“La Repubblica”: “Spahiu meriton ‘Di Pietron Shqiptar’”
ROMË – Në kuadër të projektit të binjakëzimit ndërmjet Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë (KLD) dhe Këshillit të Lartë të Magjistraturës italiane, u zhvillua në Romë një takim ndërmjet zëvendëskryetarit të KLD-së, avokatit Kreshnik Spahiu dhe homologut të tij italian, Nicola Mancino, në prani të delegacioneve respektive. Kreshnik Spahiut, i njohur për luftën pa kompromis ndaj fenomeneve korruptive, në atë masë që ka merituar edhe emrin “Di Pietro shqiptar”, iu sigurua ndihma dhe mbështetja e ekspertëve të CSM-së. “Falë kësaj ndihme, deklaroi Spahiu, Këshilli i Lartë i Drejtësisë së Shqipërisë ka zhvilluar një strategji të re, e cila shumë shpejt do të integrohet në axhendën e reformave të shtetit të së drejtës dhe në veçanti të sistemit shqiptar të drejtësisë”. Me qëllim përafrimin e Gjyqësorit shqiptar me standardet europiane, në muajin shkurt Kuvendi i Shqipërisë aprovoi një sërë normash të strukturës dhe kompetencave të Këshillit, që lidhen me fillimin e punës, karrierën dhe transferimin e gjyqtarëve. Binjakëzimi, projekt i financuar nga Bashkimi Europian, përfshin, përveç Shqipërisë dhe Italisë, edhe Spanjën: “Sugjerimet e partnerëve italianë dhe Spanjollë, shpjegoi më tej Spahiu, do të përbejnë lëndën e parë të projektligjit që do t’i paraqitet për diskutim dhe miratim Kuvendit të Shqipërisë për organizimin dhe funksionimin e ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sistemit gjyqësor dhe administrimit të kapaciteteve. Siç është bërë tashmë e njohur, një nga pikat kryesore ka qenë dhe mbetet pavarësia dhe autonomia e burimeve financiare nga ana e Këshillit. Problemi kryesor mbetet fakti që pa një autonomi financiare nuk mund të ketë pavarësi të Gjyqësorit”. Këshilli i Lartë i Drejtësisë së Shqipërisë saktësoi se ky projekt binjakëzimi nuk përfaqëson thjesht një “eksportim” të modelit italian dhe spanjoll të
drejtësisë. Ekspertët e të tria vendeve po vlerësojnë kërkesat specifike të Shqipërisë me qëllim bërjen e rekomandimeve përkatëse.
25 Mars 2008