komisionit për vitin e kaluar. Në takim është diskutuar me hollësi për kriterin politik që përfshin jo vetëm dialogun mazhorancë-opozitë, por edhe çështjen e luftës kundër korrupsionit dhe gjyqësorin. Në takimin e djeshëm u vendos ngritja e 7 nënkomiteteve që do të veprojnë në fusha të caktuara për të raportuar zbatimin e “aquis communitere”, që do të thotë standardet e BE-së, por edhe zbatimin e MSA-së.
#