Ndalohet një person për “armëmbajtje pa leje”
TIRANË - Forcat e policisë së kryeqytetit ndaluan dje një person për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje". Në një njoftim për shtyp të hënën nga Policia e Tiranës, bëhet e ditur se ndalimi i shtetasit Lorenc Lami, 25 vjeç, lindur e banues në Tiranë, u krye nga Patrullat e Përgjithshme Speciale. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz” me targë TR 2299 K, me të cilin ai udhëtonte, iu gjetën një pistoletë e tipit - TT dhe disa fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën e mësipërme penale.
Ndalohet 58-vjeçari, vodhi kabllin elektrik
Tiranë – Vodhi kabllin elektrik, ndalohet nga policia. Burimet thanë se Seksioni Kundër Vjedhjeve të Tjera realizoi arrestin në flagrancë të shtetasit Flamur Rifat Mamli, 58 vjeç, banues në Tiranë. Ai u kap në flagrancë pranë rrugës “Prokop Myzeqari” në Tiranë, duke vjedhur një sasi të konsiderueshme kablli elektrik, që shërbente për ndriçimin e segmentit rrugor të lartpërmendur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Vjedhje”.
25 Mars 2008