E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër maska, armë dhe drogë për Greqi, arratisen

Droga e sekuestruar sonte

Gjirokastër, 15 nëntor 21:46 NOA – Katër persona të maskuar kanë lënë “me gisht në gojë” policinë sonte kur arritën të kalojnë kufirin me Greqinë, por dolën dhe vetë të humbur pasi nuk arritën të kalojnë dhe drogën që kishin me vete.

Burime zyrtare nga Policia Kufitare konfirmuan para pak minutash për agjencinë e Lajmeve NOA, se sonte kanë sekuestruar në kufirin jeshil 60 kilogramë lëndë narkotike Mariuanë dhe një armë zjarri tip “Kallashnikov”.

Gjithçka ka nisur rreth orës 18.30, kur njësiti i shërbimit të Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kakavije të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër , gjatë kryerjes së shërbimit, duke vëzhguar me kamera termike në vendin e quajtur Gryka e Bogazit në afërsi të fshatit Radat të rrethit Gjirokastër, ka konstatuar 4 persona të maskuar të cilët po lëviznin në drejtim të kufirit jeshil me shtetin Grek.

Njësiti i policisë kufitare është afruar në distancë dhe u ka bërë thirrje katër maskave që të ndalojnë. Këta nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë, por kanë hedhur çantat përtokë dhe janë larguar me shpejtësi në thellësi të tokës shqiptare, duke përfituar nga errësira.

Njësiti ka njoftuar menjëherë forcat e tjera të Stacionit të Policisë Kakavijë dhe të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të cilat kanë bërë rrethimin e zonës dhe po punojnë për kapjen e këtyre personave që policia thekson se ishin të maskuar.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka konstatuar 4 çanta shpine të mëdha me ngjyrë të zezë, si dhe një armë zjarri tip kallashnikov dhe një karikator me fishekë, të hedhura mbi disa shkurre.

Në çantën e parë janë konstatuar 19 pako në formë cilindrike me peshe 1 kilogramë secila, në çantën e dytë kishte 21 pako në formë cilindrike me peshë 1 kilogramë, në çantën e tretë janë konstatuar 2 pako të rrumbullakëta, me peshë 10 kilogramë secila, të mbështjella me letër natriban, në të cilat kishte lëndë narkotike të dyshuar si Mariuanë, ndërsa çanta e katërt kishte bukë dhe ushqime.

“Gjithsej janë evidentuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 60 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si Mariuanë, një armë zjarri Kallashnikov dhe një karikatore me fishekë”, - konfirmoi policia.

Ajo tha se po punohet për kapjen e këtyre personave të përfshirë në këtë trafik të lëndëve narkotike dhe se materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

Por gjithsesi kapja e të arratisurve mbetet një problem më vete pasi ata kanë kaluar kufirin dhe janë zhdukur në drejtim të paditur.

a.k/NOA

Bashkalidhur, arma e sekeustruar 

Shkarko attachment >> arma_20e_20zjarrit_278067864.jpg

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›